Gazpacho, supa e ftohtë për ditët e nxehta të verës!

1813
Sigal

Gazpacho mund të tingëllojë si një fjalë jo shumë e njohur për ju dhe në fakt e tillë është, pasi vjen nga Spanja dhe do të thotë supë e ftohtë.

Zgjodhëm ta bënim kryefjalën e këtij artikulli sepsë është koha ideale dhe sezoni në të cilën ky gatim përgatitet më shumë se kurrë, kjo falë perimeve të stinës si domatet dhe kastravecët, të cilët janë gjithashtu dhe baza kryesore e kësaj supe, bashkë me hudhrat.

Gazpacho në origjinë është një pjatë e varfër, e krijuar nga fshatarët e rajonit jugor të Andaluzisë, që punonin tokën dhe kërkonin diçka të lehtë e të freskët për të ngrënë pas orëve të punës.

Shpeshherë ata shtonin si përbërës edhe disa copëza akulli, për ta mbajtur supën sa më të freskët.

Shërbehej në mënyra të ndryshme si kokteil, antipastë, si supë duke u shoqëruar dhe me bukë të thekur, me vezë të ziera, qepë ose si salcë.

Vera është përpara dhe Revista Shije si gjithnjë po merr masat t’jua bëjë edhe më të lehta e të freskëta ditët e nxehta. Receta që do të ndajmë me ju është versioni origjinal i Gazpachos, por padyshim ka hapësira për ta personalizuar me përbërës shtesë, që ju pëlqejnë dhe plotësojnë shijet tuaja.

Ideja mbetet e njëjtë: një supë e ftohtë e bërë nga perimet e stinës, të përpunuara në blender!

Përbërësit:

  • 5 domate mesatare të pjekura mirë
  • 1-2 kastravecë
  • 2 thelpinj hudhër
  • 1 spec i kuq
  • 1 spec jeshil
  • 1 qepë e kuqe
  • vaj ulliri
  • uthull
  • pak tul buke i njomur në ujë dhe i shtrydhur mirë
  • piper i zi
  • piper i kuq
  • kripë

Përgatitja:

  1. Pasi të keni larë perimet dhe t’i keni prerë në copa më të vogla, bashkoni domatet, kastravecin, hudhrat, qepën, specat, tulin e bukës në një blender dhe i përpunoni në shpejtësi të lartë për të paktën 2 minuta, në mënyrë që të bëhen sa më kremoze.
  2. Shtoni uthull, vaj ulliri, piper dhe kripë në kohë të ndryshme, gjatë përgatitjes dhe i lini të trazohen mirë.
  3. Masën e përftuar e kaloni në sitë dhe mund t’i shtoni pak ujë nëse është më e trashë seç duhet. Pjesën e kulluar ruheni për disa orë në frigorifer derisa të ftohet mirë.
  4. Shërbehet me perime të gjalla, copa buke të thekur dhe nëse dëshironi, mund t’i shtoni dhe copëza akulli. Ju bëftë mirë!

Përbërës të tjerë opsionalë janë avokado, shalqiri, rrushi, ushqimet e detit etj.