“Zogu i zi” i Laura Nezhës, një përballje shpirtërore dhe fizike

680
Sigal

Vepra teatrore “Zogu i Zi” shkruar nga David Harrower, një prej dramaturgëve më të mirë të skenës britanike vjen premierë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Mbrëmjet e datave 10 dhe 11 korrik në sallën “Molier” do të flitet përmes recitimit të aktorëve Laura Nezha, Alfred Trebicka dhe Rexhina Ibro (vajza e vogël), për raportet komplekse të një minoreneje dhe një 41-vjeçari. Një histori e bazuar në një ngjarje të vërtetë të kronikës. Vepra me regji nga Kiço Londo është përkthyer nga Danila Nika. Premiera së shpejti do të jetë në skenë dhe regjisori Kiço Londo tregon se ka qenë tema interesante e pjesës, që e ka ngacmuar për ta sjellë në skenën e teatrit. “Një temë që ka të bëjë me diskutimin e temave të nxehta matanë kufijve ligjore dhe moral. Është një vepër shumë e fortë e David Harrower, që është një dramaturg bashkëkohor”, tregon regjisori. Vepra është vënë për herë të parë në skenë në 2006 në festivalin e Edinburgut, dhe ka pasur një impakt të madh, duke u vënë dhe në skena të tjera. Regjisori Kiço Londo tregon se kjo vepër nuk ka munguar as në Hollivud. “Është ekranizuar dhe është nominuar për shumë çmime. Mendoj se është një vepër moderne e denjë për repertorin Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Ka disa të veçanta, fakti që ndërvarësia e fjalës është shumë fizike, dialogu është një përballje e shpirtërores me truporen dhe personazhet pushtohen nga dëshira për të dëgjuar të vërtetën”, vijon Londo. Sipas regjisorit, spektatori në këtë vepër provokohet në dy drejtime. “Së pari provokohet në drejtimin e çfarë ka ndodhur 15 vjet më parë, kur vajza ishte 12 vjeçare dhe burri 41, dhe së dyti duke mësuar se çfarë ka ndodhur spektatori bëhet kurioz dhe interesohet se çfarë do të ndodhë momentalisht që ata janë takuar. Vepra shoqërohet nga një hetim reciprok dhe ashtu siç shtrohen pyetje që marrin përgjigje, përgjigjet që merren shtrohen përpara dy aktorëve dhe përpara spektatorit pyetje të tjera. Në shfaqjen tonë jemi munduar që të kontrollomë atë që nuk thuhet”, shprehet regjisori Kiço Londo. Por kjo premierë që në datat 10 dhe 11 korrik në orën 21:00 do të shfaqet në teatër ka në role dhe dy aktorë shumë të mirë. Regjisori Kiço Londo vlerëson këtë bashkëpunim me aktorët, ku Alfred Trebicka për herë të parë është si aktor në një shfaqje të tij. “Alfred Trebicka është një aktor që unë punoj për herë të parë si regjisor, por që më parë ka qenë pjesë e shfaqjeve në Teatrin Eksperimental. Një aktor shumë i mirë dhe me përvojë të gjatë në teatër shpeshherë edhe në kinema. Besoj që me përkushtimin e tij e kanë ndihmuar shumë provat, dhe do të jetë një e papritur tjetër, ashtu si dhe Laura Nezha, aktore që ka rritje të vazhdueshme. Mendoj që rri shumë mirë në krah të Trebickës dhe do të realizojë një figurë të një përmase ashtu sikundër “Mbretëresha e bukurisë” apo “Antigona” që do të jenë pika të fuqishme në karrierën e saj”

Vepra në skenë

15 vjet pas historisë së dashurisë tragjike në kohë të gabuar të 12 vjeçares Una me 41 vjeçarin Rei, histori e cila ka shkatërruar jetët, Una shfaqet përpara tij. Ajo ka ngrirë në kohë, pa shpresë. Në pamje të parë, duket sikur Una vjen për hakmarrje, për larje hesapesh, por motivet e ardhjes janë më komplekse, sepse marrëdhënia e tyre ka qenë më e komplikuar se marrëdhënia e abuzuesit me viktimën. Ajo, e siguron se e do. Ai, i shtërnguar dhe në ankth, e siguron se nuk ka pasur ndjenja për ndonjë vajzë tjetër aq të re, duke u përpjekur për t’i shpëtuar përmbytjes së një dashurie të çmendur, që te Una ka mbetur e njëjtë. Kujtimet erotike përzihen. Intesiteti arrin kulmin ndërkohë që personazhet zbulojnë ndjenjat dhe të vërtetat e fshehura mirë ndër vite, në lidhje më atë që realisht ka ndodhur para 15 vitesh. Dy fantazma të së tashmes, të pafajshëm sa dhe fajtorë, dy njerëz që jetuan diçka të mrekullueshme dhe të frikshme njëherësh, që shoqëria dhe ligji i etiketoi abuzuesi dhe viktima. “Zogu i Zi” është një pjesë e tmerrshme teatrore, thellësisht shqetësuese, emocionalisht e brishtë që të lë pa frymë dhe të prekur. Pjesa ka poezi të brendshme dhe shoqërohet me tërbim, frikë dhe të panjohura. Në thelb vepra teatrore “Zogu i Zi”, fton që shoqëria të dialogojë për sa i përket çështjeve të nxehta duke përfshirë kufijtë ligjor si dhe pozicionin human në botën moderne. Skenograf në vepër është Beqo Nanaj, kostumografe Sofi Kara, koreograf Graciano Tagani, as/regjisor Marsel Greva.