Aksionet e demokracisë në Shqipëri janë lëkundur

656
Sigal

Analizë nga Vangjush Saro/ Kemi nevojë për lirinë që të ndalojmë abuzimet e shtetit, përvojat e hidhura me tranzicion dhe neodiktaturën para dhe pas Edi Ramës… A është Rama si Emiljano Zapata që vë në rreth emrat e atyre që mendojnë ndryshe?

Para dhe pas Edi Ramës…

Vangjush Saro

Punët nuk po shkojnë mirë. Duke thënë këtë, shpresoj që argumentet e mëposhtme të jenë më bindëse se sa një fjali e trishtuar. Vendi ka humbur qetësinë; protesta e fundit e opozitës e tregoi këtë edhe njëherë. Janë vënë në diskutim: Çelja e negociatave, stabiliteti, investimet, vazhdimi i reformave e, së fundi, edhe vetë qetësia publike. Me apo pa përgjegjësi për çka ndodh, pozitë e opozitë janë në udhëkryq. Në udhëkryq ndodhet pak a shumë edhe vetë kryeministri, z. Edi Rama. Ajo që më bën përshtypje, është kuturisja e një sërë intelektualëve për ta stigmatizuar me doemos, kundërshtia e thellë dhe këmbëngulëse ndaj tij e shumë miqve a kolegëve, ndonjë herë krejt jashtë politikës dhe interesave që mund të drejtonin aksh qëndrim. Përtej çdo subjektivizmi, le të themi se, ndërkohë, aksionet e demokracisë në Shqipëri janë lëkundur. (“Kemi nevojë për lirinë që të ndalojmë abuzimet e shtetit dhe kemi nevojë për shtetin që të shmangim abuzimet me lirinë.” K. Popper)

Po përpiqem të shoh më qartë në këtë krizë të vendit tim, të kryeministrit dhe të opozitës.

Përvoja të hidhura me tranzicion dhe neodiktaturë

Edi Rama është rritur dhe edukuar në një familje nga ato që nuk e shkonin jetën keq në rendin tjetër, madje për disa…‘pranë Bllokut’. Disi konfuz (mbase edhe pak anarkist) në kontributin e tij për rrëzimin e diktaturës. Në vitet kur qeveriste Partia Demokratike dhe jetës së shtetit e asaj të qytetarit, ia jepte tonin Sali Berisha, për mirë a për keq, Edi Rama, studenti rebel, piktori ekstravagant, pedagogu pa paragjykime e me sytë nga Perëndimi, provoi publicistikën; dhe me shumë sukses. Shkrimet e tij kundër tiranisë e tranzicionit pa sens, ishin brilante; ato ndonjëherë linin pas punët që lidheshin me profesionin e tij të parë. Ai trajtonte tema të rëndësishme, shkruante thellë dhe fort, qartë dhe prerë, me një shqipe që shumë shkrues mjeranë, të asaj apo kësaj kohe, mund ta kenë zili. Ato shkrime dhe armiqësia e tij me drejtuesit e Partisë Demokratike e të shtetit, përkitazi me vetë Sali Berishën, u bënë shkas që ai të përndiqej, madje pothuaj i dha ‘lamtumirën’ kësaj jete pas një rrahjeje barbare nga njerëz të SHIK-ut apo edhe ndjekës të verbër të Partisë Demokratike e të z. Berisha.

Të mos harrojmë që në ato kohë (në rendin e ngjarjeve që përmend, mund të ketë invers) u burgosën gazetarët Aleksandër Frangaj e Martin Leka të gazetës “Koha jonë”, por edhe Arben Duka; u kërcënuan dhe u proceduan gazetarë të “Zëri i Popullit”; u arrestuan disa gazetarë e anëtarë të redaksive të gazetave kundërshtare, midis të cilëve mbaj mend se u ndalua në shtëpinë e tij edhe Ilir Keko, i cili u shprangos me këmbënguljen e drejtuesve të PSD-së. Më pas, erdhi gjëma e madhe e djegies së gazetës “Koha jonë”, përmes një dhune e represioni që i shokoi shqiptarë e të huaj dhe hodhi në pasiguri të jetës e të shëndetit gazetarin, Zamir Alushi.

