Akademiku Artan Fuga: Rrëzohen procedurat totalitare për kapjen e Akademisë së Shkencave

582
Unë e pranoj sfidën. Rebelohem, sepse kam të drejtë!
Sigal

Platforma ime për reformimin e Akademisë së Shkencave, e quajtur sot nga z. Kryeministër, si platformë rebele, është minoritare në Akademinë e Shkencave, është e censuruar, e shkelur me këmbë në mënyrë totalitare atje, e keqtrajtuar nga ministria e Arsimit që është bërë palë, me ose pa dashje me përgjegjësit e rrënimit të Akademisë së Shkencave, por jam i bindur se platforma që propozoj do të ketë përkrahjen e komunitetit shkencor të vendit. Po, është platformë që ngre krye ndaj dokumenteve të vjetruar që ka prodhuar grupi i punës i ministrisë së Arsimit. Unë do ta çoj betejën deri në fund, qoftë dhe i vetëm, edhe kundër interesave të mia personale dhe pa u ndaluar asnjë sekondë. E falënderoj gjithsesi z. Edi Rama që pranoi të rikthejë mbrapsht një projektligj që tashmë ministria e Arsimit e kishte pranuar si version të vetëm me procedura totalitare dhe të mbrapshta, me të cilat pastaj nuk votohen veçse ligje të këqij.

Beteja vazhdon!

