Akademiku Artan Fuga: Çfarë lidhje kanë Ismail Qemali, Bedri Spahiu dhe z. Babale-Albert Veliu

458

Çfarë lidhje kanë këta personazhe me njeri tjetrin? Sigurisht asnjë.

Ismail Qemal Vlora themeloi shtetin shqiptar. I përulemi babait tonë politik! Bedri Spahiu, pas një lufte me okupatorin dhe tradhtarët e kuislingët, u bë xhelati në emër të diktaturës, dhe pastaj u dënua rëndë nga ajo, duke bërë pendesën publike në vitet ’90. Zoti Albert Veliu – Babalja dihet se kush është, Nuk ka nevojë për ta prezantuar, sepse është personazhi më i pranishëm dhe më interesant (më i dashuri) në ekranet tuaja të televizionit. (Unë televizorin tim e mbaj në frigorifer – dihet tashmë).

Çfarë i lidh pra këta tre personazhe të njohur të historisë shqiptare?

Ja u them unë. Sa herë del z. Albert Veliu, alias Babalja, në ekrane, apo incizime nga ai ose nga të tjerë që thonë se janë ai, më kujtohet Bedri Spahiu, i ndjerë. Aty nga viti ’50 e ca, në burgjet e rënda të monizmit, Bedri Spahiu i thirri mendjes dhe pati një ndriçim. Kuptoi se sistemi për të cilin ai kishte kontribuar duke gjakosur të tjerët do ta bënte mal pirgun e viktimave të tij. Në burg ai kupton një të vërtetë të madhe. Të burgosurit e tjerë depononin në biruca dhe nën torturë ose me premtime lirimi, për hir të ndonjë privilegji të vogël, kundër njerëzve që ishin jashtë. Sa herë dikush me pushtet që ishte jashtë donte të lante hesapet me ndonjë konkurrentin e tij, e niste çështjen duke marrë ose krijuar deponime false ose të vërteta nga të burgosur në qeli. Kollaj të gjendej një njeri tashmë në hall dhe në duart e shtetit për ta shkundur si batanije që të jepte deponime të vërteta apo të gënjeshtra kundër atij që ende në liri, po i përgatitej qelia apo skuadra e pushkatimit.

Duke kuptuar këtë Bedri Spahiu lëshon piskamën nga qelitë në një letër që i dërgon Mehmet Shehut, ku pak a shumë shkruante që, nëse ata që janë jashtë burgut duan ta gëzojnë lirinë, ka vetëm një fillesë: Duhen mirëtrajtuar “armiqtë”, të burgosurit, qofshin këta politikë, ordinerë, si vjedhës të vegjël apo brigandë të mëdhenj. Vetëm kur ata që kanë rënë në hall me shtetin do të kenë të drejta, dhe do të trajtohen si njerëz, vetëm atëherë ata nuk do t’i përdorë çdo gardian burgu sipas qejfit të vet kundër njeri dhe tjetrit dhe atyre që ndodhen përkohësisht jashtë burgut.

Liria nis me të drejta për ata që kanë hall me shtetin, pra me ata që ndiqen nga policia, që janë në burg, apo që kanë probleme me ligjet.

Qytetari mund të ndihet i lirë vetëm kur i burgosuri të ketë të drejta. Ja përse qytetari është më i interesuar edhe sesa vetë njeriu që ka probleme me drejtësinë, që ky i fundit të mos merret nëpër këmbë, të mos dhunohet psikologjikisht, të mos shkelet me këmbë, të mos i nxirret boja nga hetuesit ose gazetarët e propagandistët.

Por, çfarë lidhje ka letra e Bedri Spahiut me Ismail Qemalin?

Sepse në mendjen time pas tekstit të dorëheqjes të Ismail Beut, një monument politik ku parathuhen të gjitha gjëmat e dramat e shtetit shqiptar në këto njëqind vjet, letra në fjalë e Bedri Spahiut është dokumenti i dytë politik më i rëndësishëm në mendimin politik shqiptar. Pastaj vijnë edhe dy a tre të tjerë, sepse pjesa tjetër është ulërimë nëpër mitingje.

Ismail Beu mbeti për mua i famshëm jo aq me ngritjen e flamurit, por me dorëheqjen e vet. Na tregon se çfarë na ka ndodhur dhe çfarë na pret!

Bedri Spahiu nga qelia i thërret Mehmet Sehut: Liri dhe të drejta për “armiqtë” se përndryshe të gjithë do të përfundoni këtu te unë. Të drejtat për të burgosurit janë themeli i lirive qytetare.

Dhe ja së fundi, hallka ku mbahet sot ekuilibri i shtetit shqiptar, z. Albert Veliu – Babalja me miqtë e tij, që lëshon deklarata kontradiktore. Mirë bën. Ai do të shpëtojë nga belaja me shtetin. Sepse nuk ka të drejta të mjaftueshme.

Mirëpo te të drejtat që duhet të gëzojë Babalja, Alizoti, etj., qëndron themeli i lirive qytetare – do të thoshte mendimtari politik me shumë të drejtë.

Prandaj kujdes kur i marrim nëpër këmbë, kur i keqpërdorim, kur nuk u respektojmë të drejtat që duhet t’i kenë me ligj, kur i ofendojmë a thua se veç deputetëve, gazetarëve, profesorëve dhe ca opinionistëve, pjesa tjetër e shoqërisë, veçanërisht ajo që ka probleme me ligjin, nuk duhet trajtuar njerëzisht.

Ja pra sepse z. Albert Veliu – alias Babalja – më kujton Bedri Spahiun – alias bilbilin e Labërisë, dhe ky i fundit me letrën e tij nga burgu (perlat shkruhen gjithmonë në burg) më kujton Ismail Bej Vlorën, alias Ismail Qemalin.

Si duket më mirë, më shpejt, se ne, gjykatësi kosovar që e la në gjendje të lirë zotin Babale, e ka kuptuar edhe Ismail Qemalin dhe Bedri Spahiun.

Jemi pak si rrota ne!