Tani dhe larani

690
Sigal

Dritëro Agolli

Në një fshat ku bredh mbi male,
Hëna natën si ogiç
Mama Klara lindi djalë,
Mama Lara polli viç.

 

Çdo mama e mburr të birë
Dhe nga gazi s’mbahet dot;
Mama Lara qesh me brirë,
Mama Klara qesh me lot.

 

Djali emrin e ka Tani,
Viçi emrin thjesht Laran.
Edhe Tani dhe Larani
S’blejnë qumësht në dyqan;

 

Se mamatë kanë gjinjtë,
Dy burime pa shterim;
Gjinjtë rrjedhin në turinjtë,
Kur i thithin me përtim.

 

Miturakët hapin gojën
Dhe secili vetëm pi;
Dhe një lloj e kanë bojën
Të dy qumshtet në gji;

Veç se njërin e bën Lara,
Kurse tjetrin teta Klara!

 

Sa çudira ka kjo jetë!
Moshatarë djalë e viç,

Viçi bredh me vrap si qetë,
Djali s’lot nga djepi hiç!

 

Vici lind e drejt në këmbë
Tek një dardhë, tek një plep;

Djali lind pa fjalë e dhëmbë
Dhe pelena ka në djep.

 

Sa çudira ka kjo botë,
Një Laran dhe tjetri Tan!
Njërin qimja e mban ngrohtë,
Tjetri s’ngopet me jorgan!

Sepse njërin e lind Klara,
Kurse tjetrin e pjell Lara.

Lari shkon në djep çdo ditë
Dhe nxjerr gjuhën e përqesh:
Je i vockël sa një mizë
Dhe nga bota nuk merr vesh.

 

Ka kaq dit’ që kemi lerë,
Ti s’lëviz nga djepi hiç;
Unë u ngrita menjëherë,
Unë u ngrita se jam viç!

 

S’ma kalon në qumësht mua!
Ti me zor pi një filxhan,
Kurse unë po të dua
Mund të pi dhe një kazan.

 

Vetëm sot s’kam pirë shumë,
Një kusi edhe një tas!
Mama Lara tha, se unë
Krejt oreksin po humbas!

 

E mbaroj sa t’i ve hundën
Atë qumësht që pi ti;
Ti nuk fle po nuk të tundën,
Unë fle se s’jam njeri;

Sepse unë jam i Larës,
Kurse ti i teta Klarës!

 

Mama Klara ngre të birë
Dhe në gji me këngë e mban:

-Shih Larani sa ka pirë,
Ndofta, ndofta një kazan!

 

O laran, mor laraman,
Lëri Tanit një filxhan!
Shko i thuaj mama Larës:
Jepi qumësht teta Klarës!

 

Ah, o viç që kokën kruan
Tek një dardhë, tek një plep,
Disa vite po kaluan
Do ta shohësh ç’bën ky djep!

 

Nga ky djep prej copash pishe,
Ku hap sytë ky njeri,
Pak më i gjatë se një shishe,
Ti ç’do dalë nuk e di!

Nga ky djep do dalë burri,
që do ngrerë gjer në re
Pirgje muresh gur pas guri,
Diga plot betonarme.

 

Do të tundë mal e kodër
Edhe tokë e oqean;
Për atë do jesh si lodër
Ti i bukuri Laraman!

 

Po ahere do jesh plakur
Nëpër brazda plis më plis;
Do përtosh të hash një lakër,
Të ngresh bishtin në kurriz.

 

Ballin tënd do ta lëmojë:
“Eh, u plake, o qyqar,
Ti je ka e s’flet me gojë
Po shko çlodhu pak në bar!”

 

Ah, o viç që kokën kruan
Tek një dardhë, tek një plep,
Disa vite po kaluan
Do ta shohësh ç’bën ky djep!

 

Nga ky djep i lashtë, i hijshëm
Del një div i plotfuqishëm!

Krijim i vitit 1976