Ylli Musta/ Në një kuvend Labërie, ku të vlerëson shoqata ‘Nderi i Kombit”

633
Të shtunën, më 16 prill, shoqata “Labëria” zhvillonte një takim në Muzeun Kombëtar të kryeqytetit për të nderuar e dekoruar tre personalitete të shquar të jetës shqiptare. Njoftimin dhe ftesën për këtë veprimtari unë e mora nëpërmjet mikut, gazetarit dhe sekretarit të kësaj shoqate, Albert Zholi. I ktheva aty për aty përgjigje: “Kur të thërret Labëria, nuk mund të mos i përgjigjesh…” Këtë shprehje, që fillimisht më doli si spontanisht nga shpirti, e përsërita shumë herë me vete. Por kur shkova të nesërmen në sallën e aktivitetit, dhe e pashë të tejmbushur që gumëzhinte nga pjesëmarrësit, një pjesë e të cilëve qëndronte në këmbë,fola gati me zë të lartë: “Ja, kështu është kur të thërret Labëria…” Kishin ardhur miq e të ftuar nga Malësia e Madhe, Tropoja, Lezha, Kosova… 
Ngjante si një kuvend mbarëshqiptar.
Kryetari i shoqatës, Ago Nezha, atë ditë ishte muzë e poezi e gjallë. E çeli veprimtarinë me vargje, dhe po me vargje e vazhdoi. Kjo i dha edhe më tepër emocion dhe “barut” takimit. Atë ditë do të nderoheshin tre personalitete: Profesori i filozofisë, politikani i urtë, Servet Pellumbi (“që e ka fjalën si plumbi”…), aktori i talentuar Bujar Asqeriu, një nga aktorët më popullorë në Shqipëri ( Avni Rustemi i filmit shqiptar…) si dhe profesori i shkencave biologjike e bujqësore, Xhelo Murraj (pas vdekjes)Çfarë zgjedhje, çfarë përzgjedhje emrash, njerëzish, kontributesh! Në Labëri, edhe lufta, por edhe paqja, gjithnjë kanë përzgjedhur… Thotë kënga labe-: “O moj Luftë e Dytë Botërore/ Të bukur trima që more/ Një nga një me dorë i zgjodhe…” E po kështu do të përzgjidhte edhe paqja, do të veçonte e nderonte më të shquarit, më atdhetarët, më të përkushtuarit e të talentuarit. Nga këta, të zgjedhurit një nga një me dorë, është për shoqatën “Labëria” edhe profesori e shkencëtari, heroi dhe atdhetari i heshtur, Xhelo Murraj.
Atdhetari i heshtur, Xhelo Murraj
Do të doja të ndalesha te emri dhe vepra e këtij burri, shembulli i të cilit, për kohën e sotme është mësim dhe shkollë e gjallë. Ai përfundoi studimet universitare në Leningrad të Bashkimit Sovjetik, me rezultate të larta. Ishte i pari pionier i shkencave të luftës biologjike në Shqipëri, që e vuri gjithë punën dhe talentin e tij në shërbim të bujqësisë shqiptare. Në fjalën e rastit, zoti Rexhep Uka, ish-ministër bujqësie, si koleg i tij, mes të tjerash tha: “Unë kam qenë me fat që kam njohur një personalitet të shkencave biologjike e bujqësore si Xheloja. Kujtoj këtu një rast, kur në një takim ndërkombëtar, takova një profesor e shkencëtar të shquar amerikan të kësaj fushe, që demonstronte metodën e tij në luftimin e insekteve në bujqësinë bashkëkohore. Kur i thashë se këtë metodë, profesori ynë Xhelo Murraj nga Shqipëria, e ka aplikuar me mënyrat e tij origjinale me shumë sukses, ai mbeti i çuditur!” Pastaj, zoti Uka, përmendi edhe një fakt domethënës: “Sot, kur mjaft të rinj dalin nga shkollat e larta, apo mbarojnë masterat, në dosjet e tyre shënohet edhe shprehja standarde “I aftë të punojë në komunitet”. Kurse shkolla që e mësoi dhe e aftësoi Xhelon si studiues e shkencëtar i ardhshëm, i vuri këtë shënim në dosjen e tij: “I aftë të punojë në mënyrë të pavarur”… Ky lloj profesionisti dhe shkencëtari, çau përpara në mënyrë të pavarur, me forcat dhe dijet e tija, kreu studime dhe la vepra të shkruara që janë të gjalla edhe sot pas vdekjes së tij. Kur nga të pranishmit u tha se profesor Xheloja ishte i rreptë, i patolerueshëm ndaj paaftësisë dhe të paaftëve, unë me dhimbje kujtova një ndodhi të 2-3 muajve më parë. Isha i ftuar në një aktivitet artistik në Jug të Shqipërisë bashkë me shumë të tjerë. Rastisi që të njihja atje edhe një zonjë, mjaft autoritare, rreth 50 vjeç, e cila më bëri pak a shumë këtë