Zoti kryeministër, Memaliaj e 7500 banorëve kërkon mbështetjen tuaj me investime, për të shpëtuar nga varfëria

971
Ne që po ju shkruajmë, jemi banorë të qytetit Memaliaj. Po të drejtohemi me ketë letër publike si kryeministër, por së pari, si njeriu që kemi besim të plotë, se jeni dhe do të bëheni pjesë e hallit tonë jetik, siç jeni bërë edhe për zona të tjera. Qyteti ynë Memaliaj ka 7500 banorë, të cilët jetojnë brenda kësaj ish-qendre qytet-pune, me burim të vetëm ish-prodhimin e qymyrgurit. Miniera është mbyllur dhe bashkë me të edhe mundësitë tona, për të jetuar. Prindërit tanë, me bindjen e plotë tek drejtësia dhe morali i lartë i punëtorëve të ndershëm, për 40 vite me radhë punuan dhe sakrifikuan në nëntokën e kësaj miniere si “heronj të heshtur”, madje disa prej tyre edhe duke dhënë jetën në galeri. Është një histori dhe sakrificë e prindërve tanë, që nuk e harrojmë sa të jemi gjallë e madje, me krenari u’ a kemi përcjellë si vlerë morale dhe fëmijëve tanë. Edhe ne, bijtë e tyre, punuam deri në vitin 1992 në minierë e në sektorë të tjerë të shërbimeve në këtë qytet, deri kur nisi rënia ekonomike e sociale e Memaliajt. Që prej atij viti, qyteti nisi të asfiksohet si qendër pune, për shkak të rënies së tregut të qymyrgurit, me të cilin punonin ish-fabrikat, uzinat, kombinatet e shumë shërbime të tjera. Tashmë, ne banorët e këtij qyteti jemi në varfëri të plotë, prej mungesës së punës. Nuk na mungon energjia, vullneti dhe interesi për punë, por na mungojnë projektet që nuk janë ofruar prej asnjë qeverie deri sot. Bashkia e qytetit tonë, në këto vite ka treguar pafuqinë e saj për të thithur e për të krijuar hapësira punësimi. Sa për dijeni, vende pune në Memaliaj janë vetëm disa policë, infermierë, mjekë, mësues dhe zyrtarë të bashkisë, të cilët paguhen nga shteti e që, për “llogari” të tyre janë në “rregull” me pagat. Ndërsa afro 95% e familjeve të qytetit, janë në mjerim të plotë ekonomik, aq sa lypin ose ndonjë copë bukë, ose ndonjë orë punë, nëse e gjejnë 1 herë në 10 ditë, duke “emigruar” jashtë Memaliajt e deri në Greqi. 
I nderuar kryeministër! 
Ne duam të vazhdojmë të jetojmë në qytetin tonë, duke punuar, ndaj po ju kërkojmë të na krijoni mundësi punësimi me investime aktivitetesh prodhuese private (fasonë kryesisht), për të cilat qyteti ynë ka infrastrukturë dhe fuqi punëtore të madhe, sidomos femra, të cilat në mënyrën më barbare, janë ngujuar prej 20 vitesh nëpër shtëpi, me shpresën, kërkesën dhe nevojën për të punuar, për të përballuar nevojat jetike. Troç, për t’u ushqyer! Bashkia e qytetit, siç kuptojmë, në këto vite nuk e ka treguar fuqinë për ta mundësuar këtë nevojë që kemi ne banorët e Memaliajt. Jo se nuk dëshiron, por nuk mundet. Ndaj, nëpërmjet kësaj letre publike në gazetën “Telegraf”, kërkojmë ndërhyrjen tuaj emergjente, për të na krijuar mundësinë e hapësirave të punësimit, me aktivitete që i keni ofruar edhe në qendra të tjera me problematika social-ekonomike, tipike si të Memaliajt. Ne memaljotët, jemi njerëz që e duam punën si mundësi jetese, jo si lëmoshë por si personalitet. Në qytetin tonë, përveç një qendër tregtare që shpesh ka luajtur edhe rolin e humanizmit, nuk ka biznese të mëdha që të na i mundësojnë këtë nevojë jetike, jo se ne nuk dimë të bëjmë biznes, por sepse asnjë biznes i tillë nuk ka fuqi financiare dhe as kreditime të fuqishme. Ndaj zoti kryeministër, duam që edhe në qytetin tonë Memaliaj, të nis “lufta kundër varfërisë” me mundësi punësimi, duke pasur nismën dhe predispozitën tuaj. 
Luan T. Goxhaj
Vladimir Hoxha
Vladimir Velaj
banorë të qytetit Memaliaj
Sigal