Agim Jazaj: Dorëheqje apo “kokëheqje”?!

1126
Sigal

Vendi ynë i vogël përgjatë 3 dekadave, i përfshirë në shumë kriza të mëdha: Gropa nga pasardhësit që premtojnë udhëheqësit- udhëhumbës nuk është mbushur, por është thelluar edhe më shumë nga pasardhësit! Vetëm të verbëritë dhe të shurdhrit, nuk duan të shikojnë e dëgjojnë këtë hata: Vendi përveç shumë të tjerave gjendet: Pa gjykatë të Lartë, dhe pa Gjykatë Kushtetuese nga “RamaForma”; e ndjen çdokush, ngre gishtin edhe presidenti i vendit për kryeministrin e Rilindjes- shkaktar. Nëse do të hynim në logjikën minimale, edhe një njeri i thjeshtë që kërkon të rregulloj shtëpinë, përpara se të rrënojë, apo riparoj të vjetrën, do mendoj: Ku të fusë kokën… Po këta rrënues -rrënuan shtëpinë; Shqipërinë dhe nxorën njerëzit e shtëpisë në qiell të hapur, në palcën e dimrit…

“VETTINGU” nuk do të shkallmonte gjithë “Ngrehinën”, të hidhte në shesh, Gjykatat e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese, por krahas filtrit për largimin nga detyra të abuzuesve, paralelisht do të testohen dhe do të zgjidhte gjyqtarët e merituar, duke zëvendësuar e plotësuar numrin e tyre. Pra, nëse do të largonte dy gjyqtarë abuzues, ngelës në test, nuk do të vazhdonte vetëm me zbrazjen e institucionit, duke e çuar në ZERO, por paralelisht do të ruante numrin dhe funksionin e kësaj Gjykate, duke testuar me njëherë, për anëtarë të rinj në këto gjykata. Kështu numri i gjykatësve dhe Gjykatat do të ruante funksionalitetin. Po këtë formulë ndoshta e di edhe një i zakonshëm, dhe “nuk e njeh”, por rezulton e qëllimshme nga tabori i shqeverisësve…

Dhe vetëm më këtë Hata, qoftë dhe të pa qëllimshme, a mjafton- shlyhet me Dorëheqje?

Politikanët duhet të shohin edhe prapa malit, të paralajmërojnë qytetarët e gjakut të tyre; për llohën që mund të vij, po këta tanët; as shohin e as dëgjojnë, vetëm tunden e shkunden, përpara “kazanit”, sikur mbajnë në supe fatin e botës!…

Këto kohë nga mediat pamore dhe të shkruarat, opinion shqiptar ka dëgjuar e lexuar edhe një fakt të zakonshëm sa dhe gjurmëlënës, i jashtëzakonshëm për ne. Njerëzit me haberin minimal, sa i dëgjuan, shqyen sërish sytë, pse jo dhe bën krahasimin drithërues.

Spanja në harkun e katër viteve; ka bërë, realizuar tri zgjedhje të përgjithshme. Ky ishte ndër lajmet që u publikua e mori dhen në prag zgjedhje-vjedhjeve, farsë të 30 Qershorit. Garë pa garues! Edhe Tsipras, ish-kryeministër i Greqisë, fqinje përgjatë qeverisjes së tij, ka realizuar disa zgjedhje, por edhe votbesime… Madje rezultoi një humbës i Fituar dhe i Çmuar, ditë më parë, për reformat e realizuara, duke e nxjerr vendin nga krizat dhe jo duke i thelluar krizat. Ndoshta këto fakte, si lajme dhe referime mund të kenë kaluar pa ngacmim, pa lënë asnjë gjurmë, jo më tek shqiptarët e thjeshtë, por te politikanët- qeverisësit që kanë një “barrë me mend” dhe “mbajnë” mbi supe fatin e një populli, të tyre dhe të pasardhësve…Kush e sheh me sytë në ballë këto realitete përballë, në një vend të BE-s, ku synojmë dhe ëndërrojmë të hyjmë edhe ne, duhet të bëjmë edhe krahasimin, të marrim edhe modelin. Duke mësuar e marrë për referim privojnë, standardet e përparuara edhe për këtë fakt. I bie: Nëse Spanja ka bërë 3 zgjedhje në 4 vjet, krahasimi do të rezultonte: Ne shqiptarët me këto standarde: reformën dhe Ramaformën, i bie të realizojmë jo më 3 zgjedhje në 4 vite, por zgjedhje çdo vit, për të realizuar zgjidhje.

Bota, Evropa na jep modelin e aplikuar, standardet. Shembujt janë kuptimplotë, më bindës se sa fjalët.

Fjalët na mësojnë, shembujt na tërheqin e frymëzojnë!

