Udhëheqësit e mëdhenj, betejat epike, epidemitë vdekjeprurëse dhe tërmetet shkatërruese, kanë ndikuar padyshim në fatin e qytetërimeve të mëdha. Megjithatë, ekziston edhe një faktor tjetër, që ka ndikuar në rrjedhën e ngjarjeve:kapriçot e motit. A është e mundur që stuhitë dhe mjegullat, të kenë diktuar më shumë historinë, se sa Jul Çezari apo Napoleoni? Ndoshta po, siç e dëshmojnë edhe shembuj e mëposhtëm.

Nili i Faraonëve

Bashkimi i Egjiptit të lashtë, ndodhi rreth vitit 3000 P.E.S, dhe në 8 shekujt e ardhshëm mbretëria u konsolidua, dhe arriti kulmin e vet. Megjithatë, fuqia e faraonëve ishte e lidhur përherën me lumin Nil. Vetëm falë kulturave të bollshme, mund të mbahej një oborr i madh mbretëror, një ushtri të fuqishme dhe punëtorët e nevojshëm për ndërtimin e piramidave.

Dhe të ngushëlluar nga përmbytjet e rregullta të Nilit, faraonët ushqyen besimin se vetëm ata, si hyjni të vërteta, mund të kontrollonin përmbytjet. Ndërkohë por për këtë arsye, në vetëm 20 vjet, midis viteve 2180- 2160 Para Krishtit, u shemb Mbretëria e Vjetër.

Pas shekujve të bollëkut, përmbytjet e Nilit papritmas u bënë të pakta, duke shkaktuar një zi buke, që shkaktoi trazira popullore dhe paralizoi shtetin. E gjitha kjo, për shkak të ndryshimeve të papritura të kushteve të motit, që solli shira të shumtë në pllajën e Etiopisë, burimi i Nilit Blu. U desh një shekull, që gjendja politike dhe sociale në Egjipt, të bëhej sërish e qëndrueshme. Por tanimë, të “tradhtuar” nga përmbytjet e Nilit, faraonët e kishin humbur aureolën e tyre hyjnore.

Teodosi, perandori dhe era

Në vitin 394, në Slloveni u zhvillua betejën vendimtare për fronin e Perandorisë Romake:në njërën anë trupat e Teodosit, ish-perandorit të Lindjes, në tjetrën ushtria e Euxhenios, uzurpuesit të mbretërisë perëndimore. Beteja përfundimtare, e quajtur ndryshe Beteja e Akullit, u zhvillua më 6 shtator, por rezultati u përcaktua nga era që filloi të frynte papritur, duke i vendosur ushtarët e Teodosit në një pozitë të favorshme, ndërsa trupat e Flavio Euxhenios luftoi kundër erës.

Shigjetat e hedhura nga harkëtarët e Teodosit, të shtyra nga një erë me nje shpejtësi prej mbi 100 km/h, ranë mbi trupat e armikut. Ndërsa legjionet e uzurpatorit, të frenuar nga era, nuk arritën të përparonin. Pra falës erës Teodosi, u bë i vetmi perandor i Bizantit. Por e njëjta erë që i dha fitoren, i caktoi një fakt ironik:erërat e acarta, i shkaktuan një formë të rëndë të pneumonisë, nga e cila gjeti vdekjen disa muaj më vonë.

Lufta e Dy Trëndafilave në mjegull

Në shekullin XV, Jorkët dhe Lankasterët, luftuan për fronin e Anglisë, në një luftë të gjatë dhe të përgjakshme civile, që mbeti në histori si Lufta e Dy Trëndafilave. Më 13 prill 1471, ushtritë e palëve kundërshtare u përballën me Barnet, në një rajon kënetor jo shumë larg Londrës.

Dhe ishte një mjegull e dendur, ajo që vendosi fatin e betejës. Gjatë fazës më së përgjakshme të betejës Erli i Oksfordit, në komandën e kalorësisë Lankastriane, vendosi të hidhet në mes të betejës, por për shkak të mjegullës, humbi drejtimin dhe vrapoi me kalë drejt pjesën më të madhe të trupave aleate të drejtuara nga Markezi Montag.