Në atë vazhdë, rrahja barbare e Edi Ramës, në një natë kur ai thërriste për ndihmë e askush nuk iu gjend, ishte një tjetër kulm i egërsisë së pushtetit të atëhershëm. Si edhe vjedhja e votimeve (disa herë) dhe rrahja e politikanëve, në shesh – 26 maji i (pa)harruar- apo tinëz (Ndre Legisi, Teodor Keko, Arben Imami etj.) Si edhe përndjekja e ish-Kryetarit të Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi, më pas edhe e vetë bashkëthemeluesit të Partisë Demokratike, Azem Hajdarit etj. Pra, krahas disa arritjeve të padiskutueshme, me raste, kishim të bënim me njëlloj neodiktature.

Këto ndodhnin ndërkohë që sulmoheshin dhe urreheshin haptazi ambasadorët e SHBA-ve, shpesh edhe ata të BE-së. Aleatët e Partisë Demokratike, realisht ish-drejtues të saj, që iknin e vinin, ikin e vijnë, në një lojë për të qeshur, që nga Tritan Shehu dhe Eduard Selami te Dashamir Shehi e ndonjë tjetër (që Berisha i quajti atëherë ‘karrigethyerit’) pastaj z. Ndoka e z. Duka dhe shumë emra e detaje të tjera të pashpresë, na flasin sot për një vodevil të dalëboje, i cili nuk dihet se kur do ta ulë perden; edhe pse aktorët janë të rraskapitur e të zhveshur, nga brenda dhe nga jashtë.

Pse mund të (mos) ‘ikë’ Edi Rama

Të gjithë e dimë atë historinë domethënëse të Emiliano Zapatës, fshatar kryengritës, që ata të qeverisë e të juntës ia vinin emrin në rreth; por më pas, ai vetë vuri në rreth emrin e njërit prej kundërshtarëve që po ankoheshin e po i bënin presion në zyrë që… të vinte drejtësi. Edi Rama hyri në politikë e në qeverisje me daulle të madhe, punoi fort në mandatin e parë si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, foli për ‘kthim në identitet të kryeqytetit’ etj, por shpejt shkoi edhe ai në ‘fis’. Fjala nuk është për fisin familjar, se unë nuk jam nga ata që merrem me familjen dhe të atin, një artist dhe njeri i mirë e, sa për punët me Kuvend Popullor, të gjithë e dinë – por disa kapen pas akteve formale e përgjegjësive historike të të tjerëve – të gjithë e dinë pra, që artistët dhe sportistët më të mirë zgjidheshin atje për ‘garniturë’… Kur thashë ‘fis’, kisha parasysh zhytjen e gjithë politikanëve shqiptarë (se mos vetëm ata) në lloj-lloj aferash e abuzime. Një nga ndërtuesit (më duket, Dine Fratari) ia tha hapur z. Rama që i kishte kërkuar aq e kaq. Por dita që vinte, qielli ngrysej edhe më. Akuzat ndaj tij, si kryetar bashkie dhe prapë edhe si kryeministër, janë bërë pak si shumë… Hë? E minimizova, se më vjen keq, të jem i sinqertë; kisha menduar se do bënte ndryshe nga të tjerët. Por ja që ‘bërtasin’ kostot absurde të rrugëve dhe tenderët që na i fitokërkan kompani… të sapokrijuara. Dhe policia, jo një herë, tregon aq shumë egërsi, deri edhe me gratë dhe fëmijët. (“Asnjë nuk është më gënjeshtar, se sa një njeri i zemëruar.” F. Niçe). Ata që s’paguajnë dritat dhe ca plaka që shesin zarzavate në rrugë, shkojnë në burg ose ‘përballen’ me policinë. Kriminelë të regjur e abuzues të shumave të majme lihen të lirë; ose ‘lehtësohen’ nga mëkatet, madje hyjnë në Kuvend(!) Këto nuk shkojnë më. Ishin të gjitha mundësitë që disa gjëra të ndryshonin. Siç ndryshuan për mirë disa të dhëna për ekonominë; siç ndryshoi pozitivisht shërbimi në shumë zyra të qeverisë e të institucioneve; siç ndryshoi edhe sjellja me protestuesit në disa raste; siç ndryshoi shoqërimi i kryeministrit nga pakkush ose nga askush. Por janë pak. Ndryshime. Duket se abuzimet rëndojnë më shumë për momentin; kur zërat për largimin e kryeministrit janë shtuar. E përveçse prej kësaj ngarkese, që tashmë është rënduar tejet – prandaj, ai vetë, shpesh, humbet qetësinë dhe zihet dhëmb për dhëmb me mediat, me kundërshtarët politikë dhe ata të fejsbukut, etj. -Kryeministri mund të ikë, gjithashtu, sepse praktikisht, Kuvendi është tashmë një institucion ku përkohësia s’mund të fshihet. Mbase formalisht ka pajtim me këto zëvendësime e rreshtime të reja, në emër të ligjit e rregullores; por gjithsesi, kjo gjendje e re e institucionit, është një mekanizëm që kërcet. Keq.

