Sigal

Nga Andi Bushati

Ka një strategji ngjashmërisht të frikshme mes atyre që mbrojtën shembjen e teatrit dhe atyre që kanë shndërruar në kauzë rrafshimin e shtëpive tek Unaza e re. Të gjithë gazetarë, analistë dhe media pranë pushtetit janë të gatshëm të flasin për gjithçka: për moralitetin e zaptuesve të vendosur dy dekada më parë në Tiranë, për teoritë e zhvillimit të qytetit, për interesat e Lulzim Bashës në këtë çështje, për burrat e munguar të polices së plagosur Ina dhe për mënyrën se si ka proceduar qeveria Berisha në raste të ngjashme.

Njësoj si në debatin për teatrin kur ishin të gatshëm të diskutonin nëse duhet përkrahur risia apo mbrojtur tradita, ka të drejtë Asqeriu apo Ndrenika, është duke u shembur apo mund të rrezistojë, shkakton apo jo kancer, po njësoj edhe tani, të gjithë mbrojtësit mediatikë të qeverisë janë të gatshëm të flasnin për gjithçka.
Por vetëm për një gjë askush nuk guxon të shprehet.

Kam lexuar me dhjetra shkrime, kam qëmtuar me qindra qëndrime në debatet televizive, por kam vërejtur me çudi që të gjithë fshehen përballë pyetjes: ka apo nuk ka vjedhje?

Askush, po askush deri më tani, edhe mbrojtësit më fanatikë edhe ata që paguhen legalisht nga bordet e qeverisë edhe ata që ushqehen në mënyrë okulte prej saj, nuk ka dalë e t’i vërë gjoksin për të mbrojtur “duart e pastra” të atyre që qëndrojnë pas këtij projekti.

Të gjithë ata që janë të gatshëm të mbështesin dyshen Veliaj – Rama me çdo loj cirku dhe të denigrojnë me po të njëjtin zerll, trinomin Berisha, Basha, Kryemadhi i anashkalonë disa pyetje të thjeshta…

Si ka mundësi të paguhen 40 milionë euro për 4.2 kilometra?

Po, mirë, pavarësisht se kjo s ‘ndodh në asnjë vend normal të botës, le ta prqanojmë se po ngjan këtu. Le ta pranojmë edhe edhe se këto kosto qenkan reale. Po si ka mundësi që për këto 40 milionë projekti është dhuruar gratis?

Si ka mundësi që ai që ka bërë ‘donacionin” qenkësh porositur prej njërës prej firmave që më pas ka rezultuar fituese?

Si ka mundësi që nuk u kërkua një projekt alternativ që ndoshta parashikote një kosto më të ulët?

Si ka mundësi që krejt papritmas, kundër planeve dhe projekteve të miratuara, gjërësia e rrugës u rrit ndjeshëm? Mos vallë se kompanive ndërtuese u duheshin më shumë para?

Si ka mundësi që nuk u zhvillua një garë reale për të ndarë 40 milionë euro, por në të treja tenderimet u paraqit një kompani fallco me ofertë zero, si vëllezërit Hysa?

Si ka mundësi që u mbyllën sytë për subjekte të cilat ligji shqiptar i pengon të hyjnë në garë dhe si u shpallën fituese kompani të regjistruara në parajsat fiskale?

I gjithë ky enumeracion pyetjesh i shton shumë dyshimet se te Unaza e re nuk kemi të bëjmë me një aferë të pastër dhe të ndershme.

Prandaj, të gjithë ata që duan ta mbrojnë qeverinë janë të gatshëm të flasin për gjithçka, vetëm kësaj njolle nuk i vënë dot gjoksin. Lexojini shkrimet e tyre, vëzhgojini paraqitjet e tyre në TV, analizojini kronikat që bëjnë dhe do të kuptoni se kush rrefuzon të shprehet për këto pyetje (qoftë edhe duke mbrojtur qeverinë) është duke ju gënjyer.

Është fiks njësoj si me historinë e Tetatrit Kombëtar, që kush hiqej si idhtar i Tiranës moderne, si dashnor i famës së Bjarke Ingels, si kundërshtar i trashëgimisë fshiste, nuk qe asgjë më shumë sesa gardist i zellshëm i grabitësve Rama – Fusha.