Zhabjakët e moçalit duan të rrëzojnë drerin e malit

749
Gaqo Veshi *
Disa studiues të “zotë” e analistë të “shquar”, si Mark Marku apo Artur Zheji e ndonjë tjetër, nuk u durohej sa të ndërronte jetë Dritëro Agolli, që të shfrynin mllefet e vjetra. Njëri thotë se “Dritëroi ka dhënë “OK” për pushkatime poetësh” Tjetri shkon edhe më tej, se “Dritëro Agolli ishte Enver Hoxha i letërsisë” dhe, sipas tij “e ka banalizuar letërsinë” pasi ka qenë bashkëpunëtor i Enver Hoxhës, se ka drejtuar Lidhjen e Shkrimtarëve në periudhën më të errët të saj”. Në gjykimin e tij si “lexues shumë i mirë i letërsisë shqipe”, Dritëro Agolli nuk është një shkrimtari më i mirë i letërsisë shqipe” aq sa nuk krahasohet edhe me poetet e rinj, që shkruajnë sot“ (dhe shënon ca emra, që zor se mbahen mend). se letërsia e rij “është shumë banale”. Si duket për zotin Mark e ndonjë bilmez tjetër, kryevepra e letërsisë “morale” është përmbledhja poetike “Vrima”. Sipas këtyre analistëve e studiuesve “shumë të mirë të letërsisë shqipe” Dritëro Agolli na i paska “shkaktuar dëm letërsisë shqipe, pasi ai “regjim favorizonte ata shkrimtarë, që bashkëpunonin me diktaturën” Por harrojnë këta studiues e analistë të “zot” se ai regjim i çmendur, mund të shpinte këdo në burg a në litar, të bënte fajtor pa faj, pa pyetur nëse ishin kryetarë, gjeneralë apo poetë e shkrimtarë. Përbindëshit nuk mund t’i dilje ballë për ballë, por duhet t’i bëje dredha për të jetuar. Sipas tyre, Dritëro Agolli ka shkruar vetëm këngë për Enver Hoxhën, kurse shkrimtarë të tjerë e kanë urryer, dhe na radhitin disa emra disidentësh.. E dinë këta “lexues shumë të mirë të letërsisë shqipe”, se edhe Naimi i Madh ka shkruar vjershë për sulltanin. Këtë e bënte, jo nga respekti e dashuria për të, por të merrte lejen për hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë. E dinë këta zotërinj, se edhe disidenti Kasëm Trebeshina, kur vdiq Stalini, shkroi e botoi poezinë më me frymëzim, që zinte gjysmën e faqes të “Zërit të Popullit. E dinë vallë këta “lexues e studiues shumë të mirë të letërsisë shqipe”, se edhe poeti i “Yjeve të Zemrës”, Lasgush Poradeci, ka shkruar e ka botuar në revistën “Nëntori” vjersha për “planin e hekurt të partisë”, si “Ç’është ai që shkon kaluar./ Porsi gjarpër gjarpëruar./ Është treni i Shqipërisë,/ Plani i hekurt i partisë”. Apo autori i “Hanko Hallës” e “Vidi vidi pëllumbeshë”, Ali Asllani, që për t’i hapur rrugën e botimit të vjershave të rij lirike, shkruante dhe ndonjë “lavdërim” për partinë, si “ Si Shqipëri e re shqiponje,/ Kryezot e kryezonjë,/ E ka fjalën vetëdija./ Është partia”. Për të mos përmendur edhe të tjerë. Ashtu si dhe Kadareja shkruante romanin “Dimri i vetmisë së madhe” që t’u hapte rrugë veprave të tjera të ndaluara. E dinë këta “lexues e studiues të mirë të letërsisë shqipe” se edhe Dritëroit i qe hequr nga qarkullimi libri “Zhurma e ernave të dikurshme” dhe kishte kaluar në brumatriçe për t’u kthyer në karton ambalazhi “Mosha e Bardhë” E akuzojnë poetin, se Enver Hoxha kishte thënë se “poezia e tij është mbrujtur me gjuhën e popullit” Por harrojnë të thonë edhe ato, kur diktatorit s’i vinin pas midesë shkrimet e tij, thoshte: “Këto shkrimet e Dritëroit nga një vesh më hyjnë e nga veshi tjetër më dalin”. Madje këta zotërinj arrijnë të thonë, se Dritëro Agolli: ka qenë si Enver Hoxha i letërsisë“. Sipas tyre Dritëroi paska bërë kërdinë. Paska vrarë e paska prerë, shkrimtarët, piktorët, muzikantët, artistët e Shqipërisë. Dhe na radhisin një sërë emrash që i paska dërguar në atë botë ish-Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, duke filluar me dy poetë e Bërzeshtës së Librazhdit e me radhë. Por kush e ka lexuar dosjen e tyre në prokurorinë e Librazhdit, e di se ishin të tjerë ata që bënin relacione për krijimtarinë e tyre, sipas oreksit dhe porosive nga diktatura. Që për fat të keq i shihnim e i shohim kur jepnin e japin opinione e vlerësime “demokratike“ nëpër studio të televizioneve. Thonë e shkruajnë, se Dritëro Agolli, si Enver Hoxha i letërsisë, paska futur në burg Kasem Trebeshinën, mikun tim Frederik Reshpen, ka “varur” në litar Havzi Nelën në Kukës, e sa e sa të tjerë. Këta “hetues” e “prokurorë“ ku