Yje shqiptare në natën belge

660
Sigal

Me rastin e njëqindvjetorit të themelimit të shtetit shqiptar, Ambasada Shqiptare në Bruksel më kishte dërguar një ftesë për të marrë pjesë në koncertin që do të jepte trupa e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në njërën nga sallat më prestigjioze të Europës, pikërisht në sallën “Henry Le Bœuf” të Pallatit të Arteve të Bukura, që banorët e Brukselit e kanë pagëzuar BOZAR. Isha në shoqëri të time shoqeje dhe po prisja në rotondën e “Bozar”-it ardhjen e vajzës dhe të dhëndrit, të cilët kishin vendosur të linin punën për të qenë të pranishëm në koncert. Të gjithë së bashku u drejtuam drejt hollit të arkitektit Horta duke u përpjekur të mos ndaheshim nga njëri-tjetri. Hyrja në hollin e stërmadh ishte disi e vështirë pasi ai ishte mbushur plot e përplot. Prej hollit, vizitorët merrnin drejtime të ndryshme për në sallën e zgjedhur sipas pëlqimeve vetjake. Ndalëm për një çast që të orientohemi. Rreth nesh gëlonin qytetarë të të gjitha moshave. Disa metra më tej dendësia e vizitorëve apo spektatorëve rrallohej. Vura re një banderolë të madhe, ku ishte shkruar «100 Vjet Pavarësi» Koncert i Operës dhe Baletit Shqiptar.  I bëra shenjë time shoqeje dhe çiftit të ri që të më ndiqnin në drejtim të banderolës, por grumbulli i njerëzve nuk po na lejonte të përparonim.  Rreth nesh flitej në gjuhë të ndryshme nga lloj-lloj njerëzish, ca të veshur me pantallona xhins apo funde të përditshme, ca të ngjeshur me kostume klasikë e frakë flakë të rij, ca me veshje dizenjatorësh avangardistë, e të tjerë të veshur fare thjesht saqë dukeshin të mënjanuar. Në krah tim ndodhej një çift belg veçanërisht elegant. Dëgjova gruan t’i drejtohej shoqëruesit të saj: -Do të doja të ndiqja koncertin e operës shqiptare. Nuk e di nëse ka ende mundësi të sigurojmë ndonjë biletë. Jam shumë kureshtare. -Thuamë e dashur, – ia ktheu burri i veshur me sqimë të tepruar, – a nuk ta shoi kureshtjen filmi shqiptar ‘Amnistia’ që pamë në Botanik?

-Përse, ty nuk të pëlqeu? Përsa më përket mua, – vijoi ajo pa i lënë kohë të përgjigjej, – mendoj se ishte një realizim cilësor, i cili e meritonte çmimin e marrë.

-Sigurisht, qëllimi ishte arritur. Ishte një ungërrimë derrash e dashur, ja se ç’ishte. Mos ndoshta ke dëshirë të dëgjosh sonte diçka të ngjashme me të?

E ndjeva veten të fyer. Nuk munda të duroj më dhe iu drejtova zonjës në mënyrën më të përzemërt që munda:

-Nuk do të zhgënjeheni zonjë. Nëse dëshironi mund t’ju ofroj një ftesë për një çift.

Ajo buzëqeshi dhe shikimi i saj ndeshi me atë të shoqëruesit. Kavalieri i zonjës vizatoi një riktus përçmimi lidhur me sjelljen time të pa takt, por megjithatë e aprovoi me një lëvizje pohuese të kokës. Futa dorën në xhepin e brendshëm të palltos për t’iu dhuruar ftesën time, por në atë çast, për fat të mirë, konsulli i ambasadës, zonja Zana Sulollari po i zgjaste dorën time shoqeje. Ajo nxori nga çanta e saj një ftesë për çiftin e panjohur dhe kësisoj u nisëm në drejtim të sallës së bashku me ‘ta. Salla “Henri Le Bœuf” prej 2200 vendesh është një sallë e stilit art deko, e cila ka një akustikë të njohur në mbarë botën.  Ndriçimi i saj në zenit e bën të këndshëm shikimin dhe kolltuqet e kadifenjtë të platesë janë goxha të rehatshëm. Salla po mbushej pak nga pak. Numri i shqiptarëve fatlumë që ndodheshin në atë sallë ishte me të vërtetë i madh, por jo i parëndësishëm ishte edhe numri i të ftuarve të trupave diplomatike dhe personalitete të artit e kulturës belge.  U ekzekutua me virtuozitet himni shqiptar. Vura re se time shoqeje i shkuan dy pika lot. Ime bijë e kishte vënë re dhe mori pëllëmbën e së ëmës në pëllëmbën e saj. Çifti i huaj pranë nesh, sikundër edhe ne, po përjetonte një ndjesi të fuqishme e drithëruese që përftohej nga niveli i lartë mjeshtëror i orkestrës.

–      Himn prekës! – dëgjova të pëshpëriste sqimëtari.

Dëgjuam himnin belg e pas tij, atë europian, të pasuar nga përshëndetja në gjuhën angleze të ministrit Aldo Bumçi.

