Albert Habazaj: Banorët e Labërisë kundër HEC-eve në Shushicë

756
Sigal

Fshatrat e Bashkisë Selenicë peticion kundër ndërtimit të HEC-eve në Lumin e Vlorës

Banorët e Labërisë në protestë për mbrojtjen e Shushicës
Albert Habazaj

(Vijon nga numri i kaluar)

Banorët e fshatrave të bashkisë Selenicë janë mbledhur së bashku duke përpiluar një peticion kundër projektit “Ndërtimi i kaskadës së hidrocentraleve mbi lumin Shushica”. Sipas banorëve realizimi i këtij projekti do të ishte shkatërrues për ekosistemin e zonës së Lumit të Vlorës, dhe rrezik për jetën e banorëve. Kryetarët e 10 fshatrave që lagen nga ky lum kanë përgatitur, firmosur dhe dërguar Prefektit të Qarkut Vlorës, për dijeni Kryeministrit të Shqipërisë dhe deputet i Qarkut të Vlorës, një kërkesë (dërguar për “Telegraf” dhe me faksimile) si më poshtë vijon:
Kërkesa drejtuar Prefektit të Vlorës dhe Kryeministrit Edi Rama
“Republika e Shqipërisë. Selenicë, më 23.01.2019. Kërkesë. Drejtuar Prefektit të Qarkut Vlorë, z. Flamur Mamaj, për dijeni z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë dhe deputet i Qarkut të Vlorës. I nderuar prefekt, z. Flamur Mamaj. Sot, më datën 23 Janar 2019, ne kryetarët e fshatarëve të Lumit të Vlorës, Brataj, Lepenicë, Gjorm, Gumenicë, Kotë, Lapardha, Vodicë, Mavrovë dhe Drashovicë, pjesë e Bashkisë Selenicë, jemi mbledhur për të adresuar shqetësimin e banorëve të fshatrave tona që ndikohemi drejtpërdrejtë nga projekti “Ndërtimi i kaskadës së hidrocentraleve mbi lumin Shushica”. Bazuar në anketimin e banorëve dhe peticionet e realizuara nga banorët e fshatrave tona, rezulton se 97.7% e banorëve mbi 18 vjeç nuk janë dakord për ndërtimin e këtij projekti që dëmton natyrën, bujqësinë, blegtorinë, agroturizmin, turizmin malor dhe kulturor të Lumit të Vlorës dhe të ardhmen e fëmijëve tanë që duan t’ju trashëgojmë vendin e të parëve tanë brez pas brezi, të pa shkatërruar dhe tjetërsuar atë. Ne i jemi mirënjohës qeverisë për rrugën e re dhe moderne që po na ndërton dhe kjo na ka ngjallur shpresat dhe optimizmin për krahinën tonë të dashur, që ajo mund të bëhet, mund të zhvillohet dhe t’i shtohet vlera me projekte turistike, ashtu siç ka planifikuar qeveria me Drashovicën dhe Kuçin, si dy pika skajore të lumit të Shushicës që nuk mund të kombinohen kurrsesi me gërmadha betoni, lumë në kanale e tuba, dhe kur në ditët e sotme qeveria ka aprovuar projekte të prodhimit të energjisë nga dielli pa dëmtuar natyrën dhe ekonominë, por duke vitalizuar sipërfaqet e kthyera në shkretëtirë nga kripa. Zoti prefekt, banorët e Lumit të Vlorës kërkojnë nga Ju që të dëgjoni zërin e tyre dhe ky projekt të mos miratohet në Këshillin e Basenit të Vjosës që ju drejtoni. Me respekt kryetarët e fshatarëve, respektivisht: [emri, mbiemri, firma origjinale e secilit dhe vulat e njoma të njësive administrative përkatëse. Shiko faksimilet bashkëlidhur shkrimit].

