Aqif Ymeri: Nga bandat mafioze mos prisni lëmoshë!

637
Sigal

Publikimet i audiopërgjimeve në gazetën gjermane “Bild” janë edhe një dëshmi më shumë e faktit, tashmë të pakontestueshëm, se Shqipëria është zhytur thellësisht në moçalin e mafies. Përgjimet e dëshmuara krejt pastër audio nga “Bild” dëshmojnë plotësisht se funksionarë të të gjitha rangjeve, policë, kriminelë, deputetë dhe ministra të PS-së përfshihen në pazaret e votave. Absurdi tashmë është bërthama e mercenarëve që përpiqen të justifikojnë Ramën me gjithë bandën e tij mafioze. Frika ndaj kësaj bande kriminale nuk qëndron thjesht te dhunimi i Kushtetutës, por atmosfera e krijuar prej saj është totalisht rikthimi te rrënjët e vjetra historike të Partisë së Punës. Rama tani kërkon të krijojë edhe “opozitën”, edhe gjykatën, edhe prokurorinë, edhe parlamentin, edhe presidencën, edhe…, pra Rama t’i ketë të gjitha e të bëjë ç’të dojë.

Nuk po gjykoj se kush është presidenti, por dekretin e Presidentit të Republikës, mund ta rrëzojë vetëm gjykata kushtetuese. Kjo është e qartë për të gjithë, madje edhe për ata që përpiqen të thonë të kundërtën. Ky dekret qe e vetmja mundësi që palët të mund të fillonin komunikimin me njëra tjetrën për të shmangur krizën që tani po sublimohet në kaos total. Përgjegjësinë për këtë kaos, çdo njeri me logjikë normale ia atribuon bandës mafioze në pushtet. Kur një i ashtuquajtur “jurist i PS-së” shprehet në rubrikën “Opinion” të Fefziut, se çdokush e gjykon vetë se dekreti i Presidentit të Republikës, nuk është i ligjshëm, ndaj nuk duhet përfillur, atëherë si nuk paska të drejtë të gjykojë çdo polic se nuk duhet t’u bindet verbërisht urdhrave të Ramës për të dhunuar popullsinë, për të ushtruar dhunë mbi protestuesit? Dëgjohet shprehja se “policët shkojnë për bukën e fëmijëve”. Po kështu sigurohet buka e fëmijëve duke ushtruar dhunë mbi njerëzit e pafajshëm, mbi njerëzit që protestojnë për të drejtën e jetës? Protestuesit janë në të drejtën e tyre të ligjshme për të mbrojtur jetën dhe me çdo mjet do të përballen me këdo që u del përballë, polic a çdo mercenar tjetër i Ramës. Dhe gjithë përgjegjësinë për këtë e ka vetëm banda kriminale e Ramës. Kjo e solli vendin në këtë kaos dhe vazhdon me këmbëngulje ta ushqejë pabesisht e kriminalisht atë.

Ramës tani i ka ardhur fundi dhe çdo egërsirë kur e ndjen fundin tregon dhëmbët. Njerëzit për të dhe bandën e tij tani janë “mish për top”. Ndaj cilido që arsyeton normalisht, polic, socialist, demokrat, i kuq a i blutë, çfarëdo qoftë nuk duhet t’i bindet më Ramës. Tashmë kanë ikur strategjitë mesjetare, ku mercenarët i nxirrnin në fushën e betejës, pa i pasur askush në inventar, që mbi kufomat e tyre të vërshonin kalorësit për të shembur kështjellat. Njerëzit duhet t’i thërrasin arsyes.

O njerëz, gjykoni! Nga bandat mafioze mos prisni lëmoshë! Lëmosha e tyre është vdekje. Mbroni veten dhe fëmijët tuaj, mbroni sigurinë dhe ardhmërinë e fëmijëve! Ngrihuni në këmbë dhe me çdo mjet dhe përballuni me mafien shtetërore për t’iu bërë barrikadë rikthimit të së kaluarës më të egër që ka njohur Kombi Shqiptar, kohës së Partisë-Shtet, ku përveç mjerimit e skamjes së tejskajshme, diktatura për një fjalë goje të burgoste përjetë e të merrte jetën, ku kampet e përqendrimit qenë më të egra se të rangut nazist dhe frika e trishtimi nuk i ndaheshin njeriut që nga lindja deri në vdekje.