Zharina Sinani: Femra shqiptare sot ndihet e vlerësuar në çdo aspekt

805
“Shqipëria për mua është atdheu dhe si i tillë unë e shikoj gjithmonë me dashuri. Gjatë kësaj vizite nga ana e këndvështrimit tim ajo është gjithmonë në zhvillim, aktive në të gjitha aspektet. Megjithatë vizita ime ishte e kufizuar për të shprehur një mendim më të hapur, për faktin e kohës së shkurtër, por edhe të qëndrimit tim që kryesisht i ishte dedikuar promovimit të librit. Mund të them që gjeta një atmosferë emocionante në Panairin e librit, mora pjesë në një Konferencë interesante mbi emigracionin. U takova me miq, por njoha edhe të rinj, me ata të cilët mund të flasësh me dëshirë por edhe të ballafaqohesh me kohën që ka shkuar, ndryshimet që kanë ndodhur, literaturën që ata i ka formuar dhe ajo që të ka formuar edhe ty, por edhe mënyrën e ndryshme të të shprehurit apo edhe të mendimit”, kështu e fillon bisedën për “Telegraf” shkrimtarja Zharina Sinani. 
-Çfarë të ka bërë më shumë përshtypje në Shqipëri, vizitën e fundit? 
Gjithçka ishte interesante, por përshtypje më lanë studentët në diskutimin mbi veprat e Lev Tolstoit. Mendoja se të rinjtë nuk lexonin me aq dëshirë klasikët sa ne në atë kohë, ndoshta edhe për faktin që ata kanë shumë mjete të tjera komunikimi e kuriozitete me anë se cilës mund të kalojnë kohën. Kur i dëgjova që flisnin me aq pasion dhe komentonin për Ana Kareninën dhe për jetën e autorit, më mahnitën. 
Shumë vizita në disa qytete, kush ka qenë më mbresëlënësi? 
Tirana, sepse është rritur në një mënyrë të jashtëzakonshme dhe po merr forma si të gjitha kryeqytetet e Evropës…Ndërsa në qytetet e tjera nuk kam parë ndonjë ndryshim domethënës. Ndoshta më ka lënë më shumë mbresa riviera e Jugut, ose vendet që më lidhin me kujtimet e fëmijërisë të cilat kanë ngelur të njëjta. – Ju këto ditë promovuat një libër….., Mund Të na thoni për tematikën e librit? Cila ishte shtysa? Faktikisht, promovova librin “Gotat e Kristalit”. Libri im është një histori dashurie, që ambientohet në Athinë. Unë jam munduar ta sjell atë si diçka romantike kur përjeton një ndjenjë të fortë. Por edhe kufizimet nga kultura, ndjeshmëria, pasiguria që mënyra e jetesës dhe emigrimi ka krijuar. Në këtë libër besoj të kem sjelle konfliktin ndërmjet ndjenjës dhe logjikës, emigracioni, hap argumentin për të gjetur vetveten,etj. Gjithçka erdhi natyrshëm duke marrë frymëzim nga vendet, personat, problemet që unë apo të tjerë janë përplasur gjatë jetës. Për mua u bë një domosdoshmëri që ta shkruaja sepse këto mendime më rrotulloheshin dhe kishin filluar të përpunoheshin brenda meje,në fillim të merrnin formën e shënimeve dhe më vonë të një romani. E shkrova me dëshirë të madhe dhe ndihesha shumë mirë kur hyja në botën e tij, ishte një botë më vete që më sillte kënaqësi kur unë i jepja forma personazheve dhe ngjarjeve.
Një bashkëpunim me Shtëpinë Botuese prestigjioze “Toena” si do ta cilësonit këtë shtëpi botuese dhe bashkëpunimin me të? 
Për mua Shtëpia botuese “Toena” është një shtëpi ku punohet me pasion, seriozitet dhe profesionalitet. Jam në hapat e para, por gjeta tek kjo shtëpi botuese mikpritje dhe korrektësi, shpresoj që bashkëpunimi ynë të vazhdoj. Ku ishte vështirësia e këtij libri? Vështirësia e këtij libri ka qenë periudha e gjatë e shkrimit, që unë për motive të ndryshme ( familjare, pune) nuk arrija t’i dedikoja kohë të mjaftueshme për ta mbaruar dhe për ta publikuar. 
– Ku e ndjen veten më mirë në prozë apo poezi? 
Unë personalisht ndihem mirë kur shkruaj prozë, sepse mund të shprehesh më direkt dhe fjalët mund ti ndërthurësh si të duash. Proza është ajo që mua më pëlqen të shkruaj dhe të lexoj, po kjo nuk do të thotë që nuk e vlerësoj poezinë. 
Me syrin e një patrioteje, çfarë i mungon më shumë Shqipërisë në këtë situatë? 
Të krijoj kushtet e përshtatshme, të njëjta me ato të standardeve të vendeve evropiane. 
Mendoni se femra e ka më të vështirë të hyjë në tregun e librit? 
Nuk mund të them diçka të tillë, për arsye, sepse unë nuk u përplasa në asnjë ndalesë apo vështirësi, përkundrazi me mikpritën. 
A ndihet e vlerësuar femra shqiptare në krijimtari? 
Për mua është e parakohshme që ta them. Por mendoj se, po e shikoj femrën shqiptare mjaft të përparuar dhe të vlerësuar në çdo aspekt. 
-Letërsia shqiptare e emigracionit, a mendoni se është një letërsi e re dhe pse? Është një letërsi e re, e cila ishte e pamundur që të mos lindte për faktin e ndryshimeve sociale e politike që përshkoj vendi ynë. E re dhe e pasur, sepse ajo pasqyron këtë kohë, këtë moment që ne po përjetojmë , e rritur nën frymën e regjimit dhe e pasuruar me kulturat dhe letërsitë e tjera. Është një letërsi që duhet përkrahur, duke i dhënë të drejtën për të përshkruar sa më mirë këtë periudhë, është një urë që lidh dy realitete të ndryshme. Kjo është një letërsi ndryshimi dhe një shtegdalje e re për të pasqyruar letërsinë shqiptare në botë. Kam vënë re që po e tërheqin më shumë vendet e huaja të cilët janë natyrisht më kuriozë, dhe ndjekin me vëmendje ndryshimet letrare dhe historike. 
-Keni menduar të ktheheni në Shqipëri përfundimisht? 
Sigurisht në këtë moment të jetës time jo, në të ardhmen është në mendimet e mija 
Sigal