Sigal

Mërkuri vazhdon kursin e tij retrogradë në shenjën e Luanit duke na dhënë mundësinë të rregullojmë çështjet që kemi lënë pezull në të kaluarën dhe të rikthehemi në një lidhje apo marrëdhënie të së kaluarës në qoftë se na intereson. Njëkohësisht sjell pengesa në komunikim dhe në udhëtime, anulime dhe probleme me teknologjinë. Në 10 gusht Venusi vjen në lidhje jo harmonike me Saturnin duke sjellë një ftohje dhe probleme në marrëdhëniet ton. Në 11 gusht do të ndodh eklipsi i fundit për këtë vit, eklipsi i pjesshëm diellor në shenjën e Luanit, i cili ndikon kryesisht përfaqësuesit e shenjës së Luanit, Ujorit, Akrepit dhe Demit të lindur në fund të dhjetëditëshit të dytë të shenjave që përmendëm më lartë. Eklipsi diellor i 11 gushtit do të ndikojë kryesisht në jetën tonë sentimentale dhe do të vendos marrëdhëniet në provë dhe vështirësi. Do të kemi tendenca ekzagjerimi dhe një entuziazëm të tepruar, por gjërat nuk janë ashtu siç duken prandaj mbani shportë të vogël ndaj fjalëve apo premtimeve që do të dëgjoni. Bëni një kthim mbrapa…para 19 vjetësh dhe kujtoni ngjarjet apo ndryshimet që bëtë, aty do të gjeni përgjigjet.

DASHI

Periudha është mjaft dinamike për ju pasi do të jeni plot vitalitet dhe energji gati të përjetoni, të gëzoni dhe të shijoni çdo moment të jetës suaj. Rëndësi të veçantë do të marrin për ju në këtë periudhë marrëdhëniet dhe bashkëpunimet, sepse ju të lindurit në dhjetëditëshin e parë të shenjës do të përjetoni vështirësi dhe ftohje të marrëdhënieve tuaja. Ndërsa ju të lindurit në dhjetëditëshin e dytë të shenjës do të përjetoni momente të bukura dashurie, ndoshta dhe me persona që kishit lidhje në të kaluarën. Kushtojini vëmendje të veçantë vlerësimit të situatave, pasi ato nuk janë dhe shumë të kthjellëta dhe ju do të keni tendenca t’i zbukuroni.

Këshillë: Përfitoni nga mundësitë që do t’ju jepen, por mos veproni dhe mos bëni fillime të reja para 27 gushtit.

DEMI

Çështje që lidhen me shtëpinë apo familjen do të jenë në qendër të interesit tuaj gjatë kësaj periudhe dhe disa prej jush do të merren me zgjidhjen e problemeve që kanë të bëjnë me pronën apo pasurinë e patundshme. Përsa i përket marrëdhënieve tuaja, ju të dhjetëditëshit të parë të shenjës, mund të mos keni zgjidhur disa çështje duke e vënë veten në disa dilema. Ndërsa ju të dhjetëditëshit të dytë të shenjës do të keni fillime të reja personale apo profesionale (varet nga shtëpia ku bëhet eklipsi në horoskopin tuaj) rezultatet e të cilës nuk do të duken menjëherë. Studioni mirë kushtet dhe situatën, shmangni teprimet dhe veproni në fund të muajit.

Këshillë: Kujdesuni për pushimet tuaja.

BINJAKËT

Takime dhe diskutime për të promovuar planet tuaja profesionale dhe financiare do të keni gjatë kësaj periudhe, pa përjashtuar dhe kthimin në çështje apo bashkëpunëtorë të së kaluarës. Hetoni mirë kushtet dhe situatën pasi gjërat janë të turbullta, veçanërisht për ju të lindurit në dhjetëditëshin e dytë të shenjës, duke lënë vendimet për në fund të gushtit. Përsa i përket jetës tuaj sentimentale, shumë flirt dhe dashuri të verës premton kjo periudhë, duke mos përjashtuar faktin që disa prej jush do të kenë takime fatale.