Fjala e plotë e kryeministrit z. Edi Rama dje në Akademinë e Shkencave

Sinqerisht faleminderit për ftesën, për të qenë i pranishëm në këtë moment ceremonial të dorëzimit të një çmimi shkencor për veprën dhe autorin më të mirë, vendas dhe të huaj, në lëmin e studimeve mbi Gjergj Kastrioti Skënderbeun, pikërisht në Vitin Mbarëkombëtar që kemi pagëzuar me emrin e tij. Ernest Koliqi pat shkruar dikur se Evropa çuditej me bëmat kokëkrisura të prijësit shqiptar. Emri i tij, i rrethuar nga një aureolë mitike, kaloi nga një vend në tjetrin. Veprimtaria e sotme është vërtetë për t’u parë me shumë mirënjohje, jo thjesht për ata që e organizuan, por, mbi të gjitha, për autorët që i kanë përkushtuar kohë, energji dhe angazhim figurës së Skënderbeut, në një lëmë ku e vërteta është, se kemi shumë prapambetje. Më vjen shumë mirë që Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut u bë një lloj sebepi për t’i nxjerrë në pah veprat dhe autorët e tyre si dhe për të dhënë një shenjë kuptimplotë se, pavarësisht varfërisë që ka pllakosur në të gjithë terrenin e veprimtarisë shkencore të të gjithë viteve pas shthurjes së kësaj Akademie, mbetet shpresë. Nga ana tjetër, unë ju kërkoj ndjesë dhe leje që të mos bëj kurrsesi njeriun që shfrytëzon mundësinë e postit të lartë, për të predikuar mbi veprat dhe mbi cilësitë e tyre, pasi s’është kjo as detyra, po, mbi të gjitha, as aftësia ime, por ta shfrytëzoj këtë moment komunikimi për të shprehur një lloj kënaqësie të moderuar lidhur me faktin që, sot jemi në një fazë kur mund të shikojmë dritë në fund të tunelit për sa i përket reformimit të Akademisë së Shkencave. Më në fund, gjërat dhe forcat u vunë në një lëvize, të vonuar për shumë e shumë vite dhe më vjen shumë mirë që, sot që flasim, jemi përballë një pune të kryer me zell dhe me përgjegjësi nga grupi i ngritur për të propozuar këtë reformë, nën drejtimin e Profesor Gjinushit, por edhe përballë një platforme alternative, të propozuar nga Profesor Artan Fuga. Nëse do të qëndronim strikt proceduarialisht në raport me tekstin e reformës, atëherë do duhej që të falënderonim Profesor Artan Fugën për kontributin e tij, po të ecnim përpara, pa u ndalur asnjë sekondë, me tekstin e sjellë nga grupi i punës. Mirëpo ajo që ne na duket më e arsyeshme është, që të ndalemi një sekondë. Të ndalim një sekondë dhe të nxisim një ballafaqim mes këtyre dy alternativave, pavarësisht se njëra është, le të themi, e veshur me petkun zyrtar, kurse tjetra vjen si kontribut nga një anëtar i Akademisë dhe t’ia lëmë diskutimit mes jush dhe me ju drejtimin e mëtejshëm, pasi, mbase në platformën e grupit të punës gjithçka është siç duhet, por mbase në platformën alternative ka gjëra për t’u marrë në konsideratë. Mbase platforma alternative është më e mirë se ajo e grupit të punës. Pra, nuk janë gjëra që, besoj unë, na takon t’i themi ne, t’i them unë apo ministria. Por e shoh me shumë rëndësi që në fund askush të mos paragjykojë rezultatin dhe të mos ketë një ndarje, për shkak se njëra platformë, si të thuash, pati mbështetjen e qeverisë dhe tjetra erdhi në një formë rebelimi ndaj saj. Ma ha mendja se nga kjo vetëm fiton procesi, fiton Akademia që duam për nesër dhe ma ha mendja se në fund të fundit, disa gjëra kanë marrë udhë. Ajo çka na duhet është që t’i konsolidojmë në kornizën që pastaj do t’i shkojë Kuvendit të Shqipërisë, për të kthyer në ligj draftin e reformës, që në rastin e Akademisë së Shkencave, më shumë, besoj, se në shumë raste të tjera, nuk mund të jetë i imponuar nga lart, por është domosdoshmëri që të vijë si një ndërveprim mes Akademisë së brendshmi dhe pastaj qeverisë, apo Parlamentit me vetë Akademinë. Çka është inkurajuese është që në platformën e propozuar nga grupi i punës ka disa elementë që janë realisht të kërkuar nga koha prej shumë kohësh dhe gjetja e dakordësisë mbi këta elementë përbën një gur themeli për ecurinë e Akademisë së Shkencave në të ardhmen. Dua ta ngre këtu shqetësimin shumë serioz, që shpresoj të adresohet e të mos mbetet klithma në shkretëtirë e kryeministrit të radhës, e qeverisë së radhës, apo e konstatuesve të radhës. Shqipëria është e fundit në rajon në aksesin në fondet evropiane për kërkimin shkencor. Serbia ka fituar 90% të projekteve që ka çuar për aplikim. Maqedonia 80% të projekteve që ka çuar për aplikim, ndërkohë që Shqipëria vetëm 4.5%. Paraja është një bazë pa të cilën nuk mund të bëhet puna, por, nga ana tjetër, aksesi në fondet që janë në dispozicion nuk garantohet me para, garantohet me dije. Në këtë aspekt, besoj që Akademia e së nesërmes duhet të bëjë ndryshimin e madh, për të krijuar mundësi që në rrugët e njohjes dhe të dijes, Shqipëria të ketë shumë më tepër kapacitete thithëse për fondet e Bashkimit Evropian, që në fund të fundit janë të pakrahasueshme për nga sasia e mundshme me çfarëdo fondi që vendet e rajonit tonë i dedikojnë drejtpërdrejtë nga buxheti kërkimit shkencor. Nuk krahasohen, janë shumë më tepër në të gjitha rastet. Ajo që vlen të nënvizohet në këtë rast është diçka shumë kuptimplotë, lidhur me fondet e Bashkimit Evropian, në tërësi. Vendet më të pasura janë ato që thithin më shumë fonde, jo se kanë më shumë fuqi vendimmarrëse, sepse xhepat janë të ndarë. Nuk është se Gjermania apo Austria që është kampione, është e para, apo të tjera vende si këto, ngaqë kanë fuqi, fusin duart në vendet e xhepat e tjerë. Jo, çka është në xhepin e Shqipërisë mbetet aty e paprekur. Çka është në xhepin e Serbisë, apo të Maqedonisë, apo të Bullgarisë mbetet aty e paprekur dhe parafytyroni që diferencat janë kolosale. Pse? Sepse vendet e pasura dinë më shumë. Vendet e varfra dinë më pak dhe në fund të fundit, kjo është ajo që bën diferencën mes të pasurve dhe të varfërve. Ajo që di, jo ajo që ke. Në këtë aspekt, prapambetja jonë, unë besoj lidhet me të gjithë rrënimin që i ka ndodhur gjithë ngrehinës së kërkimit shkencor në Shqipëri, për vite e vite të tëra, përveç të tjerash dhe, ma ha mendja, se mund të adresohet përmes një Akademie të reformuar dhe të bazuar në disa parime të reja që, më vjen shumë mirë, kanë një dakordësi të gjerë mes atyre që kontribuojnë drejtpërdrejtë për Akademinë dhe për kërkimin shkencor. Dua t’ju informoj, për ata që mbase nuk e dinë, se Ministria e Arsimit do të konkretizojë brenda këtij viti, është pjesë e kalendarit të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, edhe bursën dhe kursin e ekselencës “Robert Elsie”, si dhe do të kontribuojë për të përmbyllur botimet e Vitit të Skënderbeut dhe aktet e Konferencës Ndërkombëtare Albanologjike që qysh prej muajit qershor, realisht ka dhënë një sinjal inkurajues shprese dhe në një farë mënyre meriton, jo vetëm të mos tretet, po të mbetet në botime, por edhe të shikohet si një burim reference të mëtejshme për vitet e ardhshme. Ne do të bëjmë jo gjithçka duam, por gjithçka mundemi, sado që të mundemi, me të gjithë dëshirën dhe me të gjithë vullnetin për ta lehtësuar rrugën e vështirë të kërkuesve shkencorë. Por ajo çka na duhet është që kërkuesit e vërtetë shkencorë të kenë vendin që u takon e këtë mund ta garantojë reforma e Akademisë së Shkencave, në radhë të parë dhe një funksionim tjetër, krejt ndryshe, i Akademisë së Shkencave në shërbim të atyre që janë kërkuesit dhe jo mashtruesit shkencorë dhe që pastaj do të tërheqin pas vetes e më të rinj e të reja që do të mund t’i përkushtohen kërkimit shkencor, duke parë që kërkimi shkencor dhe kërkuesit shkencorë respektohen me të vërtetë brenda mundësive që janë. Edhe një herë shumë faleminderit për ftesën dhe të gjithëve, shumë faleminderit! Mbi të gjitha, për durimin.