Prof.Dr. Besnik Gjongecaj: Rënia e universitetit

198

Ka qenë një kohë kur, më shumë se një pjesë organike e shoqërisë, universitetet ishin një stoli e saj. Atëherë kur universitetet projektoheshin si “kulla të fildishta”, të paarritshme, superiore. Si mediume ku sublimohej liria akademike dhe prezervohej si e tillë. Atje ku autonomia universitare i bënte universitetet të pagoditshëm, të pa ndikueshëm. Nga qeveritë dhe politika. Madje edhe nga shoqëria në përgjithësi. Këto “kulla të fildishta”, prandaj, duhet të pranoheshin si të tilla, ashtu siç ishin dhe pa diskutim. Ato u diferencuan nga pjesa tjetër e sistemit arsimor të shoqërisë bash atëherë kur mësimi filloi të kryhej përmes kërkimit shkencor. Mësimi dhe kërkimi shkencor u përfshinë në një marrëdhënie simbiotike. Mësimi teorik bëhej më i vërtetë prej rezultateve kërkimore që e faktonin atë, ashtu sikundër përmirësimi i teorive si substancë e mësimit sillte frymëmarrje të re në fushën kërkimore. Ishte simbioza mësim-kërkim shkaku pse universitetet nuk mund të ishin më shtëpia e njerëzve të zakonshëm, e qytetarëve të thjeshtë, po aq sa kërkimi shkencor nuk mund të ishte “business” i kujtdo, veçse i njerëzve specialë, gjenive. E gjithë kjo ngjizi modelin von Humboldt, i formuluar dhe njohur për herë të parë në Gjermani. Sipas këtij modeli u projektua dhe u ndërtua çdo universitet, ndërsa tërësia e tyre formuan sistemin Humboltdian të arsimit të lartë. Mbyllja e universiteteve në “kulla të fildishta” solli izolimin, i cili u shndërrua shpejt në një formë ekzistence, u bë atribut i sistemit universitar. Madje u projektua me dashje si i tillë, sepse nuk u gjet asnjë formë mbijetese më e mirë për të. Shpjegimi është i thjeshtë. Në atë kohë, bota rreth universiteteve ishte ndërtuar nga shoqëri parademokratike, autoritare. Në këto kushte, bëhej shumë e lehtë që sundimtarët të depërtonin në universitet dhe ta denatyronin atë. Universitetet mund të prezervonin lirinë vetëm duke izoluar vetveten. Vetëm kështu mund të mbroheshin nga ndërhyrjet, goditjet e jashtme, autokratët. Pa kuptuar se pikërisht për shkak të natyrës hermetike, të papërshkueshme me pjesën tjetër të shoqërisë, sistemi universitar Humboldtjan kishte ruajtur në brendësi të vetes edhe farën e ndryshimit të tij. E cila mbiu shpejt. Sepse ishte e pamundur që një shoqëri të pranonte mendjendriturit e saj të mbylleshin në universitete të izoluara, që nuk marrin pjesë në zgjidhjen e problemeve të saj, të padobishëm. Nuk kaloi shumë kohë dhe universitetet u ndodhën përballë një dileme të madhe: të prezervonin lirinë akademike dhe autonominë universitare në kushtet e izolimit dhe kështu të humbnin besimin e publikut nga njëra anë, apo të fitonin besimin e publikut duke u hapur ndaj shoqërisë, por duke i vënë në rrezik të dyja, si lirinë akademike ashtu edhe autonominë universitare, nga ana tjetër. Dilema ekzistencialiste qëndroi një kohë të gjatë si e tillë dhe filloi të humbte rëndësinë e saj vetëm kur të dy anët, universitetet dhe shoqëria, në një proces të gjatë reflektimi, filluan të kuptojnë se jo vetëm njëra apo tjetra, por të dy anët njëherësh do të duhej të ndryshonin. Sepse ishin në një lidhje të brendshme shkak-pasojë. Si shoqëria, ashtu edhe universitetet, do të duhej të arrinin një ekuilibër të ri, duke ruajtur më thelbësoren dhe flakur tutje barrën e panevojshme.  Saktësisht, universitetet do të duhej të prezervonin lirinë akademike dhe autonominë universitare dhe të flaknin tutje hermetizmin. Ndërsa qeveritë do duhej të çliroheshin nga metodat parademokratike me anë të të cilave bëhej e mundur komandimi i universiteteve, duke i zëvendësuar ato me politikëbërje incentiviste. Ajo që ndodhi më pas ishte e thjeshtë. Universitetet pranuan të ndërtojnë një “urë” komunikimi me shoqërinë dhe që atëherë fituan, përveç mësimit dhe kërkimit shkencor, dimensionin e shërbimit ekstensiv, (extension service), ose dimensionin e pjesëmarrjes në zgjidhjen e problemeve më të rëndësishme të shoqërisë. “Kullat e fildishta” ranë dhe në vend të tyre u krijuan universitete të hapura dhe në shërbim të shoqërisë. Si të tillë, ato nuk ishin më universitete të elitave, gjenive, por të çdo të riu që pranonte të përfshihej në një proces universitar duke u përshtatur me të. Nga ana tjetër, shoqëritë u detyruan të përfshihen në sisteme politikë demokratikë, të cilët janë të tillë, sepse iu mungojnë mjetet me të cilat do të mund të ndërhyjnë brenda universiteteve. Të dy palët dhanë garanci dhe që atëherë marrëdhëniet midis tyre përsosen çdo ditë: universitetet bëhen më të lirë dhe shoqëritë më demokratike.