-Anglishtja e ministrit shqiptar qenka e paqortueshme, – mërmëriti belgia, – ndërsa po e duartrokiste fuqishëm.

Pas pak çastesh, në skenë hyri thjeshtësisht një burrë flokëbardhë i veshur me frakun karakteristik të dirigjentit. Ishte Zhani Ciko. Salla buçiti sërish në duartrokitje. Në thjeshtësinë e atij burri kishte diçka hijerëndë. U luajt uvertura «Një ditë feste» e të paharruarit Nikolla Zoraqi. Shkopi magjepës i dirigjentit dukej se gëzonte duke drejtuar me dashuri melodinë e dajës së tij dhe dukej se komandonte jo vetëm instrumentistët, por të gjithë sallën. Sapo u mbyll uvertura, salla shpërtheu në duartrokitje. Menjëherë pas ovacioneve u shfaq, impozant, baritoni Ylber Gjini me romancën «Eh, ju male» të të madhit Çesk Zadeja.

-Fantastik, – dëgjova t’i pëshpëriste kavalierit të saj zonja kureshtare e gjithçkaje shqiptare. Vijuan Aria e Donikës kënduar nga soprano e talentuar Mariana Leka dhe ajo e Lekë Dukagjinit nga tenori mahnitës Armaldo Kllogjeri. Më pas u dëgjua me një shpërthim frenetik ekzekutimi i «Che faro senza Euridice» të von Gluck-ut, prej sopranos Enkelejda Shkoza.

Sqimatari u anua dhe më pyeti:

–      Edhe kjo zonjë shqiptare është?

–      Po zotëri, – iu përgjigja unë me një ndjenjë krenarie.

Baritoni Armand Likaj me prezencën e tij elegante e fisnike e bëri sallën të gjëmonte me interpretimin e operës “Skënderbeu” të Vivaldit. Zëri i tij dukej se vinte nga shekujt si një jehonë malesh për t’u ngulur në ultësirën belge. Ai dukej të thoshte: «Jemi edhe ne. Jemi, e kemi qenë gjithnjë». Interpretimi i tij i shkëlqyer u pasua nga interpretimi plot gjallëri i tenorit Riad Ymeri dhe baritonit Gëzim Myshketa e ai lozonjar i Mariana Lekës, Vikena Kamenicës e Enkelejda Shkozës në operën komike të Mozartit, “Cosi fan tutte”.  Instrumentistët tanë e shkrinë talentin e tyre kur luajtën pjesën e katërt (allegro vivace) të uverturës së “Vilhelm Telit” të Rossinit nën drejtimin e Zhani Cikos. Spektatorët mbetën pa frymë kur thirrjes së trompetave iu përgjigj fanfara triomfale e pikëzuar nga bateria dhe e pasuar nga violinat, të cilat luanin në një perpetuum mobile marramendës. Është e çuditshme, – foli belgia, ndërsa po përplaste shuplakat me sa forcë kishte, -ky njeri me flokë e tij të bardhë dhe hijen krenare më kujton von Karajanin dhe mënyrën e tij strikte të të dirigjuarit dhe nga ana tjetër, me thjeshtësinë dhe sinqeritetin e tij, më kujton të këndshmin Lorin Maazel. Baritoni Armand Likaj u shfaq sërish në skenë. «Nuk më kuptoni shqip? Dëgjomëni gjermanisht tani», dukej t’iu krenohej ai të ftuarve të huaj ndërsa magjepste sallën me «Der Vogelfänger bin ich ja» (Unë jam kapësi i zogjve) nga “Flauti magjik” i Mozartit.  Duartrokitjet ishin të tilla saqë dukej sikur spektatorët nuk dëshironin që Baritoni Likaj të dilte nga skena kur përfundoi aria e Papagenos. Tani do të interpretohet dueti i preferuar i vajzës tonë, – më tha ime shoqe me një buzëqeshje domethënëse dhe m’u kujtua se Irida sa herë që ndihej ndopak e mërzitur vinte diskun me arien e luleve të Leo Delibes me zë të lartë, si të donte të përzinte çdo mendim a ndjenjë zymtie. Irida e kishte zakon ta vinte herë pas here, madje ta rivinte sapo mbaronte dhe pas disa orësh, dilte e transformuar, gjithë gëzim nga dhoma e saj nga ku vazhdonte të kumbonte melodia, si të vinte nga Pranvera shumëngjyrëshe e Indisë së larg, prej nga kishte marrë frymëzimin kompozitori. Ndërkaq, në skenë ishin afruar soprano Mariana Leka dhe mezzo-soprano Vikena Kamenica, e cila me buzëqeshjen e saj të ëmbël që ngjall adhurim e bëri për vete gjithë sallën ende pa filluar së kënduari.