Çështja e HEC-eve mbi Lumë është bërë e njohur edhe në shtypin e shkruar apo atë viziv dhe jo vetëm në televizionet lokale jo vetëm për të sensibilizuar opinionin publik, por për të gjetur zgjidhjen e duhur që banorët e Lumit mos shqetësohen, por t’i lënë të qetë në punë të tyre. Le të ndjekim konkretisht zhvillimet ç’ka ndodhur.
Në Brataj: Kujtojmë se qysh më 20 gusht 2018 nisi e organizuar një protestë e suksesshme për të treguar, se banorët janë kundër HEC-it që duan të ndërtojnë mbi Urën e Bratit “Monument Natyror i Mesjetës”. Ajo ishte një demonstrim që zëri i banorëve të dëgjohet dhe të merret parasysh, por banorët nuk e lenë me kaq. Ndërkohë, thonë ata, ne duhet të jemi të përgatitur fillimisht nga ana ligjore dhe kemi hedhur on line peticionin për ta firmosur, derisa të arrijë një numër të konsiderueshëm firmash, ai u dërgohet organeve kompetente të shtetit e deri në Bruksel, po qe e nevojshme, pasi mbështetja dhe mundësitë nuk na mungojnë.
Drashovica: Banorët e Drashovicës, tek Harku i Triumfit janë shumë të interesuar për arritjen e objektivave të qeverisë për realizimin e programit si një nga 100 fshatrat turistike shqiptare. Ndërkohë, ata duan të ruajnë ujësjellësin dhe puset e ujit, se pa ujë s’ka jetë, thonë banorët. Në Drashovicë vijnë turistë nga Gjermania, Çekia, Anglia, Polonia etj., që vendosen bukurisht argëtueshëm në mes të lumit e në hijen e rrapeve shekullorë.
Vodica: Banorët e fshatit Vodicë, shprehim mendimin e tyre të palëkundur për projektin e HEC-ve. Nuk jemi dakord për ngritjen e digave, i lutemi Qeverise të dëgjojë ankesat e popullit, të mos kalojë lumi nëpër fusha, të mos na heqin bukën e gojës, ne, që jemi të vetëpunësuar në fshat, do të luftojmë deri në fund me mjete demokratike dhe nuk do tërhiqemi nga fshati ynë, se në fund të fundit është përditësim në të sotmen e të qenit atdhetar ky qëndrim, pozicionim dhe kjo mënyrë jetese që kemi zgjedhur.
Mavrova: Djemtë e Mavrovës (stërnipërit e olimpiasve antikë) shprehen më prerë, se nuk mund të dorëzojnë lumin dhe vatanin e tyre tek zaptuesit. Natyrën ua kanë lënë trashëgim të parët e tyre dhe do ta gëzojnë vetë, brez pas brezi!
Kota: Banorët e Kotës, të gatshëm për protestë, bëjnë thirrje për të gjithë zonën e Lumit, të realizohen të tëra kërkesat e popullit. Ata thonë: “Kemi shumë vërejtje, do të prishet ujësjellësi, lumi thahet, kalon në tubo, rrezikohet toka, rrezikohet uji i pijshëm, toka bujqësore, burimet, jeta jonë, prandaj bashkia e Selenicës t’i marrë parasysh këto kërkesa, se bëhet fjalë për nevojat tona jetike”.
Lapardha: Banorët e fshatit të Lapardhasë janë në protestë: “JO HIDROCENTRALE! Befasohemi me këtë projekt, asnjë nuk na ka pyetur, nuk jemi dakord që uji futet nëpër tuba…! ata janë bujq, blegtorë dhe këngëtarë të dëgjuar. Andej kanë dalë “6 violinat e Lapardhasë” me “Janinën” e famshme të 1983-shit. Ata bëhen dhe shqiponja në foletë e tyre…


Gumenica: E duam lumin siç na e ka dhuruar Zoti, atë që na e ka falë natyra ta gëzojmë, qeveria nuk duhet të dalë mbi Zotin, ne nuk na kanë pyetur, nuk kemi dijeni fare për hidrocentralet… – thonë banorët dhe kryetari i fshatit të Gumenicës.
Gjormi: Banorët e fshatit Gjorm janë shumë të shqetësuar dhe nuk mund ta pranojnë në asnjë mënyrë projektin e HEC-ve mbi lumin e tyre! PIKË – thonë prerasi, rreptë e të revoltuar, gati të rebeluar gjormiotët.
Lepenica: Banorët e fshatit Lepenicë mbasi njihen me projektin e HEC-ve mbi lumin Shushica, i përshkallëzojnë ndjesitë e mendimet dhe kërkojnë të dëgjohet zëri i tyre deri në REFERENDUM popullor!
Brati: Atje ku nisi kjo shkëndijë e së drejtës civile, shumë të shqetësuar mblidhen e gjykojnë se ç’do të ndodhë në qoftë se mbi Urën shekullore të Bratit do të ndërtohet diga e si rrjedhojë HEC-et mbi Shushicë. Ia vlen për lumin, po për banorët, po për kulturën, urën, ambientin rreth saj me gjithçka ka ofruar natyra, historinë e këtij vendi e këtij lumi…!? Vetëm ndërtuesi që e ka marrë me koncesion fiton, e, në këtë rast atij nuk i duhet asgjë nga sa shkruam më lart a nëse preken interesat e banorët, por mjafton që fuqia e atij uji e kanalizuar në tubo t’i kthejë në lekë për atë dhe këdo që ka abuzuar mbi këtë projekt. Banorët janë ndërgjegjësuar se është dhe në dorën e tyre ndërtimi apo jo i këtij HEC-i, falë dhe punës dobisjellëse për këto treva me fusha e male, me florë dhe faunë të pasur e specifike, Qendra mjedisore Vizioni i Gjelbër, e cila kohë pas kohe e hap pas hapi, sistematikisht i ka paraqitur e vijon të prezantojë banoreve të fshatrave të Lumit studimet për ndikimin në mjedis, ekonomi, bujqësi, shëndet, histori dhe trashëgimi kulturore dhe turizëm të ndërtimit të HEC-eve mbi lumin e Shushicës.
Jo hidrocentrale në Lumin e Vlorës! Nga vëzhgimi me pjesëmarrje në terren, na rezulton se të gjitha fshatrat e Lumit të Vlorës që preken nga projekti i HEC-eve: Brataj, Lepenicë, Gjorm, Gumenicë, Kotë, Lapardha, Mavrovë, Vodicë, Drashovicë, janë KUNDËR ndërtimit të HEC-eve. Sipas anketimit të realizuar me 602 persona rezidentë të moshës mbi 18 vjeç në 9 fshatrat rezulton se:
– Janë dakord për HEC vetëm 19 persona, ose 3.2% e popullatës.
– Janë kundër ndërtimit të HEC 583 persona, ose 96.8% e popullatës, e cila jeton aktualisht në këto 9 fshatra, që lagen nga Shushica e kulluar. Këta banorë autoktonë në ato troje nuk i kanë rënë e nuk i bien kujt në qafë dhe nuk lejojnë t’ju bjerë kush në qafë. Kushdo qoftë!