Xhevahir Spahiu: Kalorës pa fat

733
Sigal

Poetit Ali Podrimja

Xhevahir Spahiu

Shiu dhe vapa 

a e njohin shijen e natës në terr

Hidhi këmbët, kalorës,

u err.

Je i lodhur, e di,

me një lodhje mitike.

Do të mundesh këta gurë t’i çosh.

tej kufirit të humnertë të dhimbjes?

Për njeriun

në moshën e një shekulli të thyer në mes

është e rëndë të merret me punë Sizifi.

(Dhe thonë,pastaj

i lehtë, si fluturat, shpirti!)

Kalorës pa fat!

ngarkuar me gurët e varrit

të pikepesës sonë,

a thua do ta korrim një verë

bukën e hidhur të ëndrrave tona?

Apo sërish kokë më kokë të kokojmë

rreth sofrës së shtruar

në gojën e djallit:

“S’u bë që s’u bë Dheu i Arbërit?”

Patkonjtë shkrepin xixa,

pluhur lënë pas

dhe për gjurmë një zgavër guroreje hata.

Etja s’gjen fjalë

t’i thotë etjes ç’etje ka.

Po t’i bëj udhë, kalorës pa fat

nga raca kokëshkretë e Don Kishotëve.

Drurët i dëgjon ?

Hingëllijnë horizonteve.