INTERVISTA/ Arian Fetishaj: Pjesëmarrja në këtë event do të jetë e madhe, synojmë sukses në këto gara

1008
Sigal

Nga Agron KAJA

Flet për “Telegraf” trajneri i ekipeve të notit te Tirana, ja si vijnë në garat e Kupës së Shqipërisë

Keni rreth 50 ditë të shkëputur nga aktivitetet zyrtare, si ka qenë përgatitja juaj në këtë hapësirë kohe?

Gjatë kësaj periudhe, për të gjithë notarët pushimet verore kanë qenë prezent, ndërkohë që stërvitja e Tiranës ka qenë sistematike dhe e vazhdueshme edhe në ditët e pushimeve verore. Por notimin dhe stërvitjet specifike ata i kanë bërë edhe në destinacionet e tyre turistike.

Cila do të jetë pjesëmarrja e Tiranës në garat e Kupës së Shqipërisë?

Notarët e Tiranës si gjithmonë kanë qenë të shumtë në numër në të gjitha garat zyrtare të notit që zhvillon FSHN-ja, por edhe në ato ndërkombëtare. Kupa e Shqipërisë, për Tiranën do të ketë pjesëmarrje të gjerë, ku me meshkujt do të përfaqësohemi në të gjitha disiplinat. Shpresoj që po e njëjta gjë të jetë edhe me skuadrat e tjera pjesëmarrëse.

Në raport me garat e Kupës së Shqipërisë në sezonin e kaluar, do të ketë ndryshime te Tirana?

Ekipi Tiranës, në këtë aktivitet nuk ka ndryshime në pjesëmarrje, janë po ata notarë (meshkuj e femra) që filluan sezonin 2018 me garat e para të vitit. Ndoshta janë më të përgatitur për të marrë më të mirën në këtë aktivitet, dhe fryma në grup është e mirë.

Në sezonin e kaluar ishit protagonist ta fitonit Kupën e Shqipërisë, keni menduar që këtë herë ta arrini suksesin?

Vitin e kaluar, Tirana nuk mundi ta fitojë Kupën e Shqipërisë vetëm për 1 pikë. Nuk kishte ndodhur asnjëherë që gara e një notar të vendoste fatin e Kupës, dhe kjo vlen për përgjegjësinë që duhet të ketë çdo notar, si në garën e tij individuale, por edhe në ato ekipore.

Cilat janë synimet e Tiranës në garat e Kupës së Shqipërisë?

Notarët e Tiranës në këtë aktivitet do të bëjnë më të mirën e mundshme dhe do synojmë podiumet e nderit, si në garat individuale edhe në ato ekipore (stafetat). Kemi besim se do të përmirësojmë kohët e tyre personale, për të ngritur stekën për aktivitetet e radhës, duke pasur si qëllim etikën sportive.

Prisni thyerje të rekordeve kombëtare nga notarët tuaj (Tirana)?

Te notarja e talentuar Nikol Merizaj, shpresojmë shumë që të na sjellë rekorde të reja në garat e kësaj Kupe, pasi forma e saj sportive duket e mirë dhe premtuese. Edhe pse ajo vjen pas 15 ditë pushimesh, ka optimizëm se do të arrijë sukses në këto gara.

Në raport me pjesëmarrjen, si e konsideroni ju Kupën e Shqipërisë?

Mendoj se pjesëmarrja në garat e Kupës së Shqipërisë është triumf për të gjithë garuesit, trajnerët e klubet që ata përfaqësojnë në këtë event. Ajo përcjell në çdo moment problematikat e progresin në sportin e Notit në Shqipëri, e padyshim edhe progresin drejtues të FSHN-së.

Garat e Kupës së Shqipërisë në Not, do të zhvillohen sot më datë 1 shtator 2018 në pishinën 50 m të Akuadromit të Tiranës. Në këto gara priten të marrin pjesë mbi 15 ekipe me rreth 300 notarë (meshkuj-femra), ndërsa në sezonin e kaluar pjesëmarrja ishte në nivele pak më të ulëta

SHSU, skuadër që po fuqizohet me notarë të rinj e premtues

Sipas trajnerit të Tiranës, Arian Fetishaj, duke qenë se në ambientet e pishinës “Tagani” stërviten edhe notarët e skuadrës SHSU, Tiranë, po e fuqizojnë me notarë premtues. “Nuk mund të mos e përmend edhe skuadrën e SHSU Tiranë, e cila stërvitet në ambientet e pishinës “Tagani”, së bashku me Tiranën. Janë duke u fuqizuar me notarë të rinj e premtues për të ardhmen, e mendoj se dy trajnerët: Gentian Lama e Redlin Mazreku, do të sjellin progres të dukshëm në garat e ardhshme”. Në SHSU Tiranë stërviten notarët Dastin Topi, Redlin Mazreku, Gersi Troka, Sara Jaho e Stefani Naska, të cilët së bashku formojnë ekipin simpatik të Kupës së Shqipërisë në Not. Notari me sindromën DAUN, Gersi Troka, pas Kampionatit Botëror që u zhvillua në muajin korrik 2018 në Kanada, është duke u stërvitur për sukses edhe në garat e Kupës së Shqipërisë. Me trajnerin e tij, Genti Lama, Gersi ka bërë hapa cilësorë garë pas gare.

 

KALENDARI SPORTIV 2018

AKTIVITETET KOMBËTARE

Janë zhvilluar

  1. Kampionati Kombëtar Dimëror i Fëmijëve në pishinë 25 m, 17-18 mars 2018.
  2. Kampionati Kombëtar Dimëror për të Rinj, të Rritur dhe veteranë në pishinë 25 m, 21-22 prill 2018.
  3. Takim Ndërkombëtar i Notit në pishinën 50 m, 8-10 qershor 2018 në Durrës.
  4. Kampionati Kombëtar i Fëmijëve në pishinën 50 m, 27-28 qershor 2018.
  5. Kampionati Kombëtar i të Rinjve, të Rritur e veteranë në pishinën 50 m, 12-13 korrik 2018.

Do të zhvillohen

  1. Kupa e Shqipërisë, 1-2 shtator 2018.
  2. Maratona Kombëtare, 9 shtator 2018.
  3. Takim Mbarëkombëtar i Notit në pishinën 25 m, 22-23 dhjetor 2018.