Yzeir Llanaj: Në datat 5-6 korrik, Bylisi i lashtë do të gjëmojë nga polifonia

822
Sigal

INTERVISTA/ Flet kryetari i shoqatës “Polifonia shqiptare” Yzeir Llanaj: Ne nuk duhet ta lemë që polifoninë ta mbrojë vetëm UNESCO

Shumë veta ishin skeptikë për zhvillimin e mëtejshëm të Festivalit Ndërkombëtar “Bylyspolifonia”, por falë Drejtorit Ekzekutiv të Shoqatës “Polifonia Shqiptare”, z. Yzeir Llanaj, ky festival i rëndësishëm këtë vit shënon edicionin e tij të VI-të. Kam qenë pjesëtar  dhe zëdhënës i këtij Festivali për 3 edicione dhe mund të them se mënyra e zhvillimit, vendi i zhvillimit përbëjnë një mënyrë krejt origjinale të organizimit të festivalit. Duhet të theksoj se, shoqata “Polifonia Shqiptare”, në ditën e krijimit mbante emra të tillë si “Artisti i Popullit” Kadri Rroshi, “Artisti i Popullit” Lazër Filipi, Birçe Hasko etj…Organizimi i këtij Festivali ka për qëllim ruajtjen dhe përhapjen e vlerave të jashtëzakonshme të polifonisë, kësaj vlere trashëgimtare që është një nga thesaret e paçmuara të popullit tonë. Jo më kot këtë vlerë dominante UNESCO e ka marrë nën mbrojtje. Festivali i VI Ndërkombëtar “Bylispolifonia” do të me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. Drejtor Organizativ është z. Fatos Klosi, Drejtor Artistik i këtij Festivali është dirigjenti i talentuar Ermir Dizdari, Regjisor, z. Milto Kutali, drejtues shkencor Prof. Ramazan Bogdani, konsulent Aleksandër Peçi.  Sipas Llanajt, për ruajtjen e polifonisë nuk duhet vetëm puna e një shoqate, por dhe e shtetit, grupeve të ndryshme të polifonisë. Festivalin e fundit ai e quan një risi dhe një rrugë te re për njohjen e “Bylysit” si qytet turistik brenda dhe jashtë atdheut.

 Si do ta cilësoni organizimin e Festivalit të VI-të Ndërkombëtar “Bylyspolifonia”?

-Organizimi i këtij festivali do të thellojë lidhjet e popullit me këtë këngë magjike shumzërësh pa instrument. Tashmë që ky Festival ka hyrë në edicionin e VI, them se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për zhvillimin e tij me sukses. Besoj dhe premtoj se do të jetë një Festival me nivel artistik, organizim, përgjegjësi, pjesëmarrje më të gjerë se 5 festivalet e mëparshëm. Kjo duket edhe nga numri i grupeve pjesëmarrëse që ne kemi bërë prezent pas lidhjeve disa mujore.

 -Ku konsistojnë arritjet, pra drejtimet që doni rezultate specifike në këtë festival?

-Kryesisht puna jonë konsiston në shtrirjen gjeografike të pjesëmarrësve, ku ka thuajse nga të gjitha vendet Ballkanike, por edhe nga të gjitha trevat shqiptare që këndojnë polifoninë. Pra n.q.s Festivalin e parë kishte 14 grupe polifonike, këtë vit do të ketë 23 grupe polifonike nga  5 vende, Shqipëria (16 grupe), Greqia (3 grupe), Mali i Zi ( 1 grup), Italia (një grup), Maqedonia (1 grup), Bullgaria (1 grup). Sigurisht që edhe cilësia e grupeve është bërë mbi disa kritere që i kemi marrë pas eksperiencës së festivaleve të mëparshme.

 -Realizimi i festivaleve të tillë është i vështirë, ku e keni mbështetjen kryesore?

Mbështetjen kryesore e kemi tek Ministria Kulturës,  por edhe nga Bashkia Fier dhe Bashkia e Ballshit. Por tashmë si pjesë e Festivalit çdo edicion është bërë  dhe komuna e Hekalit me kryetarin e saj. Dua të theksoj se gjatë gjithë ditëve kjo komunë e gjithë banorët janë gjendur pranë festivalistëve.

 -Nga grupet pjesëmarrëse shqiptare kë do të veçosh?