 

***

Shqipëria ndodhet edhe sot jashtë këtij konteksti, plotësisht. Politika e ka përçudnuar aq shumë sistemin tonë universitar sa që ai është bërë i pangjashëm, pa lidhje, unik në të keqen e tij. Kjo e bën të pamundur edhe parashikimin se çfarë do të ndodhë me të në të ardhmen. Gjithsesi, i përfshirë në një marrëdhënie jo produktive, përkundrazi, në një marrëdhënie rrënuese me politikën, sistemi ynë universitar pritet të arrijë në kolaps, i cili mund të jetë edhe i pakthyeshëm. Nga ana tjetër, Shqipëria e ditëve tona nuk mund të karakterizohet më, madje, as si një demokraci hibride. Karakterizimi “demokraci hibride” ka kohë që është karakterizim “i butë”, jo përfaqësues. Vendi ynë ndodhet nën peshën e një demokracie të denatyruar, në të cilën gjithçka që shikon apo prek është “fake” dhe e vetmja gjë reale është autoritarizmi. Është ky denatyrim që nuk lejon të bëhen prognoza, aq më shumë, e vështirëson analizën e dinamikës së marrëdhënieve të universiteteve me pjesën tjetër të shoqërisë.

 

 

Universitetet shqiptare nuk janë më medium i njerëzve të zgjedhur të shoqërisë

 

Në pikëpamjen e cilësisë intelektuale të universitarëve, megjithë përpjekjet e bëra, universiteti shqiptar nuk ka qenë, dhe akoma më shumë sot, nuk është një “kullë e fildishtë”. E gjitha kjo nënkuptonte një problem në të shkuarën, ndërsa sot një tragjedi. Universiteti shqiptar nuk është më shtëpia e të aftëve që vinë nga shoqëria përmes një “screening process” neutral. Kjo nuk ndodh në këtë vend. Janë fabrikuar mekanizma të panumërt që të përgatiturit, të aftët, të thyejnë hundët te muret e universitetit. Ashtu sikundër po bëhet e pamundur, sipas një konspiracioni ose jo, që të rinjtë e formuar mirë të humbin interesin për të punuar në universitet. Identikiti i atij që thirret për t’u futur në universitet është, në rastin më të mirë, identikiti i një mediokri, ndërsa procesi i afrimit të tij në universitet, të paktën formalisht, nuk është gjë tjetër veçse një masakër. Sepse kriteret që vendosin nuk janë ato që duken. Kriteret që përcaktojnë realisht fatin e kandidatit nuk e “shohin” dritën e diellit, nuk bëhen kurrë publike. Në mënyrën më të paimagjinueshme, ato që përcaktojnë nëse do të bëhesh universitar apo do thyhesh hundët te dera e universitetit janë kritere të fshehta. Të cilat e kanë korruptuar procesin përfundimisht. Madje, ka kohë që është shtuar edhe një tjetër kriter konspirativ: detyrimi që në zgjedhjet universitare të votosh atë që të punësoi, atë që punëson, klanin e tij. Ja pse zgjedhjet universitare nuk prodhojnë më ekuilibër të ri, përkundrazi, ato po shndërrohen me shpejtësi në fuqinë më të madhe shkatërruese të së ardhmes të universiteteve. Ja pse zgjedhjet universitare nuk korrigjojnë deformimin, të keqen, përkundrazi, i venë më shumë në pah ato, i bëjnë më zotëruese.