Këshillë :Mbani shportë të vogël ndaj fjalëve dhe premtimeve të mëdha.

GAFORRJA

Interesi juaj vazhdon të jetë i përqëndruar në çështjet ekonomike dhe kjo periudhë jep mundësinë tek disa prej jush të gjendeni me një sasi të konsiderueshme lekësh, të cilat do t’i investoni ose do të rregulloni detyrime të së kaluarës që i keni lënë pezull. Në çdo rast, ju do të guxoni të bëni një investim që do t’ju sjellë fitime afatgjata. Në fushën sentimentale do të keni disa vështirësi dhe ftohje të marrëdhënieve, ju të lindurit në dhjetëditëshin e parë të shenjës, ndërsa ju të lindurit në dhjetëditëshin e dytë jeni mjaft të favorizuar në këtë drejtim.

Këshillë: Investimet dhe risku duan dhe një masë.

LUANI

Kjo periudhë është shumë e rëndësishme për ju, sidomos ju të lindurit në fund të dhjetëditëshit të dytë të shenjës, pasi do të jetë fillimi i një cikli që do të zgjasë vite dhe përgjigjet lidhur me të do t’i gjeni 19 vjet pas duke kujtuar ngjarjet që ndryshuan jetën tuaj atëherë. Tani për tani bëhet fjalë për një javë pushimi, relaksimi si dhe rivlerësimi të situatave ekzistuese, nëse do t’ju jepet mundësia dhe do t’ju lejohet prej rritjes së detyrimeve profesionale dhe financiare që do të keni dhe që do të përballoni me sukses me gjithë vështirësitë që do të hasni. Në fushën sentimentale, marrëdhëniet do të testohen, një dashuri nga e kaluara mund të kthehet dhe takime apo njohje fatale do të keni gjatë kësaj periudhe.

Këshillë: Kontrolloni tendencat tuaja për ekzagjerime.

VIRGJËRESHA

Ndoshta është akumuluar lodhja e gjithë vitit dhe do të ndjeni nevojën jo vetëm për t’u çlodhur, por edhe për të izoluar veten për pak kohë. Kjo gjë do të jetë jashtëzakonisht e dobishme, do të keni mundësinë të shqyrtoni marrëdhëniet dhe planet profesionale dhe ky do të jetë një hap thelbësor për një fillim të ri që do të ketë rezultate pozitive. Në fushën sentimentale do të ketë vështirësi dhe keqkuptime, por nuk është koha për vendime përfundimtare, madje shmangni aventurat sentimentale me persona nga e kaluara.

Këshillë: Mos tregoni planet tuaja dhe mos jepni shkak për diskutime prapa shpinës.

PESHORJA

Vazhdoni të bëni një jetë shoqërore shumë intensive, nëpërmjet të cilës ju shfaqen dhe mjaft rast në fushën sentimentale, por atje ku mendoni se gjithçka shkon mirë, ftohtësi dhe re shfaqen në marrëdhëniet tuaja. Nuk përjashtohet mundësia që një miqësi të përfundojë në një dashuri të fortë apo të rikthen te ju persona që kishit lidhje në të kaluarën. Shumë prej jush do të rishikoni dhe shqyrtoni qëllimet dhe planet që kanë të bëjnë me biznesin dhe financat tuaja, por duhet shikuar tërësisht gjithë situata pasi gjërat nuk do të jenë ashtu si duken në sipërfaqe.

Këshillë: Pak durim, pengesat do të kalojnë.

AKREPI

Jeni të përqëndruar në biznesin dhe çështjet profesionale duke rishikuar planet ekzistuese dhe duke vendosur projekte dhe plane të reja, të cilat do të sjellin suksesin në fushën profesionale dhe financiare. Ndërkohë gjërat nuk janë aq lehtë sa mund të duken, pavarësisht nga fakti se vetëbesimi dhe entuziazmi janë përbërësit kryesor për suksesin, ato mund t’ju shtyjnë në gabime që kanë të bëjnë me ekzagjerime si rezultat i jo vlerësimit të saktë të situatës. Përkushtimi juaj në obligimet profesionale dhe financiare ka kontribuar për të lënë pak pas dore jetën tuaj sentimentale, por fati dhe favorizimi që keni këtë periudhë në këtë drejtim ju ndihmojnë jo vetëm të kaloni bukur, por të bëni një njohje, kryesisht ju të lindurit në dhjetëditëshin e dytë të shenjës.

