Xhorxhi Vasili/ Muzeologjia arsimore, pjesë e kulturës kombëtare

616
Përshëndetje profesor, deshëm t’iu pyesnim për temën që ka lidhje me kujtesën në vite të institucioneve dhe në veçanti të arsimit. Cili është gjykimi juaj për këtë temë?
Realisht, në mjaft institucione të vendit tonë, ka pasur një traditë për të nxjerrë në pah historinë, rrugën, arritjet e këtyre institucioneve, kjo lidhur si pjesë e historisë së zhvillimit shoqëror. Nuk kanë qenë të pakta botimet për historikun e fshatrave, institucioneve, ndërmarrjeve, ngjarje që kanë qenë në mjaft raste përçuese për më tej. Kuptohet se ka pasur shumë subjektivizëm sipas interesit të njërit grup apo tjetrit, kapërcime politike, fryrje të të ashtuquajtura suksese ndër vite, por megjithatë edhe ato kanë shërbyer për kujtesën historike të fshatrave, qyteteve e ngjarjeve që mos të mbyten nga pluhuri i harresës. Është në to një jetë dhe breza që kanë punuar e luftuar. Për mendimin tim, dëmi më i madh është bërë në fshirjen me qëllim të faktit dhe të së vërtetës, të cilat sot është vështirë t’i gjesh. Janë zhdukur emra, retushuar fotografi, fryrje e madhe e shifrave dhe kontributit të njerëzve në periudha të caktuara. Por, ashtu si lartpërmenda, sado të mangëta të kenë qenë, kanë vlera. Ekzistenca e produktivitetit të tyre shërben sot për një trajtim më serioz dhe për një shkrim sa më të saktë të atyre që kanë ndodhur. Më ka rënë rasti të kem nëpër duar shumë përmbledhje për arsimin, disa botime për shkolla të ndryshme shqiptare dhe shumë prej tyre janë me vlera sepse ata që kanë punuar për realizimin e tyre kanë ditur të largohen nga subjektivizmi dhe të japin me vërtetësi atë që ka ndodhur. Më ka rënë rasti të shoh dokumentar televiziv për arsimin, shkolla të ndryshme, kam parë disa muze shkollash, fletpalosje, kam marë pjesë në disa përvjetorë të disa shkollave me emër. Të gjitha këto kanë shërbyer për të hulumtuar më në thellësi dhe për të nxjerrë në dritë rrugën e arsimit shqiptar. Nuk mund të jap gjykimin tim për këtë temë sepse u takon organeve dhe institucioneve përgjegjëse për të gjykuar çfarë është bërë deri tani dhe për të vendosur për atë çka do të bëhet e pasurohet në të ardhmen.
Sigal

Ju keni ndërmarrë disa nisma për këtë çështje; si janë realizuar ato dhe cili ka qenë fati i mëtejshëm?

Në të vërtetë të krijohet ideja se me problemet e historikut, duhet të merren letrarët e historianët, sepse natyra e punës dhe profesionit të tyre është më pranë. Mendoj se në këtë fushë mund të japin kontribut të gjithë, parësorë e anësorë. Edhe dikush që dhuron një fotografi, një kujtim, një dokument, jep kontribut të madh. Edhe vetë ruajtja në mënyrë skrupuloze të dokumenteve të rralla është një super kontribut. Dhe jemi dëshmitarë kur njerëz të veçantë kanë dhuruar fakte interesante dhe objekte me vlera të rralla të cilat kanë vlera dhe pasuri hitoriko-kulturore të një populli, për kujtesën e tij. Për të arritur këtë kontribut duhet një strategji e veçantë, një mbështetje moralisht e materialisht dhe patjetër që do kesh rezultat pozitiv. Nisma jonë në 1980 për të festuar 20-vjetorin e gjimnazit të Sarandës na obligoi që të merrnim mjaft guximshëm realizimin e disa projekteve siç qe ai i muzeut të shkollës, fletëpalosjeve, intervistave radiofonike, grumbullimi i rreth 2000 fakteve ndër vite por edhe më tej për historinë e arsimit në qytetin e Sarandës që zë fill në vitin e largët 1920. Këto i bëmë sëbashku me Mjeshtrin e Madh, të ndjerin Vasil Partali. Guxuam të ndërtonim një muze për një shkollë vetëm 20 vjeçare që nuk kish në gjirin e sajë heronj, por që ishte konsoliduar e rritur në vite, duke u bërë një shkollë me emër në gjithë vendin. Ishte një punë e lodhshme. Kërkoi kohë dhe natyrisht fonde. Bashkëpunuam me institucione dhe personalitete të asaj kohe dhe përfundimisht i dhamë Sarandës, arsimit të sajë një provë mjaft të mirë për rrugën e dijes së saj. Kujdesi për këtë muze ishte i vazhdueshëm dhe nga viti në vit ai pasurohej për të ardhur deri në rikonstruksionin e viteve 2006-2010. Tani ai u vendos në një sallë të re me mjete bashkëkohore, me dicitalizim të të gjithë materialit, me një ndërtim për nga një këndvështrim i ri dhe që mendoj se është një nga më të mirët sot në vendin tonë në muzetë e arsimit. Pas kësaj nuk e pamë thjeshtë si një punë të realizuar ndërtimin e muzeut të shkollës, por duke përfituar nga rasti që punoja prej disa kohësh në televizion, realizova rreth 30 dokumentarë televiziv për figura të arsimit në qytet, intervista me ish nxënës dhe prindër, mësues dhe qytetarë me kujtime që nga ndërtimi i shkollës për të ardhur tek një film dokumentar për rrugën 50 – vjeçare të këtij simboli të arsimit të qytetit të sarandës nderuar me prizmin e artë dhe fitues i disa olimpiadave kombëtare. Ky film u realizua në bashkëpunim me RTSH dhe regji të Ëngjëll Ndocaj.

