Sigal

Për ta quajtuar një kafe të mirë është i rëndësishëm, jo vetëm kualiteti i kokrrizave të kafesë, por edhe transformimi korrekt i tyre në lëng. Më poshtë do t’ju përshkruajmë disa hapa se si ta njihni dhe ta shijoni kafenë e mirë.

1) Mishela
Gjithçka nis nga origjina. Kokrrat e kafesë, pasi përzgjidhen në vendet e origjinës, selektohen sipas cilësisë dhe më pas shpërndahen në fabrika të ndryshme. Në këto fabrika, të cilat janë gjithashtu të markave të ndryshme, përgatitet ajo që quhet mishela, ose përzierja e llojeve të ndryshme të kafesë. Secila markë ka raportet e veta të përzierjeve dhe të llojeve, receta këto që mbahen sekret.

2) Arabike apo Robuste

Kafetë ndahen në dy kategori: Arabike dhe Robuste. E para është një kafe e cilësisë së lartë, me aromë e shije delikate, me ngjyrë të çelët dhe më e hollë. Robuste është një kafe më e forte, me aromë shumë të fortë, ngjyrë të errët, më e trashë dhe zakonisht përbëhet prej kokrrave të kafesë me cilësi pak më të ulët.
Pasi të keni përzgjdhur markën tuaj të parapëlqyer, në varësi të shijes, është koha për ta shijuar atë në një filxhan.

Legjenda dhe të vërteta
Shpesh dëgjojmë se, nëse kafeja e mban sheqerin sipër është e bërë siç duhet. Në fakt, kjo është një legjendë urbane sepse në të vërtetë një kafe që e mban sheqerin është ose një kafe Robuste, shumë e trashë dhe jo cilësore, ose një kafe, siç quhet rëndom, e “djegur”… ose të dyja. Prandaj duhet të kemi kujdes dhe t’i besojmë vetëm shijes. Sepse shija e kafesë është ajo që do të na mbetet edhe disa orë pasi e kemi konsumuar, në gojë.

Nëse duam të dallojmë një kafe të transformuar në mënyrë korrekte duhet të kemi parasysh këto detaje:

1) Nxehtësia
Në momentin që e marrim filxhanin e kafesë dhe ai është shumë i nxehtë për ta prekur me dorë, e jo më për ta afruar në buzë, do të thotë që kafeja ka shanse të jetë “djegur” për shkak të nxehtësisë në të cilën është mbajtur filxhani.

2) Ngjyra
Nëse ngjyra e kremit sipër është shumë e errët do të thotë që kafeja është e “djegur”. Kjo do të thotë se kafeja është bluar në mënyrë jo korrekte, duke e penguar ujin të kalojë përmes filtrit në mënyrën e duhur, si rrjedhojë duke rritur temperaturën dhe duke e djegur produktin final. Kjo kafe do të jetë shumë e hidhur dhe me një shije të djegur në fund.
Nëse kafeja vjen shumë e çelët, gati e verdhë, do të thotë se përseri, për shkak të mosbluarjes korrekte, uji ka kaluar shumë shpejt duke e filtruar shumë pak kafenë. Rrjedhimisht kafeja do të jetë shumë e hollë dhe pa shumë shije.