Yjet e futbollit, shkrimtarë besteseller

712
Sigal

  Janë të shumtë ata që i bien bukur topit me këmbë dhe janë të suksesshëm në stendat e librarive

 Shkëlqejnë në katërkëndëshin e gjelbër, janë personazhe të përhershëm mediatikë, gjithmonë të kërkuar për të dhënë mendimet e tyre në lidhje me ndeshjet dhe zhvillimin e futbollit, por jo në pak raste i shohim edhe në një rol të ri, krejt të pazakontë, që s’ka shumë të bëjë me punën e tyre, por që ka ngjashmëri me artin që ata prodhojnë në fushë. Futbollistë që bëjnë dhe rolin e shkrimtarit. Edhe pse kjo ka të bëjë më shumë me libra autobiografikë. Por kur shkruan një idhull i qindra mijëra tifozëve, libri i tij kthehet në një “bestseller. Nuk është rasti i parë, që një njëri që jetën e siguron duke i rënë topit me këmbë, të jetë i suksesshëm në stendat e librarive. Njerëz të sportit, por që i shohim edhe në rolin e shkrimtarit, edhe pse sfida me “penë” është ndoshta për ta “ndeshja më e vështirë” e jetës së tyre. Rastet janë të panumërta në Shqipëri. Në botë janë njëqind fish më të shumta. Për madhështinë e Françesko Totit, 20 vjet si futbollist në fushë me Romën (1993-2013),  është thënë shumë, pasi kapiteni i Romës është nën sytë e të gjithëve, por ish-sulmuesi i kombëtares është i famshëm për librin e tij, “Mo je faccio er cucchiaio”, një përmbledhje barcaletash të famshme të shkruara në gjuhën romaneske, një dialekt që Toti e zotëron në mënyrë të shkëlqyer. Toti, i pajisur me një inteligjencë autoironike, u dhuron tifozëve librin e tij, bashkë me metaforat e tij tipike, edhe kur ka qenë i dëshpëruar, edhe kur është i tej lumtur. 150 mijë kopje u shitën në më pak se një muaj dhe ishte një nga librat më të shitur në Itali. Kampioni i Botës dhe tashmë edhe i Europës, mbrojtësi i famshëm i Interit, Marko Materaci, i njohur botërisht për batutën e tij shokuese, “Pas finales, duam si putanë motrën tënde”, të thënë ndaj legjendës franceze Zinedin Zidan, në finalen e Kampionatit Botëror të Futbollit 2006, që provokoi edhe goditjen me kokë të Zizuzë, botoi së fundi librin e tij të parë, një lloj autobiografie: “Një jetë si luftëtar”. Edhe pse Marko njihet për ashpërsinë e tij në fushën e gjelbër, si shkrimtar Materaci shfaqet krejt tjetër, një luftëtar me ndjenja të fuqishme dhe zemër të ëmbël. Ia kushton librin e tij dy grave që kanë luajtur një rol thelbësor gjatë jetës së tij: nënës së tij, e ndarë nga jeta 19 vjet më parë dhe gruas së tij, Daniela, “pasi një grua përgjithmonë është personi të cilit i beson jetën dhe të shoqëron çdo ditë”. Marko flet edhe për rastin e bujshëm. “Nëse do të ketë paqe me Zidan, nuk do ta dijë njeri pasi do ta bëjmë atë privatisht. Për këtë nuk ka pasur dëshirën të thotë publikisht asgjë”. Ish-futbollisti profesionist irlandez, një nga futbollistët më modernë te Mançester Junaitid, tashmë në detyrën e trajnerit të Sandërlendit në Premier Ligën angleze. Kin, i njohur për agresivitetin e tij dhe dyluftimet e tij të ashpra gjatë lojës, është autor i librit “The Autobiography”, i shkruar në bashkëpunim edhe me biografin e tij personal, Imën Danfi, ish-futbollist dhe një personalitet i televizionit dhe radios irlandeze.  “Total Frank”, ky është titulli i librit prej 384 faqesh i shkruar nga mesfushori i fuqishëm i Çelsit, anglezi Frenk Lampard. Jeta e futbollistit nga fëmijëria, detaje nga karriera e tij si futbollist i të rinjve te Uest Hemit dhe pjesë nga jeta si multimilioner i botës së futbollit, përshkrime dhe opinione të tij në lidhje me dhomat e zhveshjes së Çelsit dhe Anglisë, marrëdhëniet e tij me bosin e Çelsit, miliarderin rus, Abramoviç, ish-trajnerin e Anglisë, suedezin Sven Goran Erikson dhe ish-trajnerin e Çelsit, portugezin Hoze Mourinjo, e kanë shndërruar librin e rekordmenit, për numrin më të madh të ndeshjeve rresht, një libër tërheqës. Por dhe dështimet e tij, sidomos ai i Anglisë në Botërorin e Gjermanisë, janë pjesë e librit.  Edhe një nga sulmuesit më të talentuar anglezë dhe një nga më të mirët në botë. Uejni Runi ka shkruar librin e tij prej 384 faqesh “The ëay it is” (Rruga është). Nga fillimet e tij në rrugën “Kroksteth” në Liverpul dhe deri te marrëdhëniet e tij me të fejuarën Kolin MekKolin, nga jeta te Mançesteri dhe deri te pasionet e tij, shpesh herë të gjuajtur nga tabloidët anglezë, përbëjnë edhe thelbin e të panjohurave të një prej karaktereve më të komplikuara dhe më të paguara të futbollit anglez. Tentativat e para të Runit te Evertoni dhe shkëlqimi meteorik te Mançesteri janë pjesë të rëndësishme të librit.

