Sigal

Inteligjenca artificiale përgatitet të funksionojë me shpejtësinë e dritës, falë një dispozitivi optik të prodhuar me teknologjinë e stampimit 3D që bazohet në një rrjet neuronesh artificiale, të cilët imitojnë neuronet natyralë të trurit.

Kjo pajisje është prodhuar nga një grup shkencëtarësh të koordinuar nga Aydogan Ozcan i universitetit të Kalifornisë në Los Anxhelos, UCLA dhe është publikuar në revistën shkencore “Scinece”.

Rrjetet neurale artificiale janë në bazë të sistemeve të të mësuarit automatik dhe të inteligjencës artificiale dhe përdoren edhe për të analizuar imazhe dhe përkthimin e teksteve mjekësore.

“Aktualisht këto rrjete janë si virtuale, pra të përbëra nga softuer, edhe fizike, pra përbëhen nga qarqe elektronike në të cilët neuronet përfaqësojnë elemente të palëvizshme dhe lidhjet me fije”, thotë Vincenzo Galdi i universitetit Sannio, që bashkë me universitetet e Pensilvanisë dhe atë të Teksasit punon për komjuterët e së ardhmes dhe për projektimin e materialeve të reja në gjendje që të përpunojnë informacionet që transportohen nga drita.

Ky rrjet neuronesh, i projektuar nga studiuesit dhe që quhet “Diffractive Deep Neural Network” (D2NN), bazohet mbi dispozitivë optikë dhe përbëhet nga pesë fletë paralele të stampuara në 3D, në të cilat janë vendosur disa pika, në gjendje që të devijojnë valët e dritës që veprojnë si neurone artificiale.

Kjo pajisje është stërvitur që të njohë 55 000 imazhe dhe është në gjendje t’i identifikojë me një saktësi prej 91,75%.

“Kjo është një provë shumë e rëndësishme në parim, që shërben për të treguar se është e mundur të prodhohen pajisje që i dedikohen rrjeteve neurale optike që funksionojnë me shpejtësinë e dritës dhe që nuk konsumojnë energji, sepse nuk kanë nevojë për një bateri”, thekson eksperti.