Akademik Artan Fuga: Ndëshkim që do të shtonte kandidaturat për azil politik!

538
Sigal

Kujdes!

Vendosja e dënimit për të mos u lejuar të dalin nga Shqipëria personat që prishin proceset elektorale, prishje të të gjitha llojeve dhe formave, bie në kundërshtim me penitencën penale moderne, e cila pranon vetëm tre lloje dënimesh:

  1. Izolim për një kohë nga shoqëria;
  2. Punë në shërbim të komunitetit;
  3. Dënim me kusht.

Të tjera lloje dënimesh janë shkelje të të drejtave njerëzore dhe e bën vuajtësin e dënimit një kandidat për azil politik në Perëndim!

Pastaj dënimi duhet të ketë karakter edukativ! Çfarë karakteri edukativ ka që të dënohesh për të mos kaluar kufirin? Je i padëshirueshëm për vendet e tjera? Por, atëherë këtë dënim duhet ta japin ato vende!

Kjo krijon kushtet për rimbushjen e oborreve të ambasadave me kandidat për azilantë politikë si Popajt dikur etj.

Për respektimin e ligjit patjetër, pa asnjë diskutim, nga të gjithë, sipas Kushtetutës së Shqipërisë dhe kompetencave të çdo institucioni që ajo ka akorduar, por kujdes, territori i atdheut nuk mund të trajtohet si një burg i madh në ajër të hapur, pra si një kamp përqendrimi, edhe kjo mendoj që nuk është një konceptim i drejtë dhe i pranueshëm.

Ka juristë apo jo Shqipëria?

Apo janë të zënë me marrje çmimesh, me qoka, dhe me OJF, duke marrë projekte të majme?

Kujdes me logjikën e ndëshkimit penal dhe me abuzimin e forcës së shtetit. Nuk mund t’i heqësh askujt drejtpërdrejt si dënim një të drejtë kushtetuese bazike sikurse është e drejta e qarkullimit të lirë!

Ta zëmë t’i dënosh të burgosurit me moslexim librash ose mediash!

Apo me heqjen e të drejtës për të votuar!

Më kujtohet teksti më i madh i filozofisë politike i Bedri Spahiut, shkruar në burg, ku ai pak a shumë thekson: I liri është i sigurt në lirinë e tij, vetëm atëherë kur i burgosuri ose i dënuari gëzon edhe ai të drejta të mbrojtura me ligj dhe në mënyrë shumë korrekte!

Kushtetuta dhe parimet e nenet e saj janë edhe për të lirët edhe për të ndëshkuarit!

Një ligj apo formë ndëshkimi penal nuk mund të vijë në kundërshtim me Kushtetutën!