Absurdi i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit

537
Sigal

Iniciativa e shkarkimit të Presidentit të Republikës në të gjitha vendet demokratike, qofshin ato republika parlamentare apo presidenciale, konsiderohet një akt i jashtëzakonshëm, një moment ekstrem, kur nuk ka asnjë rrugë tjetër dhe shkarkimi mbetet e vetmja mënyrë për të shpëtuar interesat kombëtare.

Për këtë arsye, të gjitha kushtetutat e vendeve demokratike, edhe ajo shqiptare, parashikon se shkarkimi i Presidentit bëhet vetëm për “shkelje të rënda” të Kushtetutës, ose kur Presidenti ka kryer një krim.

Prandaj, Kushtetuta parashikon një procedurë të komplikuar për të marrë një iniciativë të tillë. Sepse të shkarkosh nga pozicioni i tij të parin e vendit nuk është një fjalë goje apo një lojë politike, por një çështje tepër serioze dhe që kërkon të gjitha kushtet që parashikohen për ta bërë atë, të cilat janë pa dyshim kushte ekstreme.

Parlamenti, ditën e djeshme, ka miratuar ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për këtë çështje, i cili për tre muaj do ta hetojë atë.

Përse Kushtetuta e Shqipërisë parashikon ngritjen e një Komisioni Hetimor në këto raste?

Cila është logjika e këtij komisioni?

A mund të hetojë një Komision Hetimor shkeljen e Kushtetutës?

Pa dyshim që jo! Kushtetutshmëria ose jo e një akti nuk hetohet, por gjykohet, aq më tepër kur nuk ka nevojë për tre muaj për të gjykuar një akt apo një dekret qoftë. Vetëm veprat penale hetohen. Kjo është logjika e filozofisë së të drejtës. Sepse hetimi kërkon kohë, kërkon fakte dhe prova për veprat penale të mundshme.

Kushtetuta e Shqipërisë parashikon ngritjen e Komisionit Hetimor pikërisht për arsyen se ky shkarkim bëhet vetëm kur Presidenti kryen një krim ose një tradhti kombëtare, të cilat kanë nevojë të hetohen.

Antikushtetutshmëria dhe “shkelja e rëndë” e Kushtetutës janë dy gjëra totalisht të kundërta dhe ky koncept duhet sqaruar mirë si për opinionin publik, por edhe për anëtarët e mazhorancës, që me sa duket lexojnë normat e Kushtetutës dhe nuk kuptojnë dot ration e tyre.

Doktrina konstitucionaliste europiane dhe ajo amerikane konsideron “shkelje të rënda” të Kushtetutës, që përbën kusht për shkarkimin e Presidentit, përveçse kryerjen e një krimi, veprime si tradhti kombëtare, shitje territori apo bashkëpunim me armiqtë e vendit kundër interesave kombëtare. Dhe të gjitha këto, duhet të jenë bërë me qëllim. Pikërisht për të hetuar të gjitha këto veprime parashikohet ngritja e Komisionit Hetimor Parlamentar.

Cilat nga këto vepra ka kryer Ilir Meta me dekretin e anulimit të datës 30 qershor?

Çfarë veprash penale, me qëllim të kryera nga Presidenti do të hetojë Komisioni Hetimor Parlamentar?

Të vetmin argument që paraqet mazhoranca për iniciativën e shkarkimit të Presidentit është se ky i fundit u ka hequr të drejtën qytetarëve për të shprehur sovranitetin e tyre nëpërmjet zgjedhjeve. Edhe ky është një argument që nuk qëndron. Sepse Presidenti dekretoi një datë tjetër zgjedhjesh, që është 13 tetori, ku shqiptarët mund të shpreheshin me votë dhe nuk e la vendin pa një datë zgjedhjesh, duke argumentuar me argumente kushtetuese veprimin e tij, të drejta apo të gabuara qofshin.

Të gjithë precedentët në vende demokratike në këto raste, sidomos në Shtetet e Bashkuara, janë bërë për veprat penale. Rasti më i famshëm është ai i Presidentit Nikson, që akuzohej për përgjime të paligjshme të fushatës elektorale të kundërshtarit të tij. Kongresi amerikan nisi procedurën e impeachment, por Nikson dha dorëheqjen.

Për të shkarkuar një President pra, nuk mjafton thjesht shkelja e Kushtetutës, por kryerja e një krimi dhe “shkelja e rëndë” nëse cenon interesat kombëtare.

Por, edhe nëse dekreti për anulimin e datës 30 qershor është antikushtetues, megjithëse këtë mund ta vendosë vetëm Gjykata Kushtetuese, pa dyshim që nuk përbën një “shkelje të rëndë” të Kushtetutës.

Nuk ekziston në këtë akt asnjë nga kushtet për ta konsideruar një vepër penale apo “shkelje të rëndë” të Kushtetutës.

Prandaj, nxitimi i mazhorancës për ta ndërmarrë një veprim të tillë, nuk ka asnjë arsye kushtetuese, por vetëm arsyen e kapjes dhe të institucionit të fundit në rendin gjysmak kushtetues shqiptar që mund të kontrollojë këtë qeveri.

Nga Ervis Iljazaj