Tani, kemi pranverë, – u thashë të ftuarve të rastësishëm. -Dëgjojeni zotëri mrekullinë Kanarinave  tona. Ato bëjnë të çelin lulet edhe mes dimrit polar edhe mes shkretëtirës, si në Indinë e ëndërruar të  Delibes. Spektatorët nuk pritën të mbaronte dueti, menjëherë pas unisonit të pjesës së dytë nuk përmbaheshin më duartrokitjet. E ndjeja veten krenar për arritjen e artistëve tanë dhe m’u duk se po merrja një pjesë nga admirimi i shprehur hapur për to. Hyrja e sopranos Eva Golemi, me bukurinë e saj skulpturale, vendosi një qetësi absolute dhe kur solistja e qau në një mënyrë të përkryer arien tragjike të Florias në operën “Toska” të Puçinit, spektatorët u rrëqethën të mallëngjyer. Pas dy solisteve, Mariana Lekës me «Rusalka”-n e Dvorak-ut dhe Enkelejda Shkozës me «Trovatore”-n e Verdit, erdhën përsëri Eva Golemi e Armaldo Kllogjeri me «Vicino a te»  të Umberto Giordanos ndjekur nga «Nemico della patria» kënduar nga baritoni i mirënjohur Ylber Gjini. Duartrokitjet nuk kishin të reshtur. Spektatorët i donin artistët në skenë. Nuk donin të ndaheshin prej tyre. Ime shoqe, e cila i pëlqen tejet mase kompozitorët francezë u gëzua kur pa në program se do të luheshin dy pjesë nga Karmeni i Bizesë. Spektatorët ishin kthyer në një instrument gjigand i cili nën drejtimin e dirigjentit tonë të madh Zhani Ciko mbante ritmin e Toreadorit. Salla u elektrizua nga interpretimi i “Granadës” prej Armando Kllogjerit. Pas tij, Vikena Kamenica me «Mall për Arbërinë» preku zemrat e të gjithë spektatorëve. E si të mos prekeshin ato zemra, kur një pjesë e madhe e sallës përbëhej nga diaspora, e cila edhe pse kthehej shpesh në Shqipëri, vazhdonte të mundohej nga nostalgjia për mëmëdhenë. Kënga e saj ishte një mall, një dhimbje, një vajtim që pushtoi shpirtin dhe sytë e përlotur të gati gjysmës së dëgjuesve. Shuplakat përplaseshin me forcë, por ato nuk ishin duartrokitje, ishin falënderime të dala nga shpirti i më shumë se dy mijë spektatorëve.

-Jeni fantastikë zotëri, – dëgjova zërin e zonjës belge. Koncerti u mbyll me këngën «Për ty Atdhe». Gjithë salla ishte ngritur në këmbë në shenjë respekti. Atdheu kishte hyrë në sallën “Henry Le Bœuf” të Pallatit të Arteve të Bukura nëpërmjet një burri flokëbardhë dhe trupës së tij virtuoze. Kishin sjellë me vete një dhuratë të madhe, kishin sjellë një copëz Shqipëri. Në atë moment salla nën drejtimin e Zhani Cikos filloi të këndojë këngën «Dua më shumë Shqipërinë». Zërat dilnin nga shpirti i çdo shqiptari për t’u bashkuar në unison me këngëtarët, dirigjentin dhe orkestrën. Të pranishmit valëvitnin flamurin Arbëror në shenjë përshëndetjeje dhe falënderimi për artistët. Çifti belg na ftoi të pinin një gotë me ta në barin e Pallatit. Zonja elegante mori gotën e shampanjës së sapo shërbyer dhe e trokiti në fillim me time shoqe, me time bijë, me mua dhe me dhëndrin.

-Përjetuam një moment vërtet të paharruar. Ju falënderojmë për ftesën, e cila na dha rastin të njohim një pjesë të kulturës shqiptare.

Ne e falënderuam me radhë dhe cikëm gotat me të dhe sqimatarin, i cili u prezantua duke thënë.

-Ju keni një art dinjitoz e këtë po jua thotë një kritik arti, Marcel Dombast, – u prezantua ai. Ju kërkoj ndjesë për fjalët që dëgjuat prej meje në holl e megjithatë desha të di diçka nëse më lejoni.

-Mund të pyesni pa ndrojtje, – iu përgjigj ime bijë.

-Kur keni një art të këtij niveli të lartë, desha të di, zotërinj, përse i nxirrni në pazar të brendshmet e palara? – pyeti ai duke bërë aluzion për filmin ‘Amnistia’.

«Vërtet përse? Për servilizëm, për mazokizëm, apo ndoshta për llogari të të tretëve», pyeta me vete dhe më në fund thashë :

-“Nuk e di zotëri. Duhen pyetur ata që nxijnë çdo gjë të bukur që kemi”. Pas rreth njëzet minutash u ndamë prej çiftit belg, por pyetja e atij kritiku më kishte hyrë si pykë diku në anën e majtë të kraharorit. Ime bijë e kuptoi gjendjen time dhe tha: «Mos e vrit mendjen. Zhani dhe trupa e tij na bënë të ndihemi krenarë. Eja të shkojmë t’i takojmë dhe t’i falënderojmë për emocionet dhe mbresat që na lanë».