Zamira Rubjeka, humanistja shqiptare në SHBA

890
Liljana Pere
Zamira Rubjeka, e lindur dhe e rritur në Tiranë jetoi në Shqipëri deri në 1997. Pas këtij viti prindërit e Zamirës vendosën të largoheshin nga Shqipëria me ndihmën e Konsullatës Polake, ku punonte i ati. U nisën me gjithë vëllain e saj të madh në rrugët e mërgimit pa ditur se çfarë i priste në Poloni dhe pastaj në Gjermani. Po atë vit, Zamirës iu aprovua kërkesa për “Green Card” dhe emigroi sërish në SHBA. Ky ishte fillimi i një jete të re, por të panjohur, shoqëruar me dhimbje për vendin dhe vështirësitë e mëdha. Momenti më i vështirë, shpjegon Zamira, ishte kur u tha lamtumirën të dy prindërve të saj të shtrenjtë. Zamira e edukuar me dashurinë për kombin, me virtytet më të mira, urtësinë, ndjenjën e përgjegjësisë ndaj punës, sinqeritetin, dashurinë për njerëzit, humanizmin, e brumosën Zamirën për të bërë vepra të mira në jetën e saj.
 Diplomohet në fakultetin Ekonomik në Universitetin e Tiranës. Fillon karrierën e saj në Bankën e Kursimeve të Tiranës duke iu dedikuar punës. Më vonë e gjejmë në Bankën Amerikane në SHBA dhe aktualisht është sekretare e degës së “Vatrës” në Tampa dhe anëtare e Këshillit Drejtues në “Vatra NY”, iniciatore e bashkëpunimit me “Albanian American Women”, Organizatën “Motrat Qiriazi”, me znj. Ana Kohen. Zamira është një aktiviste, grua me formim të admirueshëm, atdhetare, patriote e humane, ruan dhe përçon vlerat më të mira njerëzore në SHBA. Merret me çështje bamirësie dhe është anëtare e bordit të degës së “Vatra Tampa Chapter” në Clearwater, Florida (FL). Edukata, bukuria, humanizmi i saj shkojnë sinkron me shpirtin e saj patriotik, si dhe tradita familjare e ndihmës dhe bamirësisë së mirë që është ndjekur dhe nga prindërit e saj gjatë krizës së Kosovës, ku në shtëpinë e saj u strehuan 17 vëllezër e motra kosovare me gjithë fëmijët e tyre. Të gjitha këto janë motive të forta, për Zamirën për të çuar përpara. Kjo traditë familjare po ndiqet dhe nga Zamira, me kurajon, pasionin dhe dëshirën për të kontribuar në komunitetin e Clearwaterit ku ajo punon dhe jeton së bashku me familjen e saj. Zamira është qytetare e hershme nga Tirana me gjenerata. 
Gjyshërit e Zamirës nga ana e babait kanë jetuar në zonën e Medresesë që tiranasit e vjetër e njohin si Mëhalla e Kukajve. Gjyshërit nga ana e nënës janë nga zona e Ishmit të Durrësit. Influencë pozitive ka qenë dhe mbetet gjyshi nga ana e nënës që ishte i njohur për patriotizëm, pajtime gjaqesh dhe si plaku i mençur i asaj zone. Gjyshi (Haxhi Karepi) ka qenë pjesëmarrës në mbledhjen e Mukjes. Gjatë emigrimit në Gjermani Zamira jetoi disa muaj në kampet e refugjatëve dhe pastaj u punësua në një restorant pranë Hanoverit ku punonte mbi 12 orë punë të rëndomta për të kursyer të holla për ëndrrën e saj të madhe, SHBA. Zamira njihte në Amerikë me vëllain e shoqes së saj të ngushtë, që e priti për herë të parë në aeroportin e Nju Jorkut. Shkëputja nga Shqipëria për të dytën herë ishte akoma më e dhimbshme. Këtë radhë ishte matanë oqeanit, në një vend që nuk e kishte shkelur kurrë dhe nuk fliste anglisht. Ajo e dinte që nuk kishte kthim mbrapa dhe momenti më i vështirë ishte kur u tha lamtumirën të dy prindërve të saj të shtrenjtë. I tërë udhëtimi për në SHBA ishte fillimi i një etape të re me shumë të panjohura. Zamira arriti atje vetëm me 2000 USD, që kishte kursyer duke punuar në Gjermani. Jetoi disa muaj në Cunnecticut dhe lëvizi përsëri në Florida. Me ndihmën e disa shqiptarëve u punësua në një fabrikë kompjuterash në Saint Petersburg, ku punonte me orë të zgjatura dhe 7 ditët e javës pa pushim derisa arriti të blinte një makinë të përdorur dhe apartamentin e saj. Vështirësitë ishin të natyrave të ndryshme, nga mosdija e gjuhës, paragjykimi në komunitet si një vajzë që kishte emigruar vetëm deri aty ku jetoi si endacake për disa ditë. 
Ajo ishte e bindur që do t’ia dilte mbanë dhe nuk ngurroi të vinte në provë njohuritë që kishte fituar në Shqipëri në fushën e financës. Tani ajo ka mbi 13 vjet që punon në një ndër bankat më të mëdha në SHBA me një eksperiencë të madhe në huat bankare dhe analiza financiare. Në 2010 Zamira u trondit shumë nga lajmi që nëna e saj u diagnostikua me kancer. Ajo bëri të pamundurën, për të ndihmuar nënën e saj që vuante nga dhimbjet. Pasi arriti ta sillte në SHBA dhe me vite me sakrifica duke luftuar me jetën, nëna e Zamirës i mbijetoi kancerit dhe gëzon shëndet të plotë. Kjo eksperiencë e vështirë, por me një fund pozitiv bëri që Zamira të jetë më e ndjeshme ndaj njerëzve me nevoja dhe të sëmurëve. Për herë të parë në bashkëpunim me Semsedin Yasar nga Shkupi, ajo punoi për të mbledhur fonde për djalin e vogël shqiptar, Andi Cali. Historia e këtij djali të vogël ia rrëmbeu zemrën dhe nuk ngurroi të kërkonte fonde në biznese të ndryshme shqiptare. Me ndihmën e disa vullnetarëve të tjerë u organizua mbrëmja e bamirësisë ku shumë shqiptarë kontribuan financiarisht me gjithë shpirt për Andin (engjëlli me flokë të kuq), që fatkeqësisht humbi jetën 3 muaj më pas. Ndihmesën në mbledhjen e këtyre fondeve e dhanë dhe aktivistë që kishin kohë që punonin në komunitet si Ismet Gjeloshi dhe Isuf Spahiaj. Ky lloj sensibiliteti e preku Zamirën akoma më shumë dhe nuk ngurroi të kontribonte në ndihmë të një vajze fatkeqe në Shqipëri, Ela Mustali që kishte nevojë për implant veshkash.
Sigal

