Bujqësia zhvillohet me ligje e dije dhe jo llogje kafeneje

767
Sigal

Prof. Dr. Lush SUSAJ

Rudolf Steiner, duke folur mbi dijet, idetë, projektet dhe teknologjitë e prodhimit bujqësor, si dhe nevojën për avancimin e përhershëm të tyre në varësi të lidhjeve midis bimës, tokës, klimës dhe planetëve ka shkruar: “Shkenca e vërtetë do të jetë kur të kontrollojmë forcat që veprojnë. Nuk mund të kuptojmë kurrë bimët, kafshët dhe parazitët të marrë secilin më vete. Në qoftë se ne gjejmë rrugën drejt makrokozmosit do të kuptojmë serish natyrën dhe të tjera akoma” . Kujtoj faktin që Rudolf Steiner është me origjinë arbërore, ai ka lindur me 27 shkurt 1861 në Kraljeviç që atëherë bënte pjesë në territorin shtetëror të Austrisë, ndërsa sot bën pjesë në territorin shtetëror të Kroacisë. Që në atë kohë, vendet e Evropës, përfshirë edhe Kroacinë dhe vendet e rajonit të Ballkanit, punuan shumë për të zbuluar dhe përshtatur praktikat më të mira bujqësore, në përputhje me bio-morfologjinë e bimës, me kushtet klimatike, tokësore dhe kozmike. Që në atë kohë shkenca bujqësore ka avancuar shumë duke synuar drejt teknologjive organike e biodinamike që garantojnë shëndetin e konsumatorit dhe qëndrueshmërinë e sistemeve të prodhimit bujqësor. Ndërsa në Shqipëri, në këto 106 vite të dokumentuara e lehtësisht të verifikueshme, edhe në bujqësi, është punuar pa përfillur arritjet as dijet shkencore mbi sistemin tokë-bimë-atmosferë dhe lidhjen e këtij sistemi me lëvizjen e planetëve dhe me fenomenet dhe forcat kozmike. E gjithë kjo ka ndodhur dhe po ndodh për shkak të mënjanimit të qëllimshëm e të vazhdueshëm të intelektit dhe mendimit të mirëfilltë shkencor, të mënjanimit të dijeve shkencore në orientimin, oponencën dhe në mbikëqyrjen e mirëfilltë të projekteve, të ligjeve dhe investimeve në bujqësi, turizëm, infrastrukturën rurale, etj. Nga injoranca e drejtuesve politik dhe militantëve të stimuluar e të rekrutuar prej tyre, ka buruar e do të burojë vetëm shpërdorimi i vazhdueshëm i resurseve natyrore dhe i kapaciteteve tona intelektuale e prodhuese të bujqësisë dhe mjedisit shqiptarë. Injoranca e kudondodhur në ligjet dhe në të gjithë sistemin e drejtimit të bujqësisë së këtyre 28 viteve, duket që është e qëllimshme dhe në funksion të abuzimit dhe përfitimit të shumave të mëdha mëdha monetare, pa e vrarë askush mendjen për katastrofën që po shkaktohet në drejtim të punësimit, prodhimit dhe degradimit të mirëqenies dhe jetës sociale. Kjo lexohet dhe dallohet lehtë në të gjitha krahinat, në të gjitha drejtimet dhe në të gjitha nivelet e prodhimit dhe të administrimit mjedisor e bujqësor të Republikës së Shqipërisë. Goditja e injorancës dhe verbërisë politike është fokusuar ndaj dijës dhe specialistëve më të mirë të vendit. Kjo ka ndodhur edhe para dy javësh, kur me një urdhër apo procedurë idiote u larguan nga puna dy specialistët më të mirë e më të njohur të bujqësisë së rajoneve Kukës dhe Mat. Ata janë agronomë me përvojë 32 vjeçare, janë të mirë arsimuar e të mirë trajnuar, që të dy janë shkarkuar e zëvendësuar me militantë që nuk kanë asnjë haber nga bujqësia. Të tilla absurditete ndodhin në një kohë kur dihet që nga të gjitha vendet e Evropës, sidomos të rajonit të Ballkanit, Shqipëria ka nevojën më të madhe për agronomë dhe veterinerë me dije e përvojë bashkëkohore. Goditja ndaj specialistëve të fundit që na kanë mbetur është goditje fatale për prodhimin dhe të ardhurat e qindra fermerëve të rajoneve të vendit. Për fatin tonë të keq, këtë nuk po e kuptojnë dot politikanët mediokër të cilët nuk kanë lexuar as punuar kurrë për bujqësinë e mjedisin.