Një temë e publikuar 15 vite më parë, na kthen pas kur gjëmat dhe bëmat e sotme të politikanëve, shtet-rrënuesve tanë s’kanë të sosur e molloisur! Ata shohin dhe numërojnë bëmat e djeshme, të harrojnë gjëmat e sotme, shohin halën në sytë e tjetrit, të mbulojnë trarin në sytë e tyre. Akuzojnë deri në kupë të qiellit paraardhësit, për të mbuluar zullumet e pasardhësit: “Ata deshën e shitën detin, këta desh shitën lumin dhe përroin”!…

A përbën precedent?! Të qarkullohen sa më shpesh elitat, të bëhen zgjedhje, qoftë dhe në një hark kohor të caktuar, me qeveri teknike? Sa më shpesh të pastrohet stalla e zgjebosur, pusi i veremosur, aq më shpejtë do pastrohet uji në fundin e pusit?…

Si shumë nostalgjik, besnik dhe me të pa besët, votojnë me instinkt partinë e pabesë, liderin pervers, që i pret edhe këta militant të verbuar në besë, duke mbajtur në robëri me votën qorre; të sotmen e tyre dhe të ardhmen e bijve dhe bijave, nipër e mbesave…Vota e instiktiv, vota qorre, po mban gjatë, me litarin në qafë një shoqëri të tërë,

Me këto mentalitete, kurrë të mos na hajë hunda, të hapet portë Evropa! “Elita” qeverisëse “synon” futjen e vendit në BE, po me këmbë të pista?!…

Politikanët, shtetarët tanë, nuk e njohin dorëheqjen, si një akt normal dhe minimal, të një politikbërësi, qeveritari, apo drejtuesi të shtetit.

Në gjithë harkun kohor të sistemit pluralist-pluralist pak dorëheqje shënohen në arkivën e politikës shqiptare. E para dorëheqje, shënohet ajo e ish kryetarit të partisë; “Republikane”, Sabri Godo. Nga një karrige e vogël, duke i hapur shtegun progresit, si një mesazh i madh. Godo edhe për këtë gjest, ka mbetur njeriu, politikani dhe shkrimtari i nderuar. Më pastaj është shënuar dorëheqja e ish kryeparlamentarit, Dokle: “Për rrezikun e “baronëve të drogës” dhe “Padrinove”, që kanosej në ato momente.

Në librin e dorëheqjeve shqiptare, janë shënuar dhe 4 ish ministra të ish “qeverisë Meta”, dy prej tyre të akuzuar nga kreu i P.S, për korrupsion. Edhe presidenti Meta ka dhënë dorëheqjen si kryeministër, i akuzuar nga, kryesocialisti, i kthyer më pas në tribunë, po nga akuzuesi. Madje ka dhënë dorëheqje edhe nga poste të tjera.

Ja modeli për t’u marrë për referim e frymëzim:

Kur jep dorëheqjen si kryeministre; Mei e Anglisë, kancelari i Austrisë, kryeministri i Greqisë, kryeministri i Danimarkës?…Ç’mbetet për kryeministrin e Shqipërisë?

Emigrantët shqiptarë në Greqi janë sa të befasuar dhe bëjnë krahasimin, kur vite më parë u akuzua nga opozita ish-ministri i zhvillimit Bujqësor dhe i Ushqimeve; Cituridhis për ndërhyrjen e djalit të tij, të transferohej nga ku studionte ne Kretë për në Athinë. Për kaq akuzë mjaftoi dorëheqja e ish-ministrit. Krahasimet janë drithëruese!

Njeri sa më i edukuar të jetë, aq më thjeshtë i kupton gabimet, veten!

Njeriu që bashkoi Gjermaninë të ndarë për gjysmë shekulli, ish-kancelari, Helmut Kol, i shënuar me historinë e tij dhe në historinë botërore, bëri edhe veçimin e tij nga politika, duke mbetur qytetar i madh i kombit të madh dhe për këtë veçim nga postualiteti.

Shpërdorimi i disa markave nga fondi i partisë së tij, aspak nuk kishte prekur nivelin e qytetarëve gjermanë.

Edhe Hajderi në Austri, kur e pa që dëmtonte kombin, duke angazhuar në qeverisje, e la atë në fatin e vet, dhe u mënjanua, duke mbetur Njeri!

Krahasimet e sipërcituara nuk e kanë nevojën e komentit!

Sovrani (s’) mjafton duke dhënë vetëm pretencën e votës!…

Institucioni i dorëheqjes nga politikanët dhe qeveritarët tanë nuk aplikohet lehtësisht, madje ajo ekuivalentohet: Dorëheqje = Kokëheqje.