Zonja Zamira, ju falënderoj për këtë intervistë dhe ju përgëzoj për aktivitetin tuaj si bamirëse për njerëzit në nevojë në komunitetin shqiptaro-amerikan. Jeni larguar shumë e re nga Shqipëria e megjithatë shpirtin duket se e keni lënë në vendlindje. Si janë lidhjet dhe nostalgjia me vendin e lindjes?

Është e vërtetë shprehja popullore “Trupin e kemi këtu po kokën në Shqipëri”. Çdo shqiptar emigrant ka përjetuar vuajtjet dhe varfërinë sikurse mungesën e mundësive, por në të njëjtën kohë vlerësimi i gjesteve të vogla, jeta e thjeshtë dhe dashuria për njeri-tjetrin na ka ndihmuar të mbijetojmë si komb. Këto tradita na kanë mbushur shpirtin me gëzim si ajo rrezja e diellit që depërton në një dhomë të errët. Më mungojnë shumë njerëzit dhe Tiranës, mjediset ku kalonim kohën me shoqërinë, shëtitja në bulevard…Gjithmonë kur vij në Shqipëri vizitoj vendet ku kam jetuar dhe kam nostalgji.

A mund të na thoni diçka më shumë mbi prejardhjen tuaj familjare dhe çfarë cilësish trashëguat nga prindërit? A keni pasur mbështetjen e tyre në rrugëtimin tuaj dhe nëse po, a ka qenë konstante kjo mbështetje?

