Zenel Gjonleka e Hodo Aliu

1712
Nga Gëzim ZILJA
Ndër udhëheqësit e kryengritjeve shqiptare, pas vdekjes së Ali Pashë Tepelenës deri në vitin 1854, shkëlqen mbi të gjitha figura madhështore e heroit popullor, që u vra duke luftuar, Zenel Gjonleka nga Kuçi i Vlorës. Pas vdekjes së tij do të ketë një “pauzë” të shkurtër. Trimëria dhe atdhedashuria shqiptare do të shpërthenin si kurrë më parë pas Traktatit të Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit. Do të fillojë një luftë heroike e pabarabartë për mbrojtjen e viseve të banuara nga shqiptarët nga synimet e fqinjëve shovinistë të Malit të Zi, Serbisë, Greqisë dhe vetë Turqisë. Këtë herë shqiptarët do të ishin të vetëm kundër të gjithë botës. Lidhja Shqiptare e Prizrenit, që u themelua më 10 qershor në 1878, ose “Besëlidhja e Madhe” do të ishte e para që bashkoi gjithë viset shqiptare, pas asaj që realizoi Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti, në Lezhë 450 vjet më parë. Epika Historike do të vazhdojë me figurat dhe heronjtë e “Besëlidhjes” së Prizrenit.

Sipas epikës historike
Dërgon Gjonlekë spanoi
Tafil Buzit të mi thoi
Gjoleka s’e turpëroi
Manastir vate qëndroi
Kaftanazin e martoi
Vallë ç’i tha kur e preu
Të fala nga Smail Beu
Me të dyja çe qëlloi
Te një plak vate qëndroi
Me grurë se çe mbuloi
Pesë lira i pagoi. 

Tre vargjet e fundit, gjenden në një botim shumë të vjetër dhe tregojnë që Gjonleka veçse një trim i çartur, ishte dhe njeri praktik e i zgjuar në çdo rrethanë. Kjo e bën figurën e tij shumë njerëzore dhe e çmitizon nga shumë krahasime e teprime (hipi kalit fluturoi/nëpër dyzetmijë shkoi) që janë pjesë e kulturës dhe folklorit tonë. Vrasja e Kaftanazit është dalja e parë e Zenel Gjolekës, në rrethana, që kënga sqaron me hollësi. Ende djal i ri vetëm 24 vjeç, ai do të kryejë heroizmin e parë: do të vrasë Rrushit Beun, pasi ky ishte një nga njerëzit kryesorë, që organizoi vrasjen e Ismail bej Vlorës, (gjyshi i Ismail Qemalit) në vitin 1828, në Janinë. 

Mjaftojnë katër vargje për të dhënë portretin fizik të heroit: 
O Gjolekë lab i Kuçe
Fustani mbi gju hajduçe
Llams dyfeku dyzet strufe(zbukurime)
Çe mban Gjonleka mbi supe.

Zenel Gjon Leka (Gjoleka në dialekt) pas vrasjes së kaftanazit, do të shkëlqente si udhëheqës dhe luftëtar veçanërisht gjatë kryengritjes së viteve 1947-1948 kundër reformave të Tanzimatit. (Për veprimtarinë para vitit 1847, shih shkrimin, Tafil Buzi). Në Kuvendin e Mesaplikut 1847, ai u zgjodh udhëheqës i forcave të Labërisë: 

Mesaplik te rrapi i madh
Vjen Gjoleka me armatë
Bolen, Kuç e Kallarat
Vënë pisqollë e jataganë
Të përpiqen me pashanë.

Kryengritja do të përhapej menjëherë në të gjithë Labërinë:
Dërgoi Gjoleka njerinë
Lumi e Bregu lart të vinë
Çu shkulën që në Kaninë
Janua(Kumiu) me Margaritnë
Gjikë Thanasi vet i pestë
Griu e vrau pesëdhjetë. Dhe më tej: 
Kapëtuan Shënvasinë 
Dhe Nivicë Bubarinë
Kurvelesh krye ngrini
Gra e burra armë vini
Nizam Turqisë mos i ipni
Çu ngrenë o shokë çu ngrenë
Kuç, Kallarat e Bolenë
Treqint niviciotë levendë
Gjashtëdhjetë Golëm qenë
Progonat derë më derë
Lekëdush ata që qenë
Kërcyen në Tepelenë. 

Lufta u shpall, lufta do të bëhet dhe do të ketë heronjtë e saj: 
O Sulo Kallapodhati
Mbahu se të vjen imdati(ndihma)
Osman Kuç(c)i nga Zhulati
Xhaferr Demi nga Filati
Brahim bej Konispolati
Belul Toto Progonati.

Betejat e zhvilluara nga Zenel Gjonleka në krye të lebërve, përfshi dhe atë të fundit, në Mal të Zi, numërohen mbi njëzetë. 
Fol o grik e Peshkëpisë
Fol ti Guverë e shkretë
Fol fush’ e Palavlisë
Me gjak u erdhë rrëketë. Ose tjetër:
Erriu shokë erriu
Gjolekë mandileziu
Ikni o turq se u përpiu
Gjolekë labi me derte
Djemtë çi bëre me vete
O kurveleshasit tanë
Me Gjolekën rrini pranë.

