Zyrtarët që kanë konflikt interesi

577
Përparim HALILI

Konflikti i interesit, 380 zyrtarë në tatime nuk do të kenë biznese, lejohen në 135 institucione të tjerë
Urdhër i ILDKP, për evidentimin dhe kufizimin e bizneseve të zyrtarëve vetëm për një sektor shtetëror 
Në ministrinë e Financave ka shumë drejtues, deri tek ish-ministri, të cilët kanë biznese që kontrollohen financiarisht nga tatimet e doganat, por edhe në gjithë sektorët shtetërorë të shërbimeve që nga ushqimi, tregu, ujësjellësit, rrugët, transporti, energjia, doganat, tatimet, arsimi, kultura etj., të cilët drejtohen e kontrollohen nga zyrtarë e nëpunës që kanë biznese në këto sektorë
Katër ditë më parë, kreu i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Shkëlqim Ganaj ka nxjerrë një urdhër të posaçëm, sipas të cilit, përcakton zyrtarët dhe funksionarët e administratës tatimore të çdo niveli të këtij shërbimi, të cilët duhen kufizuar në veprimtarinë e tyre, kur veprimtaria e tyre zyrtare ka lidhje me konflikt interesi gjatë ushtrimit të detyrës. Këtë kufizim e përcakton Urdhër Nr. 809, datë 25. 05. 2017 i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave, me objekt: “Për përcaktimin e kategorisë së zyrtarëve të administratës tatimore, të cilët i nënshtrohen kufizimeve të nenit 32, të ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”(të ndryshuar). Sipas këtij urdhri, funksionarët dhe punonjësit e shërbimit tatimor, nuk duhet të zotërojnë në mënyrë aktive, asnjë aksion ose pjesë në kapital në shoqëritë tregtare, që shlyejnë detyrimet tatimore ose ushtrojnë veprimtari sipas fushës apo juridiksionit territorial, të kategorizuar sipas funksionit do të jenë. Ky është një veprim administrativo-ligjor që duhet përshëndetur. Po përse vetëm për funksionarët dhe zyrtarët e nëpunës të shërbimit tatimor e jo për të gjithë zyrtarët, sipas sektorëve përkatës, ku ata drejtojnë ose shërbejnë e kryejnë detyra shtetërore. Psh., përse të mos ndalohen të kenë biznese drejtuesit dhe zyrtarët e Autoritetit të Kontrollit ushqimor, kur dihet që afro 90% e tyre në qendër e në qarqe kanë biznese ushi9more, të cilat ose duhet t’i kontrollojnë vetë për cilësinë dhe sigurinë ose kolegët e tyre, duke kontrolluar njeri-tjetrin? E po kështu, në sektorin e shëndetësisë, ku 80% e drejtuesve që nga ministria e deri tek ambulancat kanë biznesi në shërbimin mjekësor! përse nuk duhen kufizuar edhe këta, por lejohen jo vetëm të jenë në punë shtetërore, por edhe të kenë biznese e të punojnë në bizneset e tyre, shumica e të cilave ka si objekt pacientët, ilaçet, rimbursimet, operacionet e shumë shërbime të tjera. Po kështu edhe në ministrinë e Financave, ka shumë drejtues deri tek ish-ministri Ahmetaj, që kanë biznese që kontrollohen financiarisht si dhe tatimet e doganat! Në gjithë sektorët shtetërorë të shërbimeve që nga ujësjellësit, rrugët, transporti, energjia, doganat, tatimet, arsimi, kultura etj., drejtohen nga zyrtarë dhe kanë nëpunës me biznese në sektorët ku ata punojnë. Kush i kontrollon? Si i kontrollon? Sa dhe si i zbatojnë detyrimet ligjore? Përse Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave nuk i kufizon edhe zyrtarët e institucioneve e shërbimeve të tjera shtetërore?! Në vijim gazeta “telegraf” do të publikoj emra zyrtarësh të lartë që kanë biznese që kanë lidhje me institucionet ku ata punojnë e drejtojnë… 
Ja drejtuesit, zyrtarët dhe inspektorët e 32 sektorëve në tatime, që nuk duhet të kenë biznese 
1. Drejtori i Përgjithshëm 
2. Zëvendësdrejtorët e përgjithshëm 
3. Kabineti: Drejtor Kabineti-Këshilltar 
4. Drejtoria e Investigimit të Brendshëm (DIBA): Drejtor drejtorie-Inspektorët 
5. Drejtoria e Auditit të Brendshëm: Drejtor drejtorie-Inspektorët 
6. Drejtoria e Hetimit Tatimor: Drejtor drejtorie 
7. Sektori i Hetimit Tatimor: Përgjegjës sektori – Inspektorët 
8. Sektori i Analizës: Përgjegjës sektori-Inspektorët 
9. Sektori i Zbatimit (Task Forcë): Përgjegjës sektori/zyre-Inspektorët 
10. Sektori Parandalimit të Pastrimit të Parave: Përgjegjës sektori-Inspektorët 
11. Drejtoria e Menaxhimit të Riskut: Drejtor drejtorie 
12. Sektori i Përmbushjes: Përgjegjës sektori-Inspektorët 
13. Sektori i Analizës së Riskut: Përgjegjës sektori-Inspektorët 
14. Drejtoria e Shërbimit të Tatimpaguesve: Drejtor drejtorie-Përgjegjës sektori 
15. Drejtoria e Mbledhjes me Forcë: Drejtor drejtorie 
16. Sektori i Monitorimit të Marrëveshjeve: Inspektorët 
17. Sektori i Menaxhimit dhe Analizës së Detyrimeve të Papaguara: Përgjegjës sektori-Inspektorët 
18. Drejtoria e Analizës dhe Kontabilitetit: Drejtor drejtorie-Përgjegjës sektori 
19. Drejtoria e Kontrollit Tatimor: Drejtor drejtorie-Sektori i Transferimit të Çmimit 
20. Përgjegjës Sektori-Inspektorët 
21. Sektori i Kontrollit Tatimor: Përgjegjës sektori-Inspektorët 
22. Sektori i Cilësisë dhe Standardizimit të Procedurave: Përgjegjës Sektori-Inspektorët 
23. Drejtoria Rimbursimit të TVSH: Drejtor drejtorie-Inspektorët 
24. Drejtoria Ligjore dhe Teknike: Drejtor drejtorie-Përgjegjës sektori 
25. Drejtoria e Teknologjisë së Informacionit: Drejtor drejtorie-Përgjegjës sektori 
26. Drejtoria e Menaxhimit të Projekteve: Drejtor drejtorie-Inspektorët 
27. Drejtoria e Administratës dhe Prokurimeve: Drejtor drejtorie-Përgjegjës sektori 
28. Drejtoria e Burimeve Njerëzore: Drejtor drejtorie-Përgjegjës sektori 
29. Qendra e Pagesave: Drejtor Qendre 
30. Qendra e Thirrjeve: Drejtor Qendre-Përgjegjës sektori 
31. Drejtoritë rajonale: Drejtor Rajonal, Drejtor Drejtorie/Drejtor i Mbledhjes së Borxhit/Kontrollit Tatimor/Analizës dhe IT/Hetimit Tatimor/Shërbimit të Tatimpaguesve /Mbledhjes me Forcë, Përgjegjës sektori/zyre-Inspektorët. 
32. Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj: Drejtor drejtorie-Drejtor Drejtorie/Mbledhjes së Borxhit/Kontrollit Tatimor/Analizës dhe IT/Shërbimit të Tatimpaguesve, Përgjegjës sektori- Inspektorët. 
Sigal