Xhezair Abazi: Subjektivizëm dhe formalizëm në fushën e mendimit kritik

885
Sigal

Flet kritiku dhe studiuesi letrar Xhezair Abazi: Kritika jo profesioniste, servile e pro zyrtare, bën ‘qoka’ si në promovimin e librit të Fevziut për Zogun.

Z. Xhezair! Jeni një kritik dhe studiues i njohur i letërsisë. Emri juaj dikur zinte vend të rëndësishëm në faqet e gazetës “Drita” dhe në organe të tjera të shtypit letrar, kurse në vitet e tranzicionit kritika juaj letrare ka qenë herë intensive dhe herë jo e tillë…Pse ky fluktuacion në ecurinë tuaj studiuese dhe botuese?

-Në ecurinë studiuese nuk kam pasur asnjë lloj fluktuacioni. Që nga fillimi i viteve `70 e kam ndjekur si sizmiograf procesin krijues të botës letrare shqiptare. Kurse në shtyp e botime ma kanë informuar ”fluktuacionin”.

Më konkretisht, a mundet?

Po…. Nga mezi i viteve`70, në ecurinë e debateve që zhvilloheshin në shtypin letrar të kohës posaçërisht në “Drita”, unë u cilësova si një “pinjoll plangprishës” i domenit të socrealizmit. Veçanërisht firma krijuesish e studiuesish militantë të ideologjisë socrealiste si Ll. Siliqi, A. Uci, J. Mato etj, më cilësuan “formalist”, “antirealizmit socialist” etj. Veçanërisht esteti zhdanovist A. Uçi, në një shkrim kilometrik (në “Zëri i Popullit”) u bënte një radiografi shkrimeve të mia dhe arrinte në përfundimin se, letrar më formalist dhe arrivist s`gjendej në atë kohë… Dhe, ”nëna Parti” më çoi për edukim 4-5 vite si korrespondent krahinor në Veri dhe më hoqi të drejtën e botimeve në shtypin letrar. “Fluktuacioni” i dytë ka ndodhur aty nga vitet 1999-2000. Në shtypin e kohës – ai i përditshëm (se letrar s`kishte më) -u “shpall” se për artikujt apo studimet letrare e artistike, nuk do të kishte shpërblime monetare,”honorare” siç themi në gjuhën e përditshme… Jo se një kritik a studiues rron me këto ”honorare”, por ky ishte një diskreditim brutal, një fyerje publike për kritikët, studiuesit e recensentët e letërsisë dhe artit…Përballë këtij “injorimi” a nënvlerësimi – unë zgjodha të shkruaj ”për vete” dhe të botoj vetëm me libra…. Kështu kanë bërë dhe shumë kritikë e studiues seriozë të letërsisë dhe arteve. Dhe prej 10-15 vitesh faqet e “kulturës” të të gjitha gazetave mbushen me ca gazetare të reja, të cilët arrijnë të “shkruajnë” edhe informacione të tilla: ”Skenarin e premierës “Henriku i IV” e ka shkruar W. Shekspir” apo skenarin e shfaqjes… e ka shkruar Kasem Trebeshina”!…

Mendoni se ky është shkaku që kritika letrare është pothuajse inegzistente?

-Jo. Ky është njëri nga shkaqet. Kritika letrare-artistike, po edhe studimet në këto fusha, janë shumë komplekse. Së pari, duhet të kujtojmë se, historikisht, kritika është cilësuar nga krijuesit si “xekthi që nuk i len qetë të lërojnë”. Pra vetë shkrimtarët, thellë-thellë nuk e kanë mirëpritur kritikën letrare…Madje rëndom e kanë “luftuar” atë. Dhe koha ka treguar se vetëm nëpërmjet faqeve të shtypit të përditshëm apo atij periodik (faqet e kulturës) dhe organizmave shtetërore dhe shoqërore, është zhvilluar kjo degë e shkencës së letërsisë….M`u kujtua tani një pohimi Heminguejt: në se e “dëgjon” kritikën kur të vlerëson, duhet ta dëgjosh edhe kur bën të kundërtën.

