A ka moral politika për t’i kthyer dinjitetin Shqipërisë?

640
Sigal

Shpëtim Zinxhiria

Përgjigja më e mirë jepet në praktike. Nëse ka moral kjo politikë le të na i shprehë, por në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojmë që kjo politikë të dalë jashtë kontrollit, në se duam qe ti kthejmë dinjitetin Shqipërisë. Fatkeqësisht po përballemi me një moral politik që askush nuk do ta dëshironte, por që ende vazhdon me kapriçio dhe me një autoritet banditësh, që shpaloset para populli shqiptar. Politika në jetën e përditshme ka lidhje të rëndësishme me etikën, duke mbajtur gjithnjë anën e saj morale. Morali politikës në vendin tonë ka treguar se është hequr dorë qëllimisht nga realiteti dhe se është kufizuar brenda një kornize, duke u larguar nga fakti dhe nga parimi se politikani; së pari, e formon personalitetin e tij dhe pastaj i drejtohet popullit për të përdorur aftësitë dhe talentet e tij, duke ofruar mbështetjen e tij. Po ngjarjet e njëpasnjëshme që kanë shokuar shoqërinë shqiptare na lenë të kuptojnë se në të shumtët e rastit politikës i mungon morali i saj, për të cilën i është besuar vota e popullit. Shembullin më të keq e jep vetë kreu i shtetit që në publik shan dhe ofendon dhe kërcënon duke harruar se është kryeministër i gjithë popullit dhe jo i një pakice. Është ky moral politik që ka vënë partinë mbi gjithçka, mbi interesat e kombit dhe të popullit të tij. Demokracia shqiptare i pranon të gjitha këto. Pranon që krimineli të bëhet deputet, dhe djali i tij të bëjë ligjin, analfabeti drejtor dhe njerëzit e ndershëm të marrin rrugën e kurbetit. Kjo u pa edhe në ngjarjen e fundit ku kryeministri ishte i fundit që dënoi aktin barbar ndaj vajzës 25-vjeçare, ndaj dhunës së ushtruar nga djali i deputetit të tij. Heshtja e tij dhe e parlamentit ndaj kësaj ngjarjeje tregon qartë moralin e kësaj politike “Made in Albania” në një kohë që duhej t’i drejtohej popullit me një mesazh të qartë, grave të dhunuara të vendit të tij. Janë deputetet që vetë kreu i qeverisë i ka venë në listë, natyrisht për këtë është ai që mban përgjegjësi dhe askush tjetër, por lidhur me këtë ngjarje nuk u dëgjua ndonjë falje nga babai i djalit, si politikan po me arrogancë deklaron publikisht se djali i tij nuk ka ushtruar dhunë. Morali ne politikën shqiptare nuk njihet, pasi në politikë u përfshinë njerëz jo të denjë, dhe për këtë përgjegjësia kryesore bie mbi kreun e qeverisë. Shembuj të kësaj natyre janë të shumtë aq sa nuk u nxor asnjë mësim, po ende vazhdohet që në politikën e vendit të jenë prezencë njerëz pa moral, duke treguar qartë këtë marrëdhënie të ngushtë midis moralit dhe politikës. Rilindja mori tepsinë dhe timonin, mori ato që donte në votimet e fundit, por kjo po i shkakton asaj nga dita në ditë një humbje morale dhe po dobëson gjithnjë e më shumë besimin në votuesit e saj. Padyshim morali politik në kohët e fundit po ndikohet edhe nga një opozitë e shkatërruar, e cila ka humbur busullën, nuk ka një strategji të sajën, por është nisur vetëm nga gabimet e çastit. Politike shqiptare në këto vite, të ashtuquajtur tranzicion, me dëshirën e vullnetin e saj gjithçka e ka ndërtuar duke u mbështetur në imoralitetin dhe antimoralin, te të fuqishmit, te kriminelët, e gjithë kjo për hir të pushtetit, duke lënë mënjanë ata që duheshin të ishin pjesëmarrës në qeverisjen e vendit. E keqja nuk i ka rrënjët sot, por… Etika është një marrëdhënie me njëri-tjetrin, respekt për të drejtat, nevojat dhe dëshirat e tij, duke rezultuar në besim reciprok. Kjo do të thotë se morali nuk mjafton për të përcaktuar se çfarë është e mirë dhe e drejtë, por gjithashtu presupozon realizimin e saj. Pa aplikimin praktik, vlera e së mirës mbetet thjesht në fushën e qëllimit. Mbi të gjitha ka ardhur koha që morali politik dhe kodi i etikës të vendoset fuqishëm, të jetë i detyrueshëm, nëse duam që t’i kthejmë dinjitetin Shqipërisë aty ku duhet.