i kanë gjetur këto fakte, që na servirin si “xhevahire” të rralla?! Por fatmirësisht ka burra që nuk i kapërdijë “xhevahiret” e tyre dhe thonë me zë të plot, se “Dritëro Agollin, e duan dhe e vlerësojnë qytetarët e tij, se ai përdor fjalën për të gdhendur zemrën. Studiuesit e vërtetë të letërsisë e cilësojnë “një ndër majat e letërsisë shqipe”. Veprën e tij e çmojnë dhe e duan lexuesit, jo vetëm brenda vendit por edhe në botën demokratike. Vlerësimet për veprën e tij, nuk mbetet t’i japin disa të ashtuquajtur “njohës e studiues” të mirë “të letërsisë” shqipe, por i jep një popull i tërë, nga Veriu në Jug. I japin edhe ata që, sipas këtyre “studiues e opinionistë” i “ka burgosur” Enver Hoxha i Lidhjes së Shkrimtarëve”. Dritëro Agolli, duke mos i kursyer vlerësimet e fjalët e mira për krijimtarinë e tij të madhe, se Dritëroi ishte njeri i rrallë, po kështu është dhe vepra e tij, se ajo do të rrojë sa të rrojë letërsia shqipe. Vepra e tij është një pasuri e madhe për gjeneratat, një pasuri për letërsinë. Ai është i madhi i letërsisë shqipe, gojëmbël, që çdo lexues e deshi dhe e do. Dritëroi është shkrimtar elitar, shumë popullor, por brenda veprës së tij ka elitë, ka pasuri. Është poet e mbetet i tillë deri në fund, pishtar i letërsisë shqipe. “Shqipëria do të ishte një varr pa Dritëronë dhe Kadarenë” shkruan njëri nga të burgosurit. Krijimtaria e Dritëro Agollit nuk çmohet vetëm në vendin e tij, por edhe jashtë kufijve, në Evropë e më gjerë. Për veprën e tij nuk i ka kursyer lavdërimet gazetat e revistat e huaja, duke filluar nga Franca, Gjermania, Italia e me radhë. “Pas Kadaresë, Shqipëria na zbulon një autor me përmasa evropiane, Dritëro Agollin” – shkruan shtypi francez dhe vazhdon duke e quajtur atë “Tartarini i Tiranës”, se “Zyloja” është një kritikë marramendëse e privilegjeve të socializmit“. Se Agolli kritikon ashpër burokracinë e vendit të tij”. Duke e vlerësuar romanin e tij, shtypi i huaj shkruan: “Një roman politik që vjen nga Shqipëria”, duke cilësuar “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” një satirë e tmerrshme e duke e krahasuar me “Ushtarin e mirë Zhvejk” të Hashekut e Don Kishotin e Servantesit, se “autori përshkruan Shqipërinë pa zbukurime”, se “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” është një satirë e tmerrshme ndaj të privilegjuarve të pushtetit.” Duke folur për krijimtarinë e Dritëroit, shtypi gjerman shkruan: “Nga vendi më i mbyllur i Evropës, një roman elegant, sa shumë vetëve mund t’u duket e pabesueshme, që ai shtet i vogël e për të ardhur keq, me më pak banorë se ç’ka Berlini, i cili përjeton një diktaturë të mbyllëse dhe një varfëri të hidhur, nxjerr një vepër të formatit botëror siç është ‘Zyloja’ në traditën e romaneve të mëdhenj”. Duke çmuar veprën e tij, mediet evropiane shkruajnë: “Dritëro Agolli, një ndër shkrimtarët me të lexueshëm, kritikon intrigat, hipokrizitë”. Madje e cilësojnë “satirë brilante ndaj burokracisë” dhe se ai qëndron në traditën e romaneve të mëdhenj humoristikë”, se “Shoku Zylo” është një figurë komike e burokratit që lufton burokracinë në bazë të virtyteve revolucionare në mënyrë burokratike”. E dinë këta zotërinj gjuhëgjatë se, në një seminar të organizuar në Bullgari, pyetjes: “Cilët janë humoristët dhe satirikët më të mëdhenj të shekullit të njëzetë?, Emri i Dritëro Agollit ishte në krye të listës krahas Jerosllav Hashekut, Azis Nesimit, Marti Larnit, Ilf dhe Petrovit.. Edhe ambasadori gjerman në vitin 1989, do të thoshte për Dritëronë se “ vepra e tij është e njohur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera, ndër të cilat edhe në Gjermani”.Që të flasësh për cilësitë dhe vlerat e veprës së Dritëro Agollit, prej disa mijëra faqesh, duhet ta kesh njohur e ta lexosh me vëmendje e dashuri, se përballë hipokrizisë, për rreth mashtrimit dhe pabesisë, Ai mbetet më njerëzori. Prandaj ata që mundohen ta rrëzojnë tani që ai ndërroi jetë, janë si zhabjakët e moçalit që duan të rrëzojnë Drerin e malit. Apo si bretkosat që kuakin në kënetë dhe duan të rrëzojnë Shqiponjën lart në retë.`
*( Shok i miqësisë 69 vjeçare, njohur që më 1949 në Korçë dhe nuk u ndamë deri ditën që Dritëroi u nda nga jeta ) 
Sigal