Aleksandër Kocani: Dy fjalë lidhur me ‘Klubin e Akademikëve’

776
Sigal

Dy fjalë lidhur me ‘Klubin e Akademikëve’ të Shqipërisë!

Nga Aleksandër Kocani

Miku edhe kolegu im i nderuar, dhe ndoshta i vetmi akademik që e meriton plotësisht këtë titull, Prof. Artan Fuga, me të drejtë ka bërë thirrje që të prononcohemi për mysebetin e fundit që lidhet me atë që zyrtarisht quhet “Akademia e Shkencave të Republikës së Shqipërisë” . Fjala është për procesin e paligjshëm dhe të turpshëm të ‘privatizimit’ të saj nga PSD dhe kryetari i saj. Personalisht kam ndjekur me interes luftën e guximshme dhe të palëkundur që ka bërë publikisht për reformimin e këtij ‘Klubi të akademikëve’ në një Akademi të vërtetë të Shkencave bashkëkohore Prof. Artan Fuga! Kur kam mundur jam prononcuar në mënyrë stigmatizuese lidhur me ‘gjumin letargjik’ të saj. Por, në fakt, kjo e ashtuquajtura “Akademi e Shkencave” ka shumë vite që ka ‘vdekur’ si e tillë!! Që kurse shoqëria shqiptare nisi, në fillimet e viteve ’90, proceset e transformimeve social-politike, ajo kishte nevojë të madhe:

  • për mendim shkencor lidhur me rrugët që duheshin ndjekur në fusha të ndryshme për këtë transformim,
  • për modelet e përshtatshme për vendin tonë të transformimit në fushën e Arsimit, Shkencës, Shëndetësisë, organizmit politik, të zhvillimit ekonomik konkurrues me vendet rreth e përqark e më tej etj.

Duhej një institucion kompetent, siç lypsej të ishte Akademia e Shkencave, që të udhëhiqte punën për hartimin e strategjive dhe politikave të reja në të gjitha fushat e jetës shoqërore e politike shqiptare.

  1. Duheshin ndërruar mendësitë dhe filozofia për jetën në shoqërinë shqiptare,
  2. të luftoheshin iluzionet mbi rrugët e zhvillimit të vendit (‘pritja vetëm nga ndihmat e huaja dhe jo nga puna e vetë shqiptarëve, etj.),
  3. të vlerësohej realisht koha si kusht për zhvillim,
  4. të promovoheshin vlerat shpirtërore që karakterizojnë shoqëritë e zhvilluara,
  5. të shporrej tutje sjellja me dy mësalla, dhuratë nga shoqëria e mëparshme,
  6. të nxitej e t’i hapej rruga lirisë së mendimit dhe shprehjes, filozofisë së vlerësimit të gjërave bazuar në produktin dhe jo në fjalë boshe,
  7. të orientohej kërkimi shkencor në rrugë të drejtë që të mos sillet ‘mokra’ e shkencës me lëvizje boshe, pa i hedhur kokrra në të etj., etj.

Asgjë nga këto nuk u krye nga “klubi i akademikëve shqiptarë’. Ata thjesht vazhduan veprimtarinë e tyre kërkuese në fushat respektive, duke menduar se kjo ishte detyra e tyre. Por, ashtu siç thjesht ‘një tërësi drurësh nuk përbën pyllin’, po ashtu një tërësi akademikësh që punojnë secili për hesap të vet, nuk përbëjnë një Akademi të Shkencave. Thjesht ata formojnë një Klub akademikësh!