Zaim Elezi: Sot, vështirë të jetosh me art

1588
Sigal

INTERVISTA/ Flet piktori Zaim Elezi: I papërsëritshëm në magjinë e tij mbetet Rembrand Van Rijn

– Ekspozita e fundit “Pranverë 2014” çfarë kishte si qëllim të bënte të mundur promovimin e veprave të reja të autorëve të ndryshëm, kjo në kohë dhe situatë të re. Në këtë ekspozitë me mbi 150 piktura dominonin pikturat e Zaim Elezit, kryesisht portreti i aktorit të madh Sulejman Pitarka.

 -Mbi çfarë baze apo kërkesash u organizuan apo u seleksionuan piktorët në këtë ekspozitë?

-Sot në përgjithësi janë krijuar grupe të ndryshme mbi baza vullnetare, të cilët bëjnë të mundur hapje të ndryshme ekspozitash të arteve pamore, por jo vetëm. Kjo lindi si nevojë e pamjaftueshmërisë së shtetit për të mbështetur artistët dhe në rastin më të keq nga politikat diferencuese që herë pas here, shtetarët, apo më mirë, personat e veshur me pushtet për përcaktimin e politikave artistike në vend, shtynë lindjen e këtyre formacioneve. Kjo, të kuptohemi, jo si dashamirësi e tyre por si përjashtim që ju bë artistëve me tendenca realiste. Veçanërisht e pakuptimtë dhe vrasëse ishte poshtërimi dhe nëpërkëmbja e veprave të krijuar në socrealizëm, duke u përfshirë të gjitha në një thes si të pavlera.

 – Një nga pikturat tuaja ishte për aktorin Sulejman Pitarka, përse zgjodhët këtë portret për ta pasqyruar në ekspozitë?

 -Sa i takon portretit të aktorit të papërsëritshëm të skenës Sulejman Pitarka, krijimi i tij është një dëshirë e kahershme imja, një kënaqësi e madhe që ai gjigand na ka dhënë në skenë dhe në film, kënaqësi që duhej kthyer patjetër.

 -Pikturat tuaja janë në vaj, kjo është boja që ju preferoni dhe pse?

-Po, në përgjithësi veprat e mija janë në vaj. Nuk është se ka një arsye të fortë, por në formimin tim vaji është teknika më e vështirë e njëkohësisht, në fund, më e bukura.

 -Sa piktura keni në arkivin tuaj dhe cila gjini pikture mbizotëron?

-Nuk është se kam shumë vepra në studio megjithëse, kam punuar dhe punoj shumë, pasi për nevoja elementare ekonomike kam qenë i detyruar të ndahem me to.

 -A mund të jetoj sot në piktor vetëm duke pikturuar?

-Mendoj se një piktor nuk mund të jetoj me pikturë, përjashto ato raste fatlume kur piktorit i është afruar mundësia e një menaxheri arti, por kjo nuk të bën te ndjehesh keq pasi nuk është thjeshtë dhe vetëm çështje vlerash, por fati. Fati në këto raste zë përqindjen më të madhe.

 – A është bërë kulturë nga shqiptarët pasja e një pikture në shtëpi?

-Nuk mendoj se është bërë kulturë tek shqiptarët pasja e një pikture. Kjo është pjesë jo vetëm e standardit të jetesës, por pjesë e nivelit kulturor dhe për ne kjo ende është luks. Edhe ato blerës në të shumtën e rasteve bëjnë blerje të gabuar pasi tek ne mungon infrastruktura që do e rregullonte dhe kategorizonte tregun e veprave të artit, mungojnë kritikët e artit. Për pasojë shitjet e veprave bëhen në rrethe të ngushta dhe si rezultat i prirjeve menaxhuese të vetë artistit.

 -Cilat janë problemet e piktorëve shqiptarë sot? A ka treg shitje të pikturave?

-Problemet e piktorëve shqiptarë nuk janë të pakta, kjo si pasojë e tregut që përmendëm më sipër. Lufta e artistëve si dhe e gjithë popullit shqiptarë është mbijetesa, buka e përditshme. Shteti ka gjithë indiferencën e nevojshme për këtë kategori shoqërore, ndaj ne bëhemi edhe qesharakë hera-herës, siç pashë  në një panel këto ditë që ca artistë folën fjalë të ngrohta deri në servilizëm për kryeministrin aktual, që të mund të zgjojnë vëmendjen e tij edhe për artin duke pas parasysh profesionin fillestar të tij.

– Piktorët tanë a janë konkurrues me piktorët në Europë?

-Piktorët janë të njëjtë gjithkund, me të gjithë gamën e halleve, shqetësimeve dhe problemeve, gjithkund në botë, edhe sa i takon nivelit e vlerave të njëjtë janë me diferenca të vogla. Nuk besoj se piktorët e Europës janë më të mirë se piktorët tanë, nuk e kam prandaj nuk e vuaj këtë kompleks.

-Portreti, natyra e qetë, peizazhi, kompozimi, cila gjini dominon në pikturat e tua, apo më mirë në cilën gjini e gjeni më mirë veten?

-Unë kam lëvruar pothuaj të gjitha gjinitë, por këto kohë peizazhin më shumë pasi ai është më i kërkuar në treg, sigurisht merrem shumë edhe me portrete, por gjithnjë e më rrallë me kompozime.

 -Je penduar që je bërë piktor?

Kurrsesi nuk jam penduar që u morra me pikturë në jetë, për asnjë moment. Të merresh me pikturë është të dashurosh çdo ditë, gjë që në të përditshmen shqiptare ndodh shumë rrallë. Jam i kënaqur që kam bërë këtë zgjedhje dhe më shumë më shtohet kënaqësia kur e ndaj me të tjerët, kur veprat e mija i shoh në mjediset e njerëzve që i njoh dhe që nuk i njoh, por me njohin.

-Cilët janë piktorët e preferuar tuaj në botë?

 -Lista e piktorëve të mi të preferuar është e gjatë, por njërin mund ta veçoj lehtë pasi është i vetëm dhe i papërsëritshëm në magjinë e tij Rembrand Van Rijn.