Sofizma e llafe, kurse koha është për… fjalën

Një nga pyetjet që shtrohen përpara PS-së, politikës në përgjithësi, por pse jo, edhe përpara opinionit të gjerë, është pikërisht kjo: “Po çfarë vjen pas Edi Ramës? Kush dhe çfarë vjen, nëse zhvillimet do ta nxjerrin atë jashtë loje?” Kështu, ndoshta etapa e qeverisjes me ‘të fortë’ a thjesht autoritariste, do të merrte fund. Dhe vendi hynte në një etapë tjetër, për nga sistemi dhe treguesit e demokracisë.

Por le të bëjmë një tjetër ‘frenim’ në këtë ‘tatëpjetë’. Mund të duket si sofizëm, por përveç shumë arsyeve të tjera, qëndresa e socialistëve dhe e kryeministrit të tyre, lidhet edhe me shkaqe subjektive. (“Në histori, momentet gjatë të cilave arsyeja dhe pajtimi mbizotërojnë, janë të shkurtra dhe të papërfillshme”. S. Cvajg) Nëse kryeministri bie, largohet, ikën, atëherë do të krijohej përshtypja që kundërshtarët e tij, më së pari Sali Berisha, le të themi edhe Lulzim Basha e Monika Kryemadhi, paskëshin pasur të drejtë për çdo gjë, prandaj edhe ‘fituan’; se kështu do ta quajnë, në mënyrë propagandistike atë që mund të ndodhë; e mund të kenë njëlloj epërsie paskëtaj. Pra,e gjithë kjo, është deri diku edhe një provë force; mes partive, por edhe mes individëve me shumë pushtet. Të mos harrojmë që një rol stabilizues do të luajnë aleatët, SHBA dhe BE, të cilët duket se nuk shohin ende shkaqe madhore, emergjencë, për të ‘bekuar’ këtë ndryshim. E vërteta është që kundërshtia e shoqërisë shqiptare është rritur tejet. Por ndërkohë, është po kaq e vërtetë që opozita nuk shfaqet bindëse. S’është vendi të zgjatemi me konsiderata vetjake, për partitë në opozitë dhe drejtuesit e tyre. Po mjaftohem me disa pak argumente. Opozita – dikur kam publikuar një shënim me titull “O(h)pozita!” – ka nxjerrë në ‘skalion’ të parë ‘të fortët’, grindavecët, llafazanët, ata që janë ‘dyst’ për nga formimi dhe kultura, etika gjithashtu. Ndonjë nga njerëzit e qetë e me njëlloj mëvetësie, si Eduard Selami apo Majlinda Bregu, nuk duken andej pari. Ekspertët gjithashtu janë në hije. S’mund të themi se nuk duhen edhe njerëz të ‘veprimit’; por më së pari, këto lëvizje kërkojnë mendim, alternativë, pra e gjithë kundërshtia duhej përcjellë përmes zërit të ekspertëve të fushave, në mënyrë që qytetarët të binden se qeveria socialiste është duke gabuar apo nuk po bën atë që duhet, atë që kishte marrë përsipër, etj. Nëse është kështu. Mendoj se socialistët dhe kryeministri i tyre nuk do të zbythen pse opozita dogji mandatet dhe mund të djegë edhe ndonjë send tjetër këtë herë, duke protestuar edhe më tej. Ndoshta mund të ndodhë që pas zgjedhjeve vendore të këtij viti e, në varësi të tyre, ata të marrin një vendim, për veten dhe kryeministrin e tyre. Por (pushteti ofron mundësitë e veta, sado të dyshimta) gjasat janë që socialistët të mos dalin keq në ato zgjedhje; dhe kështu mund të inspirohen të shtyjnë mandatin deri në zgjedhjet e përgjithshme. Pra, mund të kemi edhe një shtyrje të absurdit të tanishëm, me qetësi false e Kuvend fals, me monotoni përplasjesh etj., situatë që prapë nuk do të prodhojë as zgjidhje, as zgjedhje. Çelja e negociatave,stabiliteti, investimet, vazhdimi i reformave e, së fundi, edhe qetësia publike mbeten peng i kësaj situate. Udhëkryqi për të cilin fola më lart, nuk është vizion, e as metaforë; jemi aty, të gjithë… Jemi të detyruar t’i kthehemi fjalës.