Zhani Ciko: Dokumentacion tingëllues i historisë së muzikës shqiptare në TKOB

608
Sigal

INTERVISTA/ Flet drejtori i TKOB, Zhani Ciko për veprimtaritë në kuadrin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë

Me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë TOB dhe Ansambli i këngëve dhe Valleve ka vënë në skenë shumë pjesë, të cilat, ose vihen për herë të parë, ose kanë vite të tëra që nuk janë vënë në skenë. Jo vetëm kaq, por ky institucion i madh kulturor ka dhënë shfaqje në shumë vende evropiane duke përçuar ngjyrën festive të atdheut tonë me rastin e 100-vjetorit. Opera “Lulja e Kujtimit, “Pena e muziktarëve”; vepra  “Bashkimi i Shqipnisë” në vitin 1881,  i Palok Kurtit  i shkruar dy vjet pas Lidhjes së Prizrenit, vepra të tjera të Kujtim Gjokës, të Thoma Nasit, Fan Nolit kanë qenë në agjendën e këtij institucioni.

Cili ka qenë programi i TOB dhe Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve për këtë 100-vjetor të shpalljes së Pavarësisë?

Ky vit ka qenë i gjithi një vit plot aktivitete kushtuar 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Të gjitha veprat, koncertet, këngët, kërkimet  i kushtohen këtij 100-vjetori. Tituj veprash që prej vitesh nuk ishin vendosur në TOB, me këtë rast janë shumë, por unë do të ndalem tek ato që nuk ishin vënë në skenë prej shumë e shumë vitesh. Të tilla janë Opera “Lulja e Kujtimit”,  që solli një atmosferë ndryshe, pasi ngjarjet e saj zhvillohen në periudhën e Rilindjes. Apo veprën “Pena e muziktarëve”  të hershëm  që nxorën dorëshkrime që nuk ishin parë asnjëherë, pra tingulli nuk ishte dëgjuar në skenë. Këta tinguj nuk kishin mundur të tingëllonin apo dokumenti i parë i muzikës shqiptare “Bashkimi i Shqipnisë” në vitin 1881, i Palok Kurtit, i shkruar dy vjet pas Lidhjes së Prizrenit.  Vepra të tjera të Martin Gjokës, të Thoma Nasit, Fan Nolit të cilat u ekzekutuan dhe mbetën si një dëshmi e gjallë e asaj çka muzika jonë ka ekzistuar në periudhën para  institucioneve shqiptare. Këto janë një dokumentacion tingëllues i historisë së muzikës shqiptare, për të cilat sa janë përmendur shkarazi në librat tanë, por që asnjëherë nuk ishin vënë ën skenë më para apo nuk ishin dëgjuar si tingull. Po kështu vepra të tjera janë, Antologjia e gjithë veprave shqiptare  që lidhen me periudhën që nga më e hershmja dhe deri  tek Pavarësia (nga veprat tona), si “Gjergj Elez Alia” (që u vu tërësisht në skenë),  “Halili dhe Hajria” dhe më vonë “Lumi i vdekur” dhe balete  dhe opera me një koncert dy orësh për krijimtarinë tonë, (pra një antologji e tërë).

Ku e arriti kulminacionin operës “Skënderbeu” e Prenk Jakovës?