Kritika letrare ka funksion të dyfishtë: bën vlerësimin e veprave letrare në ecurinë krijuese dhe, së dyti, e përçon atë te lexuesi…Apo jo?

-Po, të dyja këto gjymtyrë të kritikës duhet të jenë funksionale në mënyrë permanente – për të qenë të efektshme. Ndryshe ndodh ajo që kemi sot në vendin tonë. Askund nuk mund të gjesh një vlerësim kritik të arsyetuar për një vepër letrare, publicistike apo çdo zhanri qoftë….Dhe lexuesit, dashamirit të librit i mbetet të pyes e “besojë” vetëm libraren (Dhe ajo e shkreta thotë ”diçka” pa i lexuar librat…)

Po këto përurimet e librave që bëjnë botuesit apo shoqatat kulturore, nuk ndihmojnë në gjykimin dhe përçimin e vlerave letrare-artistike?

-Ah, më dole në “shtegun” më delikat. Këto ”promovimet” e sotme, që dikur i quanim ”diskutime krijuese”, janë shndërruar në “parade top modelesh”. Po të shkosh në to e të dëgjosh ato që flasin, thua me vete: ”Shyqyr, o Zot, doli një libër me vlera!…”Por në të vërtetë s`është lançuar asnjë vlerë – sepse aty flet botuesi që do të shesë “mallin”!, flet miku apo familjari i “autorit” etj. etj. Madje ka botues “të fuqishëm” që librat e klanit të vet i pompon dhe reklamon sa ia kalon ”Mondatorit” apo “Fajardit”. Shembull tipik në këtë drejtim, unë përmend botimet e Henri Çilit. Në çdo promovim aty është e pranishme një kastë e fuqishme politike dhe “elita krijuese” e fushës së letrave… Atje ndrit e ligjëron fillimisht “alias Çili” dhe pastaj vijnë “Vipa” të tjerë që ngrenë lart librin apo autorin. Dhe ti vret mendjen: more, po njësoj janë edhe Spartak Ngjela me Grida Dumën, apo Preç Zogaj e Maks Velo me… s`po përmend emra për etikë. Po kulmi i “pompës’, i falsitetit dhe hipokrizisë u shënua në një promovim libri në Pallatin e Brigadave ose Pallati i Zogut siç i thonë disa tani.

Sa për dijeni, për Ahmet Zogun janë botuar disa libra-monografi e studime. Nga Bernd Fisher dhe Kristo Frashëri, si dhe tani së fundi nga gazetari Blendi Fevziu. Dy të parët njihen si historianë të spikatur, studiues me emër e vepra të cilësuara jo vetëm ndër ne. E megjithatë për librat e tyre nuk është bërë asgjë promovuese. Kurse për librin e gazetarit Fevziu, Çili etj., të së “djathtës”, pushtuan Pallatin e Brigadave dhe mblodhën aty gjithë krerët e politikës, kulturës dhe letrave të Shqipërisë, por edhe autoritete të lartë të shtetit, të cilët ndjenin “detyrën” t`i bënin ”qokën” Fevziut të “Opinionit” në TV “Klan”…Por këta e dinin se në atë sallon fëshfëritës, ishin të merituar për paraqitje e diskutim librat e B. Fisherit dhe K. Frashërit.

-Po media elektronike, d. m. th kanalet Radio-televizive, kanë padyshim rol në zhvillimin e mendimit kritik.

