Njihuni me nismën e qytezës spanjolle: Adopto një ulli!

42

Këto pemë të lashta janë vetëm disa nga 7 mijë ullinjtë që Sira dhe miqtë e saj kanë rikthyer në jetë në Oliete, një fshat me vetëm 357 banorë në spanjën verilindore. Për 50 euro në vit, një individ mund të sponsorizojë një nga 100 mijë ullinjtë e braktisur në rajon.

”Sponsori mund të zgjedhë pemën e tij të ullirit nga një katalog dhe t’i japë një emër. Më pas, mund ta shohin atë teksa transformohet në faqen tonë të internetit ose aplikacionin tonë. Nga gjendja e braktisur në atë të një kujdesi optimal, falë mbështetjes së tyre”,-thotë Sira Plana, bashkëthemeluese e nismës.

Përveç sjelljes në jetë të pemës së ullirit, skema synon të rikthejë në jetë edhe ekonominë e Olietes, duke tërhequr familje të reja në fshatin ku thuajse gjysma e popullatës është mbi 65 vjeç. Në 4 vjet, 2500 sponsorë kanë adoptuar pemë duke krijuar disa dhjetëra vende të reja pune. Falë ardhjes së punëtorëve të rinj dhe familjeve të tyre fshati ka mundur të mbajë hapur edhe shkollën e tij që tani ka 6 nxënës.