Prindërit e mi dhe familja ime kanë pasur gjithmonë vizion për jetën dhe më kanë dëgjuar me vëmendje për pasionet dhe ëndrrat e mia. Ky raport që kam me prindërit, shpjegon faktin që vendimi im për të ikur në SHBA u mbështet, megjithëse ishte në një kohë kur paragjykimi shfaqej dukshëm dhe opinioni i të tjerëve akoma ndikonte në jetën tonë. Ata kurrë nuk u bënë pengesë për të ardhmen time, por më dhanë bekimin e tyre edhe pse syri dhe zemra e tyre qau për largimin tim. Ata janë shumë krenarë që ia dola mbanë vetëm, por edhe që unë kontribuoj dhe aderoj në radhët e “Vatrës”, “Vatrës” shekullore me rolin e saj të fuqishëm në diasporë. Aktualisht jam sekretare e degës në Tampa. Prindërit e mi janë të kënaqur që traditat tona dhe dashurinë për Shqipërinë po ia kaloj dhe vajzës sime Angelina që lindi në SHBA. Ajo pëlqen muzikën, por më shumë i tërheq vëmendjen mitologjia shqiptare dhe me krenari flet për Shqipërinë.

Besoj se do të ishte me interes për lexuesin të na tregoni diçka më shumë për profesionin tuaj dhe motivet që ju shtynë për të përzgjedhur profesionin e ekonomistit dhe, a po e ushtron profesionin jashtë atdheut, aty ku jeton në SHBA?

Unë kam lindur dhe u rrita në lagjen “A. Demi” në Tiranë dhe jetova në Shqipëri deri në 1997. E fillova karrierën time në Bankën e Kursimeve duke ndjekur dhe studimet e financës në Universitetin e Tiranës. Kjo ishte një periudhë e errët dhe tejet e vështirë për mua, kur unë po formohesha jo vetëm nga ana profesionale, por edhe si femër. Kur ika në SHBA mendova të mos punoja më në bankë për të evituar stresin e përgjegjësisë që ky profesion shkakton. Këtu mu desh të punoja punë të ndryshme dhe të rëndomta për të mbuluar shpenzimet e jetesës. Në fillim pastroja tavolina në një kazino dhe më vonë në një manifakturë elektronike, por punët ishin të lodhshme dhe me pagesë të ulët. Me aq sa fitoja nuk mundesha të krijoja dot familje apo të ndihmoja familjen në Shqipëri. Nuk e gjeja dot vetveten dhe isha gjithmonë në kërkim pune duke u përqendruar në përparimin e gjuhës së folur por edhe gjuhës së biznesit. Meqenëse këto punë nuk ishin natyra ime, aplikova në Bankën e Amerikës në 1999. Kalova testet por kur më intervistuan nuk pëlqyen theksin tim dhe më refuzuan. Kjo më vrau shpirtërisht, por nuk hoqa dorë duke kërkuar punë. Mbas 3 vjetësh përpjekje dhe me referimin e një vajze shqiptare hyra po tek ajo bankë që u refuzova në fillim. Që nga ajo kohë kanë kaluar plot 13 vjet që punoj në këtë bankë duke arritur në pozicione të ndryshme, që nga procesimi i dokumenteve dhe aprovimi i huave bankare dhe analiza financiare të kompanive që bëjnë biznes me këtë bankë. Vitet e fundit jam specializuar si Këshilltare e Operacioneve duke asistuar departamente të ndryshme në dokumentimin e proceseve të punës dhe krijimin e procedurave dhe rregulloreve të brendshme në akordim me ligjet shtetërore. Dëshira ime profesionale është “Real Estate” që unë jam e licencuar dhe në të ardhmen dëshiroj të kem kompaninë time të investimeve të pronave private dhe komerciale.

Jeni një grua me shumë ambicie që keni treguar se vështirësitë kalohen me durim, punë të palodhur dhe në fund rezultatet arrihen. Në punën tuaj, çfarë sadisfaksioni ndjeni dhe, a ndjeheni e realizuar?

