Shpërthime ngjyrash në pasarela, njihuni me koleksionin vjeshtë-dimër 2019 nga “Burberry”

524
Sigal

Java londineze e modës do të sjellë 5 ditë spektakël në pasarela, me shpërthime ngjyrash. Në dy ditët e para, më shumë se 80 sfilata kanë sjellë talentin e të rinjve, ndërsa stilistët kryesorë britanikë do të mbyllin javën.

Stilisti italian, Riccardo Tisci, më herët pjesë e shtëpisë së modës “Givenchy”, prezanton koleksionin e dytë të tij të “Burberry”-t të shtunën. Shtëpia e modës, që konsiderohet një institucion i vërtetë në Britani, e themeluar në vitin 1856, ka raportuar rënie shitjesh në fund të vitit, e shpreson që koleksioni vjeshtë-dimër 2019-2020 do të ndezë sërish motorët.

Stilisti italian i ka bërë të ditura tashmë ambiciet e tij, duke thënë se do të ruajë trashëgiminë e “Burberry”-t, por do ta bëjë këtë duke ecur me hapin e kohës, drejt modernizmit.

Java e modës në Londër do të sjellë në pasarelë modelet, që do të prezantojnë koleksionin e ri të Victoria Beckham po ashtu. Ish-anëtarja e “Spice Girls”, tani një stiliste e respektuar, mendohet se ndodhet në ujëra financiare të trazuara, pasi ka regjistruar humbje prej rreth 11 milionë eurosh për vitin 2017. Pas saj do të jetë radha e emrave të tjerë të njohur, si Vivienne Westwood, Roland Mouret, etj.