-Po, por ato mbeten më shumë në sferën e reklamës e të publicitetit. Ka edhe kanale televizive siç është TOP CHANELL që kanë programe fikse për librin, por në të shumtën dhe aty zotëron publiciteti, ditirambet verbale dhe – ndonjëherë -dominimi i një klani botuesish që kanë “pushtuar” dritaren e TOPIT “Vitrina e Librit” dhe “ligjërojnë’ atje për qejf të vet…Folsegazetarja B. Njuma ka krijuar një “rreth” botuesesh dhe përkthyesish që reklamojnë botimet apo përkthimet e tyre. Sidomos dominojnë aty lancimet e romaneve erotik. Kurse TOPI si TV kombëtar duhet të ketë përparësi librin e ri shqip, vlerat letrare, artistike e shkencore që krijohen në kulturën kombëtare. Në ”llavën e botimeve origjinale, ka edhe romane, vëllime poetike, monografi apo botime sociohistorike, për të cilat TOPI apo televizionet e tjera duhet të luajnë rolin që u takon: informim dhe vlerësim. Dhe kjo mund të bëhet duke ftuar kritikë e studiues që e peshojnë fjalën,jo vetën autorët apo miqtë e tyre…Një shembull i mirë është ai i kohëve të fundit për monografinë e Jup Kastratit për De Radën.

-Duke të dëgjuar ndjej se ke shqetësim të dukshëm subjektivizmin dhe formalizmin në fushën e mendimit kritik.

-Po, këto dukuri kanë qenë dhe mbeten sëmundja më e keqe kronike në fushën e letrave shqiptare…Ka filluar në Para rilindje me Konicën (kur e quante Naimin “poet i tata-ve”), ka vazhduar në vitet `30 të shekullit 20 (kur u lanë mënjanë Noli e Migjeni), ka vazhduar (ideologjikisht) në vitet e socrealizmit (me mohimin e shumë figurave letrare kombëtare dhe “pompimin” e poetëve dhe shkrimtarëve militantë komunistë) dhe është krejt e pranishme, në mënyrën më anarkike dhe subjektiviste. Dhe kjo është evidente në emra të shquar të letrave shqiptare. Po marrë shembull të parë Rexhep Qosen. Dikur e cilësoi Kadarenë “gjeneral’ të prozës shqipe, kurse më vonë, për arsye konfliktesh personale, e quajti “shkrimtar oborri” dhe injoroi fare veprën e Kadaresë. Kështu bëjnë pak a shumë edhe Sabri Hamiti, Fatos Lubonja dhe emra të tjerë. Ose po sjell një shembull tjetër të dhimbshëm: Kur shkrimtari Zija Çela ishte kryeredaktor në botimet e Lidhjes së Shkrimtarëve zinin “radhë” (edhe unë si mik i tij) të shkruanim për librat e tij. Kurse në”tranzicion” shkruajnë për të vetëm dy miq të tij, Rudolf Marku dhe Ali Aliu. Mund të vazhdoja këtu edhe me shumë shembuj të tjerë të fushës së letrave…Por nuk është vendi këtu…

Në fakt, kritika dhe studimet letrare shqiptare, si në Tiranë dhe Prishtinë-për të përmendur vetëm epiqendrat – nuk janë pa traditë. Apo jo?

-Po, është një traditë e krijuar me shumë përpjekje dhe në kushte e rrethana të vështira, herë-herë dramatike…P sh gjatë regjimit komunist – kritikët dhe studiuesit letrarë ishin në survejim permanent. Ndaj dhe shumica e shkrimeve, librave, studimeve etj., ishin thellësisht të ideologjizuara. Por nëpër to dhe në diskutimet krijuese, kishte dhe zhvillim bashkëkohor të mendimit kritik, kishte dhe një kritikë letrare që atëherë quhej “novatore”. Po të shikojmë edhe atë që zhvillohej në Prishtinë, e cila ishte më pak e ideologjizuar, mund të themi se ka pasur një traditë. Këtu do të shtoja diçka për mendimin kritik që zhvillohej në Lidhjen e Shkrimtarëve. Në fakt Lidhja s`ka qenë një “gjë” Bardh e zi, si lexoj në shumë “kujtime” që botohen sot. Atje kishte vërtetë një “udhëheqje ideologjike”, por kishte edhe rrahje mendimi profesional, debat dhe mendime konstruktive krijuesish e studiuesish me kulturë. Këto meritojnë vëmendje se shumica janë botuar në shtypin letrar (“Drita”, ”Nëntori”) siç edhe vetë Lidhja në përgjithësi si institucion.

 Viron Kona