Zamira Agalliu: Femra është më pak e korruptueshme se meshkujt

617
Sigal

INTERVISTA/  Flet poetja dhe mësuesja Zamira Agalliu: Dashuria është frymëmarrje, përmbushje, frymëzim, shpresë

Një femër guximtare, një mësuese dinjitoze por dhe një poete plot pretendime. Profesionin e mësuesisë nuk e ndërron me asgjë, pasi është një profesion që e lidh me fëmijët, me jetën, me të ardhmen. Sot, sipas saj, ka rënë niveli mësimdhënies, pasi janë futur dhe mësues militantë, por e ardhmja i përket dijes. Vetëm arsimimi dhe emancipimi do ta çojnë femrën shqiptare larg dhunës.

  -Pse dikur morët rrugën e mërgimit?

 Në emigracion kemi shkuar në vitin 1998, pas rënies së firmave piramidale në Shqipëri . E ndjemë si të vetmen rrugë, për të hequr stresin, për t’u rregulluar ekonomikisht dhe për të qenë sa më larg gjurmëve të asaj lufte pa identitet, ku kallashi shkrepte në çdo cep të rrugës.

– A e ndjetë racizmin në Itali?

Sigurisht! Me padurim prisnin të nesërmen për të më “përplasur” në fytyrë telegiornalet, të cilave u “selektonin” vetëm të rejat për shqiptarët. Përgjigja ime ishte, nuk jemi të gjithë të mirë si ju italianët.

 –        Sa respektohej femra në Itali?

Kultura italiane është akoma larg asaj shqiptare, si rrjedhojë ndihet diferenca e respektimit të femrës. Femra aty është e vlerësuar në familje, por edhe në shoqëri. Por aty puna vlerësohej shumë, madje jashtë parashikimeve. Puna nuk ngatërrohej me asgjë.

-Pse u kthyet?

“Guri i rëndë në vend të vet”, shaka, menduam se e ardhmja ishte më e mirë këtu, pas afro 20 viteve demokraci. Por… Demokracia është rrugë e gjatë.

-A është i vështirë profesioni i mësuesisë?

–        Është më i bukur se i vështirë. Të punosh me fëmijët është sadisfaksion në këto kohë stresi. Por, do impenjim, angazhim, studim, përqëndrim…

-Cilat janë dobësitë e arsimit sot?

Dobësia e arsimit sot është punësimi i militantëve mediokër, të cilët përveç militantizmit nuk dinë të bëjnë mirë asgjë tjetër. Nuk punojnë për rritjen e nivelit të tyre pedagogjik.

 A janë të dëgjueshëm nxënësit dhe shkollat a kanë disiplinë?

-E përgjithshmja mirë, për çdo ditë disiplina në shkolla po forcohet. Sigurisht, do shumë punë ende.

 A mund të bësh krahasim midis shkollës shqiptare dhe asaj italiane?

Mendoj se jemi më mirë për sa i përket arsimit dhe kjo është meritë e traditës shqiptare. Kemi pasur një shkollë korrekte, me disiplinë, të detyruar, me mësues të përkushtuar.

 -Kur e ke shkruar poezinë e parë?

-Në moshën 12 vjeç, ishte një poezi për dëshmorët. Më fal, po dua ta përmend, (Në varrezat e dëshmorëve po shkoj/ Me një tufë lule në duar/ Dua me ta të bisedoj/Shtruar për vitet e kaluar./ Mes trëndafilash me ngjyrë të kuqe/ Një plakë me të zeza shikoj/ Buza i dridhej si burbuqe/ Kur mbi yllin e zjarrtë i qëndroi/ Fli, bir i nënës, fli i qetë/ Sot dhe mot, se në krye është Partia/ Vendit i ka dalë zot.). Çudi, më vjen natyrshëm çdo 5 Maj kjo poezi edhe pse akoma si ka dalë zot asnjë parti vendit deri tani . Le të shpresojmë… .

Çfarë ndjeve në ato çaste?

E recitoja para pasqyrës me zë të lartë, që nga ajo ditë nisa të shkruaja hartimet e gjithë klasës.

 – Cila është arma më e fortë e femrës në jetë?

 Personaliteti, të cilin femra po e mbron me forcën e inteligjencës.

 -Cilat janë problemet e femrës shqiptare sot?

–         Emancipimi ka bërë hapa mbrapa në këto vite të tranzicionit që s’po marrin fund. Duhet punuar më shumë për emancipimin dhe arsimimin.

–        Ku vihet re maskilizmi i shoqërisë shqiptare sot?

Kur në postet drejtuese preferohen të punësohen meshkuj. Dhe tjetra, thjesht vetëm duke parë që nëpër lokale shihen vetëm meshkuj (po flas për Vlorën).

– Mendoni se keni zgjedhur profesionin e duhur?

Po! Të punosh me fëmijët, është si të përjetosh fëmijërinë.

Një përkufizim për dashurinë?

(I dhashë kaq kohë vetes,

Se koha arsye prodhon

 E në lumturinë e vërtetë të çdo gruaje

Gjej pjesën e jetës që ajo dashuron.) Frymëmarrje, përmbushje, frymëzim, shpresë…

 Cilat janë rrugët për emancipimin dhe pavarësinë e gruas në shoqërinë shqiptare?

Pjesëmarrja e gruas në postet drejtuese do të bënte të mundur ngritjen e zërit në emër të saj. Pavarësia ekonomike është pavarësi në të gjitha fushat.

-A mund të përballojë një femër problemet e drejtimit të një institucioni po aq sa një mashkull?

 PO! Për të vetmen arsye se është më pak e korruptueshme se meshkujt.