Në luftën e zhvilluar për marrjen e Gjirokastrës vargjet shpjegojnë përse ishin ngritur lebërit, por ajo që të bën përshtypje është sjellja e kryengritësve ndaj popullsisë së pambrojtur: 

Gjonlekë Kuç’ spanoi 
Ndënë Gjinokastrë shkoi
Fishekë e bukë kërkoi
Të keqe ndonjë s’punoi.

Këto vargje që gjenden në librin e Thimi Mitkos,(1881) tregojnë se kryengritësit ishin të disiplinuar dhe nuk shkaktuan asnjë dëm ose plaçkitje mbi popullatën. Pothuaj në të gjitha këngët për kryengritjen e vitit ‘48, krahas emrit të Zenel Gjolekës do të jetë deri në fund të jetës së tyre edhe ai i Hodo Aliut, që përmendet edhe me mbiemrat Nivica ose Labi. Bëmat e tyre do të kalojnë kufijtë e Shqipërisë:

Në Stamboll kartëra dërgojnë
Se raeja po luftojnë
Që në Berat e në Vlorë
U mbush deti me pamporë
S’e dinë me kë lëftojnë 
Me Gjonlekë Kuçin thonë
Gjolekë dhe Hodo Aliu 
Në dorë palla çu ngriu. 

Në betejen e Delvinës, Zenel Gjoleka nuk mundi të mbërrinte në kohë në ndihmë të Hodo Aliut. Ky i bëri ballë ushtrisë së pashait të Janinës vetëm me vullnetarët e tij, djemë të rinj pa shumë përvojë në luftë. 

Bije borë e bie shi
Fush’ e Delvinë çu nxi
Me nizamë e me deli’
I shkreti Hodo Ali
I ka djemtë çilimi ( shumë të rinj)
Thërret me sokëlli
O burra o djemtë e mi
Nuk luftojmë për Greqi
Po luftojmë për Shqipëri (TH.M). 

Kryengritësit e Jugut nën komandën e Zenel Gjolekës, Hodo Nivicës, Dervish Ali Dukatit, Sulo Zenelit,Tartar Memushit, Hajdar Kaninës, Zenel Xhafos, Dule Zotos, etj, shkuan në ndihmë të forcave të Mallakastrës që komandoheshin nga Rrapo Hekali për të pushtuar Beratin. Beteja për marrjen e Kalasë së Beratit ishte nga më të mëdhatë dhe më të lavdishmet:
Po na vjen Zenel Gjoleka
O Rrapo(Hekali) mirë se të gjeta. Dhe më tej:
More Isuf be Berati
Tremij’ aspra të bën ati
Copë, copë t’u bë shtati
Gjak t’u mbulua surrati
Ç’të bëri Gjolekë lapi
Të therri mu si kasapi. 

Qëllimi i gjithë veprimtarisë dhe luftrave të këtij udhëheqësi të madh popullor jepet në vargjet e pavdekshme, që janë një amanet për gjithë shqiptarët deri në ditët e sotme. Pasi përshkruhet lufta në grykën e Kuçit ku lebërit e Gjon Lekës korrën atë fitore të bujshme dhe të paharrueshme: 
Grykë e Kuçit grykë e keqe
Njëmijëetreqind dyfeqe
Çi mban Gjoleka me vete
O Gjolekë a derëzi
Qish nuk tu trëmp ai si?
Nga një goxha Rumeli?
E bëre për lemeri
Bjeri Gjolekë o burrë!
Jo për mish po për lëkurë,…

vijnë vargjet që do të shërbenin si leitmotiv për gjithë luftëtarët shqiptarë të pushkës dhe të penës: 
Pse lufton a derëzi?
As për mua e as për ti

Po për gjithë Shqipëri, që plotësojnë amanetin e përjetshëm: 
U trete Gjolekë u trete
Tuke rënë asaj trumpete
Sos u përpoqe për vete 
Po për gjithë vilajete. 

Gjonleka së bashku me dymbëdhjetë shokë do të rezistonte edhe një vit pas shtypjes së kryengritjes. 
Mbeti Gjonlekë spanoi
Mbeti vet’ i dymbëdhjetë
Dimrin në mal e shkoi
Sa u mbush pylli me fletë. 

Turqit i kapën rob të shoqen dhe djalin e tij Myslimin. I detyruar dorëzohet dhe internohet fillimisht bashkë me shumë luftëtarë të tjerë në Stamboll. Në vitin 1849 Zenel Gjonleka, falet nga Sulltani dhe emërohet guvernator në Jufrë të Libanit. Dy vjet më vonë hyn në shërbimin të Portës së Lartë së bashku me dymijë lebër, për mbrojtjen e territoreve shqiptare, që bënin pjesë asohere në perandorinë turke. Lufta në Mal të Zi, do të ishte dhe fundi i jetës së tij dhe i shumë bashkëluftëtarëve që e ndoqën pas… 
VIJON 
Sigal