Them se po, arritjet nuk kanë fund. Puna me jep kënaqësi sepse është profesioni im, por në të njëjtën kohë justifikon dhe mbulon nevojat e mia personale. Ndjej kënaqësi për zhvillimin tim personal në këtë fushë, por kam të njëjtën kënaqësi edhe kur ndihmoj dhe jap pa pritur të marr diçka mbrapsht. Është një ndjenjë e veçantë dhe gratifikim kur sytë e vuajtur të një të varfri dhe pa shtëpi të shohim me admirim, të uron nga thellësia e shpirtit dhe të falënderon. Kjo më prek në shpirt dhe ma shton dëshirën për të kontribuar më shumë. 

Ju bëni bamirësi, keni një shpirt të madh dhe sens patriotik… A mund të na tregoni si ka lindur tek ju dëshira për t’u marrë me bamirësi dhe të na thoni për hapat e parë në këtë drejtim?

Familja ime ka qenë gjithmonë humane dhe e gjindshme tek personat në nevojë, si gjatë Luftës së Dytë Botërore po ashtu gjatë luftës së Kosovës. Këtë humanizëm gjyshërit e prindërit e mi na i kaluan edhe në fëmijëve. Por pika e fillimit tim personal në këtë fushë, ishte diagnostikimi i nënës sime ma kancer në 2010. U përpoqa shumë duke e sjellë në SHBA dhe ajo sot gëzon shëndet të plotë. Ishte një luftë e vështirë që nëna ime e fitoi falë forcës së saj por mbi të gjitha mundësisë së kurimit në SHBA. Nga ai moment kur dëgjoja për persona të sëmurë që s’kishin mundësi mjekimi në Shqipëri, më dhimbte në shpirt dhe fillova të kontaktoj me persona e biznese shqiptare në SHBA për t’i ndihmuar këta njerëz.

Një komenti juaj mbi mendimin apo më mirë të themi paragjykimin e shoqërisë për gruan dhe profesionin e saj, evolucionin dhe një mesazh për botën e gruas shqiptare? 

Jam në koherencë të eventeve në Shqipëri, sidomos tani që mediat janë më të fuqishme se kurrë; lajmet e mira apo të këqija shpërndahen shumë shpejt nëpërmjet shkrimeve, fotove apo videove. Reagimi im nga media shqiptare është shokuese, jo edukuese dhe përçon mesazhe shumë negative për brezat e rinj. Për sa i përket gruas shqiptare, në kemi trashëguar shumë tradita të bukura që na kanë ndihmuar të jemi femra të veçanta, mund të thosha. Veti të tilla si, besnikëria, dashuria, ambicia e mirë, sikurse besimi në vetvete, veti të një gruaje të fortë dhe me ndjenja të buta që na veçojnë nga gratë e komuniteteve të tjera. Këto veti spikatëse kanë ndihmuar në progresin e gruas në Shqipëri dhe në diasporë. Gruaja është boshti i shoqërisë, është edukuesja direkte e brezit të ri dhe të së ardhmes. Përqendrimi dhe dhënia e mundësive për mbështetje të grave është vitale për shoqërinë e sotme sepse trajtimi i gruas është pasqyrimi i një familjeje, i një kombi dhe parashikimi dhe përcaktimi i së ardhmes. Një grua, një nënë e edukuar me vlera të larta morale nuk do të bëjë gjë tjetër veçse të prodhojë një njeri me karakter të lartë, të suksesshëm me të njëjta vlera morale.

Ju jeni një grua e bukur, fisnike, plot energji e ide, zemërgjerësi… A ka ndonjë ide të pa realizuar mirë dhe që i takojnë të ardhmes? Cilat janë projektet tuaja në vazhdim?

Përmirësimi personal nuk është vetëm në suksesin profesional, por dhe atë shpirtëror. Sa herë që rutina më rrëmben, kthehem në thëniet dhe këshillat e disa grave që janë kthyer në legjenda dhe janë mësueset më të mira. Idhulli im mbetet nënë Tereza. Nuk besoj se ekziston një grua e dytë si ajo, por këshillat e saj janë aq të fuqishme dhe më ndihmojnë në çdo hap. Kam 2 vjet që jap kontributin tim në një kishë ku ushqehen të pastrehët në qytetin e Cleareater. Një ditë lexova këtë thënie nga nënë Tereza: “Njerëzit në park, alkoolistët apo të pastrehët po të shikojnë ty. Mos u bëj si ata që shikojnë, por nuk shohin. Shiko dhe shih, shiko dhe vepro, mos qëndro indiferent. Çdokush shikon me sy por duhet të shikosh më thellë, duhet të shikosh me mendje dhe zemër, më thellë se etiketat, titujt apo diplomat, në thellësi të shpirtit njerëzor”.

