Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku: Kampionati solli rritje cilësore, falë përkushtimit të trajnerëve dhe prindërve

979
Sigal

Flet Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit

Agim Çiraku: Kampionati ishte një ditë argëtimi për notarët, trajnerët e prindërit

Buxheti në rrudhje, masiviteti po zbehet e po bie. Kemi kërkuar një takim me Ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, pse jo për të na sjellë eksperiencën e Kosovës”

Gjergj VYSHKA

Masivitet në rënie, buxhet financiar i rrudhur. Kjo është situata e notit shqiptar aktualisht, që me keqardhje e pranon edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku. Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, menjëherë pas përfundimit të kampionatit të fëmijëve në pishina të mbyllura, i cili shënoi dhe aktivitetin e parë kombëtar për vitin 2019 për sportet e ujit, Çiraku rrëfen se sot buxheti i notit shqiptar është 40-44 milionë lekë të vjetra, kurse i Kosovës gati 120 milionë. Për këtë arsye është kërkuar dhe një takim me ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, sepse edhe duke ardhur nga Kosova, atje ku investohet shumë për sportin, do të mund të jepte eksperiencën dhe idetë e saj për rritjen e sportit në vend. Rënien e masivitetit, tek noti në veçanti dhe sporti në përgjithësi, e lidh me aspektin ekonomik, kurse shpreson që së shpejti të vihet në funksionim tabela elektronike, si dhe notarët shqiptarë të arrijnë vetë normat e kualifikimit për në Lojërat Olimpike Evropiane dhe Botërore.

  • Sapo ka përfunduar kampionati i fëmijëve, çfarë pati të veçantë ndryshe nga kampionatet e tjera?

“Nuk është se pati ndonjë veçanti të madhe nga aktivitet, me përjashtim të fakti që pati rezultate të mira, rekorde, por dhe notarë të spikatur. Për ne si drejtues të Federatës Shqiptare të Notit është shumë e rëndësishme që kampionati i fëmijëve të shihet si një ditë argëtimi për notarët, trajnerët, por dhe për prindërit. Pra edhe tifozët që vijnë të shijojnë rezultatet dhe më pas duartrokasin. Të gjitha të tjerat më pas i përkasin notarëve në pishinë.”

  • Stela ka vite që dominon kampionatet e fëmijëve. A e vret garën ky fakt?

“Shiko! “Stela” funksionon si Akademi, atje ku ka fëmijë që nga mosha 6 vjeç e deri tek të rriturit. Përderisa nuk ka dalë një Akademi tjetër me baza të shëndosha, ndërsa një pjesë e mirë janë thjeshtë klube, atëherë “Stela” do të vijojë të dominojë. Dhe duhet përshëndetur për punën që bën.

  • Masiviteti a po vjen në rritje?

“Për fat të keq, duhet pranuar se masiviteti po vjen duke u zbehur. Sigurisht, që nuk i bën mirë notit në veçanti apo sportit në përgjithësi. Por ky është fakt, që lidhet dhe me faktorin ekonomik në vend. Dhe, me keqardhje, duhet ta pranojmë.

  • Ndërkohë për të gjitha sportet buxhetet po vijnë në rrudhje. Tek ju cila është situata?

“Bëre mirë që ma bërë këtë pyetje. Ne kemi kërkuar një takim me ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, e cila duke ardhur nga Kosova do të mund të na sillte eksperiencën e rritjes që shënon sporti atje. Sepse për hir të së vërtetës duhet të pranojmë, që ne e kemi buxhetin 40-44 milionë lekë të vjetra, kurse Kosova vetëm për notin shkon 120 milionë. E kërkuam, por deri tani asnjë shenjë për këtë takim. Shpresojmë që diçka të ndryshojë.”

  • Së fundi, çfarë pritet nga noti shqiptar në vazhdim?

“Së pari, kemi të gjitha shanset për të pasur një tabelë elektronike. Kemi marrë një grant të parë nga Federata Botërore e Notit, presim grantin e dytë dhe shpresojmë që ta vëmë në përdorim atë tabelë që në garat verore. Më pas, mendojmë që notarët tanë të mund të arrijnë normat e kualifikimit për në Lojërat Olimpike, Evropiane në fillim dhe më pas ato në Tokio 2020 vetë. E ky do të jetë një sukses për notin shqiptar.”