Ralph Waldo Emersoni ka shkruante ‘Njeriu i parë qe një bujk dhe çdo fisnikëri historike mbështetet mbi bujqësinë’. Bujqësia është parë, konsideruar dhe përdorur si fushë për abuzimin e fondeve, investimeve, projekteve dhe deri dhe abuzimin skandaloz të këtyre katër viteve me TVSH. Sjellja idiote ndaj bujqësisë dhe mjedisit është një nga treguesit më të qartë të kohës së humbur me qeverisjet e ligësisë, korrupsionit dhe nihilizmit ndaj punës dhe prodhimit bujqësor. Ndërsa Wolfgang J Goethe, në lidhje me guximin dhe inteligjencën që kërkohet për të zhvilluar bujqësinë dhe mjedisin (themelet e të gjitha zhvillimeve të tjera), ka shkruar: “Injoranca vret ide të panumërta e plane të shkëlqyeshme. Në momentin në të cilin njëri kompromentohet përfundimisht, edhe e shumëpritura vdes. Guximi ka në vetvete shpirtin, mundësinë dhe magjinë. Të fillojmë tani…”. Ka kaluar një kohë shumë e gjatë nën injorancë e hajdutëri, është aq e gjatë sa korrupsioni dhe harbutëllëku në legjislacion dhe drejtim po na duket si diçka normale, e përjetshme dhe rrugë e vetme e pasurimit të një grushti abuzuesish përmes fitimit pa rregull e meritë. Nga injoranca dhe makutëria buron i gjithë reaksioni zinxhirë i dështimit spektakolar me ligjet, projektet dhe investimet bujqësore e mjedisore nga ku nuk ka mbetur asgjë. Nga injoranca dhe makutëria është prodhuar dhe po mbahet gjallë edhe demagogjia mbi TVSH dhe subvencionet e munguara për fermerët, mbi agro-turizmin e fshatrave pa infrastrukturë dhe, së fundi edhe mbi të ashtuquajturën akademi të 100 fshatrave të shpopulluara nga ikja e banorëve prej mungesës së sigurisë dhe punësimit. Në konstatimet e mia dhe në gjykimin tim si fermer e djalë fermeri, si specialist e si njohës shumë i mirë i bujqësisë dhe i jetës rurale në të gjitha fshatrat dhe lagjet e Shqipërisë, mendoj se nga paratë e adresuara për TVSH, fermeri nuk ka marrë dhe nuk do të marrë asnjë qindarkë. Ndërsa pikat e grumbullimit, reale apo fiktive qofshin, të lëna jashtë çdo kontrolli e mbikëqyrje shtetërore, kanë marrë dhe po marrin të tilla vlera monetare që shkojnë deri në 200-400 milionë lekë TVSH të pamerituar. Edhe 20 milionë eurot për të cilat po flitet që do të përdorën për financime, duket që tani se janë groposur duke i adresuar ato në drejtim të menaxhimit, grumbullimit dhe konferencave e seminareve pa kriter dhe pa ndonjë nivel shkencor e aplikativ. Në këtë mënyrë, duket se është harruar dhe mënjanuar prodhuesi, nuk është mbështetur kryesori që është fermeri, as specialist i mirëfilltë i prodhimit, përkundrejt militantit apo demagogut që vetëm sa mban një bllok të mbushur me hyrje e dalje fiktive e që mesa duket nuk e kontrollon askush. Unë jam i bindur që më shumë se shpërdorimi që ka ndodhur me TVSH e gështenjës me sezon 20-30 ditor, mund të jetë shpërdorimi me TVSH e domates, trangullit dhe perimeve të tjera gjithëvjetore. Dhimbja e madhe e bujqësisë, ka qenë dhe do të jetë dhimbja e madhe e ekonomisë sonë kombëtare, është ajo dhimbja e përditshme e çdo fermeri dhe banori të Shqipërisë. Kjo dhimbje nuk mund të anashkalohet as të lehtësohet me teoritë e njohura mbi agro-turizmin që për fatin tonë të keq, po na serviren si diçka që mund të realizohet edhe pa dije e përvojë shkencore, edhe pa infrastrukturë rrugore, edhe pa siguri publike, edhe pa ferma bujqësore të mëdha, faktike e funksionale, edhe pa kredi me interesa të ulëta, edhe në kushtet e mungesës së pronësisë dhe tregut të tokës, edhe në kushtet e degradimit dhe reduktimit katastrofik të blegtorisë, edhe në kushtet mungesës së funksionimit të kadastrës elektronike dhe të regjistrit të tokës, të fermerëve dhe kulturave bujqësore, etj. Në analizën time me rezulton që të jetë demagogji edhe e ashtuquajtura akademi e 100 fshatrave që nuk përbëjnë as 1% të territorit dhe popullsisë së vendit. Në këtë kontekst, unë mendoj se kemi të bëjmë edhe me një zhvlerësim të skajshëm të fjalës “akademi”. Madje në kushtet e mjegullnajës dhe statusit të pa përcaktuar të akademisë së shkencave të Shqipërisë, njerëzit kanë filluar të bëjnë humor duke menduar se po ndodh njëlloj si në vitin 1990 kur nga Partia e Punës, u sajuan me ngut partitë bija të këtij spektri të ngurtë e të dështuar politik. Humori shkon deri atje sa disa njerëz kanë filluar që të mendojnë edhe për një akademi të 100 maleve, apo të 100 kodrave, apo të 100 bujtinave, apo të 100 rrugëve etj. Në këtë mënyrë, mund të vazhdohet gjatë me analizën e bujqësisë sonë hallemadhe që vetëm sa po goditet dhe degradohet edhe më shumë nga mediokriteti, abuzivizmi, konspiracioni dhe modeli militantesk i sjelljes ndajë prodhuesit të mirëfilltë, ndaj ligjeve dhe ndaj dijeve e modeleve shkencore e bashkëkohore të zhvillimit të qëndrueshëm. Bujqësia nuk mund të zhvillohet nga njerëz që nuk kanë as minimumin e dijeve dhe as të arsimit bujqësor, as nga njerëz që nuk kanë punuar asnjë ditë në ara as në fshatrat shqiptare, as nga studentë që nuk kanë bërë asnjë orë mësimi mbi bimët dhe teknologjitë bujqësore bashkëkohore. Bujqësia nuk mund të bëhet kurrë duke mënjanuar prodhuesit dhe specialistet e bujqësisë nga projektet, nga financimet dhe as nga mbështetja shtetërore e politike. Bujqësia është gjithëpërfshirëse, shkencore, konkrete dhe transparente, si e tillë kërkon përvojë dhe dije shkencore bashkëkohore, kërkon projekte, programe dhe ndërhyrje gjithëpërfshirëse, kërkon investime dhe subvencione transparente. Para së gjithash, bujqësia jonë kërkon mbrojtje nga skemat e njohura të fiktivitetit, mashtrimit dhe vjedhjes së këtyre 28 viteve.