Të gjitha sa përmendët ju kanë kërkuar shumë punë dhe ngarkesë. Si ia keni arritur ta përballoni kur kemi parasysh realizimin e muzeut, filmit, dokumentarëve televizivë, librit, fletëpalosjeve të cilat kërkojnë hulumtime, mbledhje materialesh, anketime, fotografime, tryeza të rrumbulakta, pra nuk ka qenë një punë e lehtë?

Një ndihmë të madhe më kanë dhënë ish kolegët, mjaft shokë, ish nxënës, etj. Nuk mund të lë pa përmendur ndihmën e ish kryebashkiakëve Gjoka dhe Çipa, fondacioni “Lidia”, etj.

Ç’do realizim ka rrugët e tij specifike.Ju jeni një matematikan dhe me këto nisma delni jashtë kornizës tradicionale. Patët vështirësi në realizimin profesional të tyre?

Vërtetë është e vështirë tradicionalisht për tu realizuar kjo, por matematika nuk ka qenë rruga e vetmja imja dhe do të them të drejtën, nuk ka qenë ndonjë pasion i veçantë, pavarësisht se arrita suksese dhe botova artikuj dhe shkencorë në lidhje me të. Asnjëherë nuk jam shkëputur nga letërsia, leximi, sporti i cili ka qenë një pasion i imi i hershëm dhe në këtë fushë kam disa botime, ndërsa lidhja me notin do të jetë bashkëudhëtare e jetës sime dhe kështu që , mendoj, se brenda mundësive që pata, dhashë diçka edhe në këtë fushë.

Shembulli i gjimnazit të Sarandës merr vlerën e udhërrëfyesit për të tjerët. A duhet që vetë ministria, zyrat arsimore, shkollat të përpiqen më shumë në këtë drejtim të muzeologjisë arsimore?

E vërteta është se nëse do të bënim një preventiv të shpenzimeve për këto punë, do të dilte një kosto shumë e madhe. Nuk është e lehtë të gjenden fonde, por nëse ke dëshirë realizimi i nismës bëhet e përballueshme. Për ndërtimin e muzeut ndihmuan zyra arsimore, bashkia e Sarandës, disa banka dhe institucione që nuk i lidhte gjë me shkollën, por duke parë emrin e mirë të saj, nuk nguruan të japin ndihmën dhe të gjithë emrat kontribues janë në një tabelë të veçantë në muzeun e shkollës. E rëndësishme është që çdo shkollë duhet të fiksojë historinë, të mos humbë asgjë dhe të bëhet frymëzuese për gjeneratat që vijnë.

A janë pritur këto veprimtari mirë nga qytetarët, nxënësit, mësuesit; A janë propaganduar dhe si është folur pët to?

Vlerësime kurajoze nga qytetarë, nxënës dhe ish nxënës. Është bërë propagandë në media të ndryshme vizive dhe të shkruar, por them që kjo punë mbetet e pakët. Më vjen mirë që “Telegraf” pas intervistës për muzeun e sportit vjen përsëri për muzeun e shkollës, për arsimin. Kjo nismë do të sensibilizojë dhe do vërë në lëvizje edhe mediat e tjera për t’i kushtuar vëmendje muzeologjisë sidomos ato organe që e kanë detyrë ta bëjnë këtë gjë.