prezantim për veten e saj: Ishte diplomuar në tri universitete, për histori-filologji, për ekonomi dhe për juridik! Kishte punuar 12 vjet pranë Ministrisë së Arsimit si specialiste e hartimit të teksteve shkollore. Më pas e la atë punë dhe iu përkushtua avokatisë, dhe sot ka zyrë avokatie jo vetëm në Tiranë, por edhe jashtë Shqipërisë. Nuk harroi pa më treguar se ishte edhe “Honoris Causa” në dy-tri universitete të Evropës…Pa përmendur këtu dhjetra tituj, dëshmi e çertifikata nga takime e veprimtari ndërkombëtare ku ka marrë pjesë dhe është vlerësuar.Në fund, për pak i doli nga mendja të më thoshte se kishte hapur edhe një shkollë private që i shkonte mirë…Unë mbeta i shastisur nga kjo CV e paparë! Por s’mbaroi rrëfimi i saj këtu. Në bisedë e sipër, sesi ra fjala për Voskopojën, dhe historinë e ndritur të saj, sidomos në shekullin XVIII, për akademinë e famshme të njohur edhe jashtë Shqipërisë. Bashkëbiseduesja, duke qeshur me të madhe, tha: “Uaa, po unë vonë e kam marrë vesh se Voskopoja paskish patur shkollë të lartë disa shekuj përpara…S’e kisha dit…” “Po pse, kur e ke zbuluar këtë fakt… ?”- ndërhyra unë. “Aty nga viti 2007 apo 2008…” u përgjigj ajo. Domosdo, në dëshmitë e shumta të shkollimit e specializimeve brenda e jashtë vendit, edhe atë e ka ndjekur pas ajo shprehja standarde, sterile “E aftë të punojë në komunitet”, edhe pse zonja në fjalë as e njeh dhe as e llogarit kurrë komunitetin, dhe as i jep gjë atij! Aktualisht, ajo më shumë jeton jashtë Shqipërisë. Vetvetiu ky falsitet të ngjall indinjatë dhe antipati për këtë lloj mutacioni negativ njerëzor, i cili fatkeqësisht po kap gjithë jetën shoqërore, kulturore, shkencore, drejtësinë dhe politikën… Zonja në fjalë, nuk mund të ketë as dinjitetin dhe as respektin që ka pasur dikur një kooperativiste e thjeshtë, mjelësepararojë, që merrte nga lopët e saja 4000-4500 litra qumësht në vit për krerë! Dhe përbri këtij fakti trishtues, kisha shembullin e ndritur të profesor Xhelos, i cili u thoshte shpesh miqve, kolegëve, studentëve: “Toka jonë ka kapacitete që të mbajë e të ushqejë trefishin e popullsisë që ka sot…Prandaj, nuk ka përse të emigrojnë jashtë vendit shqiptarët…” Vetë profesori brodhi tërë jetën fushave dhe maleve, me specialistë të tokës e bimëve dhe la pas një përvojë e vepra të çmuara. Shpesh kishte qiellin çati. Dhe s’e mendonte kurrë se toka e Labërisë, toka e Shqipërisë do të mbillej një ditë me drogë!
Përtej nderimit të tri personaliteteve, shoqata e mënçur “Labëria” dha edhe një mesazh tjetër me veprimarinë e vet: atë të risjelljes në jetën shqiptare pikërisht të këtyre modeleve njerëzore, modele, të cilët fatkeqësisht, në këto 26 vjet kanë humbur e po vazhdojnë të humbasin.
Urtësia e profesor Pëllumbit, ka nevojë për artin e Asqeriut
Jeta shqiptare sot ka nevojë më shumë se kurrë për urtësinë e inteligjencën e profesor Pëllumbit, ka nevojë për artin e Asqeriut që formon, edukon dhe transmeton atdhedashurinë, ka nevojë dhe etje të pashuar për tipin e studiuesit dhe shkencëtarit Murraj që harroi veten për interesat e popullit të tij. Por ky model, edhe kur ekziston, rëndom shpërfillet nga shteti, nga politika, nuk vihet në vendin që i takon. Bile, edhe shoqata “Labëria”, në këtë kontekst, është vetë një model i tillë i shpërfillur dhe i pavlerësuar nga shteti i sotëm, i cili, edhe pse i ka akorduar asaj titullin “Nderi i Kombit”, nuk gjen mundësinë t’i japë një ambjent zyre që të fusë kokën! Po ndërkohë, shteti nuk harron t’u japë zyra në godina dy-tri katshe partive politike inekzistente! Ky mesazh u tha me fjalë, por edhe me vargje, e sidomos edhe me këngën polifonike që nuk mund të mungonte në raste të tilla: “Labëri moj zemra ime…”, dhe që të kujton atë këngën e dikurshme të viteve të luftës partizane: “Kurvelesh zëmëra ime/ Ç’janë këto lajmërime…”
Sigal