 Grupi polifonik i Lunxhit (Gjirokastër), Grupi polifonik i bregdetit (Himarë), Grupi polifonik i shoqatës “Polifonia Shqiptare”, Grupi polifonik i grave, zona Korçë-Ersekë-Gramsh, grupi polifonik Mallakastër, grupi i të rinjve Progonat, grupi “Zëri i Bilbilit”, Sarandë, grupi i djemve të Progonatit, grupi “Zëri i Bilbilit”, Sarandë, grupi na bashkoi “Bylispolifonia”, grupi polifonik i qytetit Tepelenë, grupi polifonik i Dukatit, Vlorë, grupi polifonik “Demir Zyko i shoqatës “Tomorri”, Skrapar, grupi i këngëve dhe valleve popullore, Seman-Fier, grupi polifonik “Bashkimi Fier, grupi popullor çam, “Dodona” Fier. E ardhmja e këtij Festivali, me këtë pjesëmarrje kaq cilësore besoj se do të jetë më e sigurt.

 -Përveç këngëve çfarë tjetër të veçante do të ketë ky festival?

– Risi është dhe mbajtja e një Simpoziumi me temë për polifoninë dhe veshjen karakteristike popullore të grupeve. Ky Simpozium do të mbahet në ditën e dytë me temë “Polifonia Shqiptare”. Në këtë Simpozium  do të referojnë specialistë të fushave, që i kanë dhënë tonin studimeve polifonike, valleve të kënduara polifonike si dhe veshjeve karakteristike popullore të trevave të ndryshme

-Ashtu si muzika e lehtë apo popullore shqiptare që kanë probleme, besoj se dhe polifonia shqiptare do të ketë të tilla. N.q.s ka, cilat janë problemet e polifonisë shqiptare sot?

Pa diskutim që ka probleme që tashmë shihen si të parëndësishme, por në fakt nuk është ashtu. Problemet janë serioze dhe me atë sy duhet ti shohim. Ky tranzicion po ndikon shumë dhe në polifoninë e bukur dhe të shenjtë shqiptare. Shihet një venitje e saj. Duhen ruajtur vlerat e merituara që ka. Vërehet një fenomen, ku, polifonia shqiptare mbas tranzicionit ka filluar të bastardohet dhe të gllabërohet nga turbo- folku. Është mëkat të cenosh polifoninë shqiptare, këtë perlë të kulturës kombëtare. Unë nuk jam në kundërshtim për evoluimin e muzikës, por duhet të përqendrohemi më shumë tek tabani kombëtar. Tek ai folk i mrekullueshëm që e ka rrjedhën e vet që nuk duhet ndalur por të  rrjedhë ashtu siç ka dale nga burimi. Desha që ti bëj thirrje të gjithë atyre korifenjve të polifonisë, atyre që sot janë edhe të plakur, duhet të flasin për këtë trashëgimi dhe jo të rrinë indiferent, sepse doktorata  e atyre që e këndojnë, e trashëgimisë, vjen direkt nga rrjedha e ujëvarës, siç rrjedh nga maja e malit dhe ne duhet ta mbajmë të pastër. Ata që e sollën deri këtu këtë këngë janë “doktorët”  e polifonisë. Do të dëshiroja që ata ta dinë forcën e tyre pasi ata janë të shumtë që nga polifonia toske, polifonia labe që nga, Meço Muka, Xhevat Abdalli, që nga Petriti që ka sjellë energjinë e mrekullueshme  nga Saranda, etj… Janë dhe ata që kanë bërë tekstet që nga Lefter Cipa me Akile Bejlerin, Maliq Lila, Fatosh Likën, me Kapajt e Dukatit. Dua të përshëndes edhe grupet polifonike të Vlorës që  mbas tranzicionit, filluan ta mbanin gjallë duke krijuar edhe grupe me vete me motive të mrekullueshme. Dua ti bëj një thirrje grupeve polifonike që kanë rezistuar kohës. Ata duhet që ta transmetojnë edhe në breza dashurinë për këngën. I bëj thirrje  edhe Ministrisë së Kulturës që ajo të vazhdojë të ruajë traditën që ka nisur në mbështetje të punës së shoqatës tonë për realizimin e festivaleve ndërkombëtare .

 Kush është qëllimi kryesor i nismës tuaj?