Sigurisht që është një thënie e mrekullueshme e nënë Terezës për të dhënë kontributin personat për njerëzit në nevojë. Po komunikimi dhe kontributi juaj për Shqipërinë dhe bashkatdhetarët tanë diçka me tepër, ju lutem?!

Në çdo moment, kudo që ndodhem u them njerëzve për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në ditën e falënderimit në SHBA, unë dhe mikja ime Helena Shabani shtruam një drekë për kolektivin e Bankës së Amerikës ku punonim me ushqim special shqiptar si mënyrë falënderimi dhe mundësi për të ekspozuar zakonet dhe traditat tona. në bëmë një prezantim të ushqimit, ekspozim të figurave dhe ikonave Shqiptare së bashku me shqiptaro-amerikanët e suksesshëm në Amerikë. U veshëm me kostum shqiptar dhe drekën e shoqëruam me muzikë shqiptare. Ajo drekë ishte e rrallë dhe në të dyja morëm shumë përshtypje të larta për punën tonë krijuese dhe për Shqipërinë si vend interesant dhe kaq i pasur me tradita.

Impresionet e Zamirës për shoqatën “Vatra”?

Pjesëmarrja në radhët e “Vatrës” më jep një kënaqësi shpirtërore dhe mundësinë për të dhënë sado pak kontributin tim, edhe pse fizikisht ndodhem në dhe të huaj. Nëpërmjet saj jam njohur me njerëz shumë të mirë që kanë nostalgji për atdheun dhe kanë të njëjtin pasion dhe dëshirë në zemër. Patjetër, që puna ime do të ishte shumë e vogël dhe minimale nëse nuk do ishte prania dhe ndihma e shumë patriotëve që aderojnë në bordin dhe radhët e saj. Ata dedikojnë kohë nga jeta e tyre, kontribuojnë financiarisht, moralisht dhe shpirtërisht. Ndihmat janë nga më të ndryshmet, ndihmojmë shqiptarët që vijnë për herë të parë në SHBA, duke sistemuar fëmijët në shkolla, për punësim apo edhe kontribut financiar për ditë të vështira dhe fatkeqësi. Dega e “Vatrës” në Tampa është akoma e re, por qysh në krijimin e saj nuk ka munguar ndihma financiare e shumë anëtarëve të shoqatës dhe të bordit. Organizimi i eventeve me tema të ndryshme ndihmon në bashkimin e shqiptarëve dhe demonstrim të kulturës sonë, sidomos mundësinë për të festuar festat kombëtare së bashku. Shoqata bashkëpunon me organizatat shqiptare në Tampa Bay dhe në të gjithë Floridën. 

Zonja Zamira desha të di sa interes e vëmendje u kushtoni zhvillimeve sociale e shoqërore shqiptare, si një grua e ndjeshme, e interesuar për mbarëvajtjen e shoqërisë dhe atdheut tuaj?

Më shqetëson shumë gjendja ekonomike, sikurse ajo politike në Shqipëri. Këto probleme ngadalësojnë realizimin e ëndrrës dhe procesin e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën. Unë mendoj se si popull duhet ndërgjegjësohet duke u përqendruar në zhvillim dhe evituar konfliktet dhe kritikat ekstreme, të pafundme që nuk janë gjë tjetër veçse përçarje dhe varfëri. “Fjalët e tepërta janë fukarallëk”. Pse e them këtë? Historikisht njihemi që i vëmë fajin perandorisë turke, Zogut, Enver Hoxhës dhe tani krerëve të sotshëm, duke harruar që këto krerë u zgjodhën me votën e këtij populli. Historia përsëritet derisa ne të mësojmë prej saj dhe të ndryshojmë rrugën. Kur ne mësojmë dhe reagojmë nga gabimet tona si komb, kaosi, negativiteti dhe korrupsioni nuk do kenë mundësi të mbizotërojnë dhe lulëzojnë.