Kulminacioni i kësaj pjese ishte vënia  në skenë e Operas “Skënderbeu” e Prenk Jakovës pas një periudhe 40-vjeçare që  ishte shfaqur më parë e cila u ngjit në skenë  me një pjesëmarrje shumë të madhe, prej 200 artistësh dhe që para disa ditësh pati një jehonë të jashtëzakonshme në Shkup, në teatrin e Operës të Shkupit, ku  TOB jonë ishte ftuar nga komuna e Çairit, nga Drejtoria për Kulturën dhe Informacionin e Shkupit. Një shfaqje shumë mbresëlënëse  që u ndoq gjerësisht nga shqiptarët e Maqedonisë, por edhe nga intelektualë, artistë  të Operës të Shkupit. Kjo opera u dha në transmetim direkt nga disa televizione në program satelitor  dhe pati një jehonë  të paparashikuar, për të gjithë ne që ishim me këtë trupë aty. Po kështu “Ritual i jetës” që u shfaq para disa javësh në Kosovë në Pallatin e Sportit pati  një jehonë po kaq të madhe dhe që u transmetua në satelit nga disa televizione. Tani jemi në prag të përgatitjes të disa koncerte, aktiviteteve të rëndësishme ku një  trup e madhe totale e TOB dhe Ansamblit të këngëve dhe të valleve do të shkojë në diasporë në të gjitha viset, dhe pas kësaj kemi premierën e operës “Skanderbeg” të Antonio Vivaldit, që është një ngjarje  e madhe me jehonë jo vetëm për Shqipërinë por edhe jashtë. “Skanderbeg” është rivënia, e një vepre që është shfaqur për herë të parë në 1740 në inaugurimin e Teatrit të Operës La Pergola në  Firence dhe e cila është  e rigjetur e restauruar nga kompozitori Veneruçi dhe e ripunuar si libret nga principe të ringjallet në skenë një vepër, e cila i bën nder kulturës shqiptare, heroit tonë Kombëtar, historisë shqiptare, një vepër e rrallë e shkruar nga një personalitet që i kishte të gjalla luftërat e Skënderbeut , që i kalon përmasat e një ngjarjeje muzikore.

Cilat kanë qene vështirësitë në realizimin dhe vënien në skenë të gjithë këtyre veprave?

Vështirësia më e madhe ka qenë deri në momentin kur ne realizuam  një kalendar të shfaqjeve dhe të vendosnim  gjithë koordinimin e punës për këto vepra. Dihet se me veprat e pashfaqura apo ato të shfaqura para shumë kohësh, që kanë humbur nga repertori koherent, problemet janë shumë më të madhja, sepse gjatë rrugës ka dhe gjëra të papritura, pra duhet të lesh kohën e duhur për ti menduar dhe realizuar ato. Problemi i parë me këto vepra është dixhitalizimi i tyre, mos përdormi më  i dorëshkrimeve  të cilat në atë gjendje mund të shkatërroheshin përfundimisht. Kështu që edhe operën “Skënderbeu” dhe vepra të tjera janë dixhitalizuar dhe tani janë në fondin e teatrit në mënyrë që  kjo krijimtari tashmë është e padëmtueshme. Këtu kërkohej një punë më e madhe redaktoriale, për të korrigjuar çdo notë, për të gjetur mundësi për të parë  mënyrën se si ishin bërë sepse shumë gjëra ishin të dëmtuara nga koha dhe ishin vënë në dyshim. Duke pasur fatin që këto vepra  i kam njohur  me kohë dhe kam qenë pjesëmarrës në to që në premierë, kjo më ka ndihmuar që t’i rikuperojmë më thjesht. Po kështu me veprat të hershme të kompozitorëve shqiptarë  është bërë një punë e madhe në arkivin e shtetit dhe në arkivat  e familjeve që i kanë ruajtur këto vepra, për ti marrë për ti grumbulluar, për të gjetur ato më të përshtatshmet për ti bërë pjesë në një shfaqje, koncert të vetëm  duke ruajtur përmbajtjen dhe thelbin muzikor, për vënien në skenë. Shumë ngjarje si “Kongresi i Lushnjës” , “Besëlidhja e Lezhës”, dhe ngjarje të tjera kanë pasur brenda tyre materiale muzikore  të institucionit tonë dhe punën e artistëve . Nuk ka artist në opera që këtë vit nuk i është kushtuar muzikës shqiptare të asaj kohe të hershme dhe atyre që bëhen sot. Po kështu një  nga vështirësitë e tjera ishte dhe gjetja e artistëve, të cilët  duhet të ishin të përshtatshëm për të sjellë në skenë denjësisht këto role,  pasi nuk mund t’i shikosh si rastet e tjera as në DVD as në CD apo video kaseta, por do ti krijoje direkt në skenë.  Krijimi i atmosferës skenike tek Opera gjigande “Skënderbeu”, kostumet,  që u krijuan apostafat me këtë art ambienti skenik, përdorimi i teknikave moderne, të videoprojeksioneve  që u bënë në këto shfaqje janë sërish një kontribut tjetër  i madh që TKOB bën për t’i paraqitur këto vepra në nivelin e versioneve veprave më të mira skenike të institucionit tonë. Nga ana tjetër vështirësi  ishte parashikimi i të gjitha detajeve të realizimit që  nga ekonomizimi i fondeve, mundësit  e tjera dhe organizmi i lëvizjes së trupave. Asnjëherë TOB brenda një viti  nuk ka  lëvizur me trupën totale tonën me 200 vetë  ose dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve  në Kroaci, apo dhe orkestra jonë që ishte në Festivalin  Drubovnikut,  apo në Siros të Greqisë grupe të ndryshme artistike shkojnë dhe vijnë  ku një pjesë sa u kthye nga Strasburgu, ku dhanë në Parlamentin Europian, një shfaqje, tregojnë për angazhimin total të institucionit tonë për këtë 100- vjetor. Pra është një lëvizje e madhe dhe një gjallëri krejt e ndryshme  nga herët e tjera.

