Mashtrimi me 7500 euro/ Si iu “zhdukën” me magji paratë e emigrantit në Fier

973
Sigal

Pasi është kthyer nga Greqia në Patos, 44 vjeçari me inicialet A.I., ka dëgjuar nëpërmjet të afërmve se në fshatin Radostinë-Vadhizë, Fier, jetonte një grua fallxhore që “bënte mirë” nëpërmjet magjisë.

Kur ka shkuar të takojë 51-vjeçaren Liljana Llapashtica, ajo e ka bindur t’i japë shumën e 7500 eurove, që kishte fituar në emigracion, me premtimin se pas një jave do t’i dyfishoheshin.

“Magjia” funksiononte vetëm nëse burri kishte shpirtin e mirë, nëse do të ishte njeri i keq, paratë nuk do të shumëfishoheshin.

Emigranti i kthyer nga Greqia i ka pohuar fallxhores se kishte kursyer rreth 7500 euro.

“Magjistarja” i ka dalë garant se do t’ia dyfishonte këto para nëpërmjet metodave të saj. Ajo i premtoi, se do t’ia këndonte paratë një javë në banesën e saj e kur të shkonte t’i merrte, ato do të ishin dyfishuar, e ndoshta edhe me shumë se aq. Sipas hetimit, burri i ka çuar paratë dhe ia ka numëruar.

Ndërkohë 51-vjeçarja i ka thënë se shtimi i parave do të varej nga shpirti i personit. “Nëse e ke shpirtin e mirë edhe mund të trefishohen”, i ka thënë atij fallxhorja.

Ai i ka lënë paratë dhe është kthyer pas një jave, por përveçse ato nuk ishin dyfishuar, s’ka mundur të marrë as ato të vetat. “E paske pasur shpirtin blozë, janë zhdukur nga sirtari paratë e tua”, i ka thënë gruaja duke mos mbajtur më përgjegjësi për lekët që i kishte marrë me garanci.

I gjendur në këtë situatë, 44-vjeçari i është drejtuar Policisë për ndihmë, ku pas dy muaj hetimesh ka vënë në pranga fallxhoren.

Gruaja kishte qenë edhe më parë e dënuar për mashtrim.