Të mbrohet kjo trashëgimi kulturore nga turbo -folku që dalëngadalë po mundohet që ta gllabërojë këtë trashëgimi, këtë pasuri shpirtërore që është e patjetërsueshme. Nuk jam në kundërshtim që muzika mos të evoluohet. Por nuk është mirë që të marrësh tekstet e atyre poetëve  që ata kanë punuar një jetë të tërë për polifoninë  shqiptare,  dhe sot këtij teksti t’i futet një klarinetë, një dajre dhe disa kitara. Kështu polifonia shqiptare nuk mund të quhet më një këngë që ka një histori një trashëgimi. Duhet që të ketë një kujdes nga ish-trashëgimia kulturore  që të shmanget turbo- folku. Tashmë shihet se ka një përkujdesje më të madhe nga trashëgimia kulturore ku vlen për të përshëndetur dhe për ta përgëzuar, Ministrinë e Kulturës direkt që këtë vit i dha një impuls tjetër festivalit ndërkombëtar  të polifonisë në Bylys. Jo pa qëllim Festivali Ndërkombëtar i Polifonisë zhvillohet në Bylis. Sepse ajo është një kështjellë autoktone që i përshtatet  kësaj vlere autoktone të polifonisë.

Cilat janë trashëgimitë më të vyera të këngëve dhe valleve të kënduara polifonike dhe a po ruhen ato?

Nuk duhet të harrohen kurrë vallet e mrekullueshme labe të, Vranishtit, vallja e Salarisë. Këngët e bukura të Bolenës, Kuçit, aktivitetet  kulturore në këto fshatra, që e kanë mbajtur ndezur trashëgiminë. Kjo janë perla të polifonisë labe. Por ka dhe firo në këtë tranzicion. Ku janë këngët e bukura të Skraparit? Janë zhdukur këngët e bukura të Kolonjës. Nuk ka dalë një grup i ri i Kolonjës që të vijë e të këndojë  atë  këngën autoktone  kolonjare. Nuk duhen prishur polifonia me dajre me  klarinetë. Polifonia shqiptare është perla e historisë së folklorit shqiptar. Janë këngët e popullit që kanë dalë nga shpirti i tij. Duhet të jemi të saktë se shumë nga këto këngë në fillimet e tyre janë kënduar nga çobanët në mal. Ka edhe këngë të bukura Myzeqare që  sot pothuajse janë venitur fare. Unë i bëj një thirrje të gjithëve jo vetëm këtyre korifenjve, këtyre grupeve polifonike që dikur kanë dalë në skenë me ato motivet e tyre te mrekullueshme që të mos i lenë në harresë. Ne nuk duhet ta lemë që polifoninë ta mbrojë vetëm UNESCO. Ajo është e jona, pastaj trashëgimi kulturore e botës.

 Cili është deformimi më i madh që i është bërë sipas mendimit tuaj polifonisë?

Ka një ndryshim në emërtim. Sot po e quajnë isopolifonia, pra i kanë shtuar parashtesën iso. Ajo quhet polifoni. Edhe në UNESCO përcaktimi, emërtimi ka shkuar me një bisht, iso… Ramadan Sokoli e ka pagëzuar me emrin e mrekullueshëm polifonia shqiptare, ashtu siç e ka polifonia greke, italiane franceze. Shtesa iso, është bërë nga disa që kanë marrë një forcë pushteti  dhe pa një miratim nga Instituti Kulturës, Akademia e Arteve që janë autoriteti më i besueshëm për ndryshimin e emërtimeve (apo Akademi Shkencave). Shoqata e polifonisë shqiptare ka një akt themelimi për ta mbrojtur  këtë vlerë shpirtërore të popullit shqiptar. Mendoj se do të shkojë në vendin e vet çdo gjë..

-Si quhej më para polifonia shqiptare?

-Quhej, Polifonia shqiptare, por ky emër që ka sot më para nuk është quajtur fare polifoni. Poli është një fjalë grekë që do të thotë shumëzërësh. Më përpara është thënë nëpër trapeze, tavolina, pra ku grumbulloheshin njerëz “merrja një kënge” , apo “merrja një vënçe”!Qoftë polifonia toske por edhe labe. Kushdo që hynte në një rreth për të kënduar apo për t’u dëfryer, dasmë u thonte merrja një vënçe! Por kjo u përdorte më tepër për një valle vënçe sidomos ato të Skraparit dhe dilnin e kërcenin dyshe. Ose një valle vençe  labçe. Këtë emër ka pasur kjo trashëgimi shpirtërore. Por Ramadan Sokoli duke mbledhur folkun me vete ka shfrytëzuar studimet e tij për  këtë thesar, kulturë mijëravjeçare dhe i vuri emrin polifonia shqiptare. Polifonia më e bukur është vetëm në Shqipëri. Dhe kryesisht në Shqipërinë e jugut. Këtë s’e mohon askush.