Këshillë: Shmangni ekzagjerimet dhe konfliktet me bashkëpunëtorët.

SHIGJETARI

Aktualisht ndikohet kryesisht jeta juaj sentimentale duke sjellë njohje dhe lidhje fatale, por dhe takime apo rivendosje të marrëdhënieve me persona nga e kaluara. Lini mënjanë egoizmin dhe në qoftë se jeni të interesuar dhe doni të ktheheni te një marrëdhënie e së kaluarës është momenti i duhur, por pa harruar se mund të vlerësoni gabimisht situatat. Përndryshe kjo është koha për të shkuar me pushime ose për të vendosur në lidhje me një aktivitet apo një hobi që do t’ju jap gëzim. Brenda gjithë këtyre që thamë më lart, mendja juaj shpesh do të fluturojë në detyrimet profesionale duke rishikuar planet dhe situatat.

Këshillë: Hetoni situatat dhe kushte që të mos zhgënjeheni dhe bëni plane reale.

BRICJAPI

Jeni duke kaluar një periudhë konfliktesh të jashtme por veçanërisht dhe të brendshme. Çështjet financiare dhe jeta juaj sentimentale ngarkojnë emocionalisht atmosferën, duke ju shkaktuar një pa-stabilitet në psikologjinë tuaj e cila gjatë kësaj periudhe karakterizohet nga ulje dhe ngritje. Marrëdhëniet tuaja personale dhe profesionale do të kalojnë një krizë të vogël këto ditë, themelet e së cilës janë dyshimet që keni në lidhje me zgjedhjen që keni bërë dhe me tendencat që keni për të imponuar mendimet tuaja dhe që mund të shkaktojnë pakënaqësi. Në sferën financiare merrni parasysh gjithë parametrat përpara se të bëni një investim apo lëvizje financiare me bashkëpunëtorët tuaj dhe veproni në fund të gushtit, pasi atëherë mbaron dhe Marsi kursin retrogradë në fund të shenjës suaj.

Këshillë: Riprogramoni financat tuaja dhe shmangni praktikat e së kaluarës.

UJORI

Në qendër të interesit tuaj janë marrëdhëniet dhe bashkëpunimet, të cilat testohen vazhdimisht kohët e fundit. Gjatë kësaj periudhe do të keni edhe një herë një jetë sentimentale intensive, të fortë dhe mjaft të trazuar, kryesisht ju të lindurit në dhjetëditëshin e dytë të shenjës. Është koha dhe momenti i duhur për të hequr qafe çdo gjë që nuk ju kënaq dhe nuk ju përshtatet me qëllim që të programoni një fillim të ri në vijim dhe njëkohësisht është koha e përshtatshme për t’u kthyer në një marrëdhënie të së kaluarës, natyrisht në qoftë se dëshironi. Mbani mend, se gjërat nuk janë ashtu siç duken, prandaj ju përfaqësuesit e shenjës, që jeni në një lidhje, mos hyni në aventura sentimentale, pasojat e së cilës do të jenë vendimtare.

Këshillë: Shmangni egoizmin dhe ekzagjerimet.

PESHQIT

Ndoshta keni harruar se gjendemi në periudhë pushimesh dhe vazhdoni me të njëjtin ritëm duke nxituar për të arritur gjithë detyrimet e jetës së përditshme dhe të punës suaj. Ngadalësoni ritmet tuaja duke menduar njëkohësisht për çlodhje dhe relaksim. Edhe pse ju mbetet pak kohë për t’i kushtuar jetës suaj sentimentale, fati ju ndihmon dhe ju favorizon duke ju siguruar të keni pranë jush njeriun tuaj të zemrës.