Po finalizimi më 28 Nëntor si parashikohet të jetë?

Në 28 Nëntor do të jetë një eveniment dhe  koncert shumë i madhe ku në këtë  koncert ku do të shfaqet një pjesë e kësaj veprimtarie  ku ka një grup të madh që punon për të. Do të jetë një koncert që i kalon përmasat e institucionit tonë ku ne jemi pjesë e qenësishme e këtij koncerti, ku do jetë një mbrëmje ndryshe, festive, me një përmbajtje të thellë patriotike.

ZHANI CIKO, “QYTETAR NDERI” I QYTETIT TË DURRËSIT

Është vlerësimi më  i madh që i është bërë punës sime në prag të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Ky nderim i madh në një qytet me vlera të rralla vjen si rezultat i një bashkëpunimi trevjeçar që unë kam bërë me grupet e ndryshme artistike të këtij qyteti në fund të viteve 1990. E vlerësoj shumë këtë titull, mbasi ai përbrenda mbart shumë emocione, pasi Durrësi është një qytet kulturëdashës dhe me reputacion në këtë fushë. Falënderon në mënyrë të veçantë kryetarin e Bashkisë së qytetit të Durrësit si dhe shoqatat artistike të këtij qyteti që e kanë vlerësuar në maksimum punën time.

NË TKOB, SË SHPEJTI…

Tani jemi në prag të përgatitjes të disa koncerteve, aktiviteteve të rëndësishme, ku një trup e madhe totale e TKOB dhe Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve do të shkojë në diasporë në të gjitha viset, dhe pas kësaj kemi premierën e Operës “Skanderbeg” të Antonio Vivaldit, që është një ngjarje  e madhe me jehonë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe jashtë. “Skanderbeg” është rivënia, e një vepre që është shfaqur për herë të parë në 1740 në inaugurimin e Teatrit të Operës “La Pergola” në Firence dhe e cila është  e rigjetur e restauruar nga kompozitori Veneruçi, dhe  e ripunuar si libret nga Prinçipe të ringjallet në skenë një vepër e cila  i bën nder kulturës shqiptare, heroit tonë Kombëtar, historisë shqiptare, një vepër e rrallë e shkruar nga një personalitet që i kishte të gjalla luftërat e Skënderbeut, që i kalon përmasat e një ngjarjeje muzikore.