Shoqëria e ka humbur interesin për universitetet

Nga ana tjetër, duke humbur vlerën e të qenit medium i shkencëtarëve, profesorëve të ndritshëm, përkundrazi, duke u shndërruar gjithmonë e më shumë në strehën e shkencëtarëve dhe profesorëve “fake”, universiteti i këtij vendi nuk e ka vëmendjen e qeverisë, të asnjë qeverie, madje akoma më shumë, nuk e ka më vëmendjen as të shoqërisë. Duke mos pasur asnjë interes të veçantë për universitetet, me përjashtim të alibisë së një vendi normal që krijon prania e tyre, shoqëria shqiptare nuk i sheh ato si një mundësi për zgjidhjen e problemeve të saj. Përkundrazi, i shikon thjesht si një barrë taksash. Ndërsa familjet shqiptare i nxisin të rinjtë që në vend të shkojnë te universitetet shqiptare, të lenë Shqipërinë pas. Duke humbur interesin për universitetet, shoqëria shqiptare madje e ka fshirë vëmendjen e saj mbi raportin që qeveria ndërton me universitetet dhe kërkimin shkencor. Shoqëria shqiptare nuk reagon edhe kur zhvillohen fenomene degraduese në fushën e organizimit të shkencës apo sistemit universitar. Aq sa, pothuajse nuk i bie fare në sy edhe kur qeveria rikthen në skenën e organizimit shkencor të vendit njerëz që u inxhinjeruan nga diktatura dhe imazhin e tyre prej shkencëtari e krijuan duke i shërbyer diktaturës, nën kujdesin e saj. Rasti i Akademisë së Shkencave në zgjedhjen e kryetarit të saj, madje vetë Akademia e Shkencave si e tillë, janë shembujt më vibrues të zhgënjimit tragjik të shoqërisë shqiptare në raport me universitetet dhe shkencën.

Universitete dhe universitarë pa liri

E gjithë skema historike e përshkruar në hyrje të këtij shkrimi nuk ka funksionuar dhe nuk funksionon edhe sot në Shqipëri. Le të radhisim faktet. Universitetet shqiptare nuk janë mediumet e njerëzve më të aftë të shoqërisë. Ato nuk janë të organizuara në mënyrë të tillë që simbioza e mësimit me kërkimin shkencor të ndodhet në qendër të ekzistencës së tyre. Universitetet shqiptare nuk kanë dhënë asnjëherë prova, të paktën njëzet vitet e fundit, se kanë kapacitete për të zgjidhur problemet e shoqërisë shqiptare. Ato thjesht vegjetojnë brenda izolimit të vetvetes. Një izolim që, paradoksalisht, nuk ekziston sepse, si dikur, i shërben prezervimit të lirisë akademike dhe autonomisë universitare. Përkundrazi, universitetet e këtij vendi janë të izoluara për shkak të natyrës së deformuar, të gënjeshtërt, të paaftësisë për t’i dhënë shoqërisë produkt të vlefshëm. Një izolim, i cili për këtë arsye është edhe permanent, fatal, I pa negociueshëm me shoqërinë. Aq më shumë me qeverinë autoritariste të vendit. Një izolim që në thelbin e tij nuk prezervon lirinë. Ajo thjesht është e panevojshme. Në vend të saj prezervon frikën. Se një ditë nuk do të mund të justifikojnë ekzistencën, pse janë aty, në qoshe të shoqërisë. Elektromagnetika e frikës, në mungesë të lirisë, ka përfshirë jo vetëm universitetet si institucione, por edhe universitarët. Çka shpjegon heshtjen që ka pllakosur në të gjitha mediumet universitare. E pangjashme me asnjë kohë tjetër, madje as me kohën kohën kur vendi ishte nën diktaturë.