Mjerisht ky i fundit për shkak të shikimit të dobët, mendoi se përballë kishte forca armike, dhe urdhëroi harkëtarët të hidhnin një shi shigjetash, kundër asaj që ai besonte se ishte një sulm armik. Kalorësit e Erlit, duke menduar për një tradhti, mësynë me tërbim kundër trupave të Montag, duke shkaktuar një masakër vëllavrasëse. Pra, për shkak të mjegullës beteja e Barnet, ishte për Lankasterët një katastrofë e vërtetë.

Stuhia që tronditi kishën

Në vitin 1517, Martin Luteri postoi në derën e kishës së Vitenbergut një pergamenë që përmbante ‘95 Tezat e Luterit’, një kritikë e ashpër ndaj Papa Leonit X dhe politikës së indulgjencave, duke nisur kështu Reformat Protestante. Megjithatë, sipas traditës, asnjë nga këto nuk do të kishte ndodhur pa një stuhi atmosferike.

Në vitin 1501 Luteri u regjistrua në Fakultetin Juridik të Universitetit të Erfurtit, dhe nuk kishte asnjë shenjë për ndonjë vokacion fetar. Në një ditë të korrikut 1505, teksa po shkonte në universitet, nisi një stuhi e madhe, dhe një rrufe ra shumë pranë tij, duke e bërë atë të frikësohej për jetën.

Në ato momente në mendjen e tij, u materializua një vokacion që do të ndryshojë rrjedhën e historisë perëndimore. Vetëm 15 ditë më vonë, në moshën 22 vjeçare, i riu Martin Luter hyri në manastirin Augustinian të Erfurtit, ku më 1507-ën u shugurua prift. Shkurtimisht, një stuhi transformoi atë që përndryshe do të ishte një avokat, në babain e protestantizmit.

Një tornado kundër trupave të madhërisë së tij

Gjatë Luftës Anglo-Amerikane të viteve 1812-1815, trupat britanike, arritën për një periudhë të shkurtër, të pushtojnë deri edhe kryeqytetin amerikan:natën e 24 gusht 1814, 4.500 ushtarë britanikë të udhëhequr nga Admirali Xhorxh Kokbërn, mposhtën rezistencën e garnizonit mbrojtës të qytetit, dhe hynë në Uashington.

Por, pas vetëm 26 orësh, trupat britanike e braktisën qytetin dhe ua dorëzuan amerikanëve. Në pasditen e 25 gushtit, ndërsa trupat britanike ishin të angazhuara me djegien dhe shkatërrimin e Uashingtonit, qyteti u përfshi nga një një stuhi, e shoqëruar nga një uragan i fuqishëm, si pasojë e të cilit humbën jetën apo u plagosën shumë ushtarë, ndërkohë që anijet britanike në bregdet u dëmtuan rëndë. Kjo e detyroi Kokbërn që më 27 gusht të largohej nga qyteti, dhe presidenti i SHBA-së Medison mund të rikthehej në Uashington.

Zbarkimi në Siçili: Jetike stuhia që nuk zgjati shumë

Për pushtimin e Siçilisë në vitin 1943, aleatët mobilizuan gati gjysmë milioni ushtarë nën komandën e gjeneralit amerikan Xhorxh Paton. Ajo do të transportohej në brigjet italiane me më shumë se 2.600 anije. Flota aleate lundroi në një Mesdhe të qetë deri në pasditen e 9 korrikut 1943, kur teksa po përgatitej për zbarkim, moti u përkeqësua.

Për disa orësh, udhëheqësit e vendeve aleate morën në konsideratë mundësinë e shtyrjes së pushtimit, dhe vetëm ndërhyrja e meteorologëve, të cilët i siguruan për një përmirësim të menjëhershëm, i bindën të ngulmojnë. Dhe në fakt mbrëmjen e 9 korrikut, era u zbut, duke i lejuar mjetet amfibe të zbarkonin.

Trupat e Boshtit, të mashtruara nga përkeqësimi i motit atë pasdite, besuan se do të kalonin një natë të qetë, dhe e gjetën veten të papërgatitur ndaj sulmit. Kësisoj, në orët e para të datës 10 korrik, ushtria e Patonit arriti të zbarkonte në Siçili dhe të fillonte çlirimin e Italisë.