Sigal

Eklipsi më i gjatë hënor i shekullit do të ndodhë midis natës së të premtes e mëngjesit të së shtunës, kur Hëna do të eklipsohet krejtësisht nga Toka për një orë e 43 minuta.

Gjatë kësaj kohe, njerëzit rrotull globit do të shohin një “Hënë të përgjakur”, pasi sateliti i vetëm i planetit tonë do të marrë ngjyrë të kuq.

Çfarë është Hëna e përgjakur?

‘Hëna e përgjakur’ është emri që i është dhënë Hënës gjatë eklipsit hënor. Ky i fundit shfaqet kur Toka kalon midis Diellit e Hënës, duke futur Hënën në hije.

Ndryshe nga eklipsi i Diellit, kur Hëna kalon midis Tokës e Diellit, duke bllokuar dritën e tij, Hëna nuk errësohet gjatë eklipsit të saj, por shfaqet e kuqe.

‘Nëse Toka do të ishte një top i madh i lëmuar pa atmosferë, Hëna do të errësohej, si në rastin e Hënës së re’, thotë Chris Tinney, profesor në departamentin e fizikës në Universitetin e New South Wales.

‘Por për shkak të dritës që përhapet në drejtime të ndryshme përmes atmosferës së Tokës, një pjesë e dritës së Diellit një pjesë e saj arrin Hënën’.

Meqenëse rrezet blu e vjollcë përhapen më tepër se e kuqja dhe portokallia, në Hënë mbërrijnë më tepër rreze të kuqe, duke e bërë të marrë këtë ngjyrë.

Sa e rrallë është Hëna e përgjakur?

Eklipset hënorë janë më të rrallë se ata diellorë, me maksimumi tre në vit, në çfarëdo vendi, por disa vite mund të mos kenë asnjë eklips hënor. Megjithatë, çdo eklips hënor është i dukshëm nga më tepër se gjysma e Tokës.

Eklipsi i 27 korrikut është i rrallë për shkak të kohëzgjatjes. Hëna do të jetë nën Hijen e Tokës për katër orë dhe krejtësisht e eklipsuar për 1 orë e 43 minuta.

Ku dhe kur mund ta shohim?

Pamja më e mirë e eklipsit të Hënës do të jetë nga Afrika lindore, Lindja e Mesme, India dhe skaji perëndimor i Kinës. Por mund të shihet relativisht mirë nga pjesa tjetër e Afrikës, Evropa, pjesë të tjera të Azisë, Australia dhe skaji lindor i Amerikës së Jugut.