Bekham, rekordmen edhe në shitjen e librave

  Futbollisti më i mediatizuar i planetit, Devid Bekam, është shprehur se ndihej i tronditur kur njerëzit kishin zënë radhë për të blerë librin e tij “My Side” (Fusha ime), për të cilin më pas ish-kapiteni i Anglisë u shpërblye edhe me një çmim special nga “British Book Aëards”, pasi vendosi edhe një rekord si libri autobiografik më i shpejtë i shitur. “Unë jam i befasuar që marr këtë çmim”, – tha ish-lojtari i Realit të Madridit, libri i të cilit u shit 103.000 kopje vetëm në javën e parë të publikimit të tij, teksa në total ai u shit rreth një milion kopje.

“Kur unë vendosa të shkruaja autobiografinë time, nuk parashikoja kurrë se do të thyeja rekordet. Unë dëshiroja vetëm t’i jepja gjërat e mia në historinë e librit”, – pohoi atëherë ish-lojtari i Mançester Junaitid. Në fakt, libri i Bekamit kishte brenda tij edhe penën e gazetarit sportiv, Tom Uat. Libër tjetër i Bekamit është edhe “My World” (Bota ime), ku ish-futbollisti i Los Anxheles Galaksi dhe aktualisht i Paris Sën Zhermenit përshkruan familjen e tij dhe sidomos marrëdhëniet me “Posh Spice”, Viktoria Bekham.

 Seria “My Story”

  Seria “My story” është shumë e gjatë në librat autobiografikë të futbollistëve. Mbrojtësi i Mançester Junaitid, Rio Ferdinand dhe kapiteni i Liverpulit, Stivën Xherard, kanë publikuar librat e tyre. Xherard është frymëzuar për të shkruar librin pas fitimit të trofeut të Ligës së Kampioneve, pa dyshim një nga sukseset më të mëdha në jetën e tij si futbollist. Patrik Vieira është autor i “My Autobiography” dhe një libër me një titull të tillë e ka shkruar edhe Rajan Gigs, lojtar legjendar i Mançesterit, i cili përshkruan edhe disa figura të tjera të botës së futbollit, që i ka njohur gjatë karrierës së tij 14-vjeçare, si: Kantona, Shmajkel, Bekam e të tjerë. Erik Kantona, ish-kapiteni i Kombëtares franceze, ka gjetur një titull shumë domethënës për librin e tij: “Cantona on Cantona”. Edhe ish-kapiteni i Gjermanisë, Mikael Balak, ka librin e tij, “The Biography”. Historia e njërit prej futbollistëve më të paguar në botë dhe babait 33-vjeçar të tre djemve të lindur gjatë bashkëjetesës së tij, janë përshkruar në 288 faqe në gjuhën angleze. Sulmuesi i fuqishëm i Çelsit, Didier Drogba, ka botuar një libër autobiografik me titullin” “Didier Drogba, portreti i një heroi”. Rrëfimin e jetës së tij e ka botuar dhe trajneri aktual i Realit të Madridit, Hoze Murinjo.

   Visaret e Sportit shqiptar

 Në Shqipëri librat sportive apo me autorë njerëz të sportit janë jo të paktë “Visare të sportit shqiptar” është libri me autorë Ismet Bellovën e Lluka Heqimin ku “personazhe” janë sportistë të mëdhenj si Loro Boriçi, Panajot Pano, Diana Mata, Ali Kastrati, Ymer Pampuri, Skënder Halili, Agim Fagu, Ela Tase. Një libër tjetër intrigues është edhe botimi prestigjioz i Sotir Seferajt kushtuar legjendës shqiptare të futbollit, Panajot Pano. Trajneri i mirënjohur Qemal Shalsi, në botimin e tij “Trajneri dhe sportisti”, evidenton vlerat e dhjetëra sportistëve. Hysen Dedja e Mehmet Spahiu, në një botim kushtuar fituesve të “Topit të artë”, kanë një kapitull më vete nga “yjet” e futbollit shqiptar, që nga Xhavit Demneri, Loro Boriçi, Vafsi Biçaku, Refik Resmja, Skënder Jareci. Monografitë e lojtarëve të mëdhenj tashmë janë në modë dhe ndër më të lexuarat. Ia vlen të bëjmë një udhëtim në “botën e futbollistëve shkrimtarë” , ish-futbollisti i njohur i Dinamos e ekipit Kombëtar, trajneri Andrea Marko botoi kujtimet e tij sportive, ndërsa kohë më parë e kishin bërë këtë edhe emra të tillë të respektuar në botën e sportit e gazetarisë sportive, si Ahmet Shqari, me “Kujtimet e një gazetari sportiv”; Besnik Dizdari, me serialin e tij të gjatë të kampionateve të para kombëtare të futbollit në Shqipëri; Skifter Këlliçi, me “Historinë e futbollit botëror”; i mirënjohuri Ismet Bellova, me librin e tij të famshëm kushtuar portierëve shqiptarë Qemal Vogli e Perlat Musta.