Bedri Omuri: Vlerat e merkatos ishin pa nivel

1745
Sigal

Flet për “Telegraf” ish-futbollisti i Tiranës dhe i Kombëtares, ja si e përshkruan situatën e skuadrave në Kategorinë Superiore

Vlerat e merkatos kanë qenë pa nivel, “derbi” Tirana-Partizani do i shërbejë cilësisë

Nga Agron KAJA

Në këndvështrimin e specialistit të futbollit, si e shikoni situatën e skuadrave të Superiores në këtë periudhë përgatitore?

Me aq sa e kam ndjekur ritmikën e zhvillimeve në këtë muaj te skuadrat e Kategorisë Superiore, mendoj se skuadrat kanë bërë lëvizje në merkato, njëherësh edhe përgatitje. Duket sikur ky prag Kampionati i çorienton skuadrat në këtë periudhë, por duhet të jenë të stabilizuara për vazhdimësinë e garës.

Të gjitha skuadrat e Superiores janë deklaruar në merkato, ju si e shikoni aktivizimin e tyre në këtë tregues?

Shikoj se kemi të bëjmë me një merkato të zakonshme, të përvitshme për të gjitha skuadrat e kësaj kategorie. Tirana ka deklaruar blerje cilësore, e më pas saj mendoj se vijnë Flamurtari me Teutën. Por, vlerat e merkatos kanë qenë pa nivel, referuar emrave që janë bërë publikë.

Në këtë periudhë ishin në aktivitet në Evropë 4 skuadra, kanë mbetur 2, do të jetë ngarkesë fizike kjo periudhë për to?

Normalisht, është edhe mirë, por edhe keq kur skuadrat tona paralelisht me përgatitjet e sezonit të ri, luajnë edhe në Evropë. Nëse kanë kontigjentin e plotë, është mirë, por nëse janë të pakompletuara dhe të pa organizuara mirë, do ketë ndikim negativ për to në ecurinë e garës.

Disa skuadra të Superiores kanë kërkuar që të kenë 5 lojtarë të huaj në formacion, ju mendoni se kjo i shërben cilësisë së futbollit shqiptar?

Për mua nuk duket e drejtë, sepse një numër i tillë e varros futbollin shqiptar. Me 5 futbollistë jo shqiptarë në një skuadër, i bie që të shohim kampionat të huaj. Me buxhetet që kanë skuadrat, është e vështirë me 5 lojtarë të huaj, pa pasur edhe një bazë të fortë në ekip nga sezoni i kaluar dhe nga të rinjtë.

Në përgjithësi, ju cilat skuadra i shikoni më të organizuara në këtë periudhë përgatitore dhe merkatoje?

Duke i parë në tërësi të dhjetë skuadrat, shoh si skuadër më të organizuar në Kategorinë Superiore sot për sot, Kukësin, e më pas Teutën me Flamurtarin. Skënderbeu e ka boshtin, por ka luhatje psikologjike, ndërsa Partizani e Luftëtari ende nuk kanë treguar realitet pozitiv.

Në atmosferën e merkatos, nga 10 skuadrat, vetëm Tirana nuk e ka ndryshuar trajnerin në këtë sezon, është ky një tregues me pasoja negative për garën?

Kjo formë po bëhet e modës sezon pas sezoni, e për mendimin tim nuk është shenjë e mirë e profesionalizmit real, sepse nuk tregon respekt e vlerësim për punën e trajnerëve. Është e papëlqyeshme si formë, nga e cila unë nuk kuptoj se çfarë tregojnë, apo çfarë përfitojnë presidentët e klubeve.

Po rikthimi i “derbit” të kryeqytetit, Tirana-Partizani, si do të ndikojë në ecurinë dhe nivelin e garës së Superiores?

Për Superioren, “derbi” mes Tiranës e Partizanit, është një vlerë për Kategorinë Superiore. Tradicionalisht këto dy skuadra kanë dhënë ndeshje të mira dhe me shumë tifozë, por aktualiteti i tyre nuk është shumë optimist. Do uroja që, të paktën të sjellin më shumë tifozë në stadium.

Nëse do të kishit një horoskop (parashikim) për sezonin e ri, ku mendoni se duhet përqendruar më shumë gjatë garës?

Do të dëshiroja që në këtë sezon të ketë më shumë rivalitet mes të gjitha skuadrave, të kemi ndeshje Fair-play dhe me sa më shumë tifozë në stadiume. Drejtuesit e ekipeve duhet të jenë më të përgjegjshëm për garën, ndërsa FSHF-ja një drejtuese e monitoruese e saj.