Antifashizmi Shqiptar pjesë e pandarë e Antifashizmit Botëror

624
Sigal

Etapat madhore të Historisë, siç është Antifashizmi Shqiptar në shekullin e XX, duhet respektuar nga të gjithë sepse është pjesë e pandarë e Antifashizmit Botëror. Këtë të vërtetë s’mund ta mohojë apo ta ndryshojë askush, e aq më tepër neonazistët e neoballistët që mbeten në koshin e tradhtisë.

Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore lindi edhe Koalicioni i Madh Botëror Antifashist “Angli, BRSS, SHBA”. Dhe ishte zgjuarsia e PKSH që thirri Konferencën Historike të Pezës më 16 Shtator 1942 dhe krijoi Frontin Antifashist Shqiptar dhe e radhiti këtë front në krahun e Koalicionit të Madh Botëror Antifashist, në krahun e fitores së madhe të 9 Majit 1945, kundër Boshtit Berlin, Romë Tokio.

Për vendin tonë viti 2019 është viti i 75 vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë. Pra një përvjetor shumë i rëndësishëm. Si ka mundësi, që pikërisht të mos festohet 75-vjetori i Çlirimit, i njohur dhe i konfirmuar dhe kushtetutshmërisht?!

Deri më sot nga Qeveria Shqiptare akoma nuk është bërë programi i respektimit ceremonial shtetëror të këtij 75 vjetori, në një kohë që gjithë bota e qytetëruar i nderon datat e çlirimit të vendeve të tyre nga pushtimet e huaja dhe Epopeja e Antifashizmit te Luftës së Dytë Botërore është krenaria e palëkundur e historisë moderne të SHBA-së, Anglisë, Rusisë dhe vendeve të tjera të Evropës që luftuan kundër nazifashizmit..

Nuk merren masa për të festuar 29 Nëntorin e Çlirimit në një kohë që nga qeveria merren masa e nderohet figura e Mit’hat Frashërit, kryetarit të Ballit Kombëtar që u radhit në krahun e nazifashistëve?! Secili mund të pyesë pse një gjë kaq e thjeshtë bëhet kaq e ndërlikuar? Pse ringjallen këto teza të mbrapshta në ditët e sotme dhe rehabilitohen figura kolaboracionistësh?

Antifashizmi shqiptar, siç e nënvizuam më lart, është pjesë e pandarë e Antifashizmit Botëror dhe ky fakt na bën krenarë ne veteranëve e pasardhësve të veteranëve të Organizatës së Veteranëve të LANÇ dhe do të marrim të gjitha masat për ta festuar me madhështi 75 vjetorin e Çlirimit të Atdheut. Organizata e Veteranëve të LANÇ