Xhensila Seferi: Modelingun s’e përdor si qëllim në vetvete, por si rritje të personalitetit tim

613
Sigal

Xhensila Seferi: Në shoqërinë tonë dallohet herë -herë agresiviteti ndaj të bukurës, unë e kam ndjerë edhe në marrëdhënie intime

Xhensila Seferi….. E re e bukur dhe tepër elegante. Ky është vlerësimi për top-modelen më të pëlqyer sot në Kryeqytetin shqiptar. Studentja e Universitetit të Tiranës, përveç objektivave për rezultate të larta në shkollë nuk lë pas dore edhe kujdesin për veten nëpërmjet gjimnastikës dhe aerobisë pasi një top-modele e mirë duhet patjetër të ketë edhe një trup elegantë. Një gjysmë bionde, por shumë seksi që me elegancën dhe fotot po çmend gjithë fansat saj, jo vetëm në Facebook, por kudo që ndihet prezenca e saj. Ajo në një intervistë për “Telegraf” zbulon prioritetet dhe objektivat e afërta dhe të perspektivës, të cilat preferojë t’i bëjë publike edhe për dashamirësit dhe fansat e sajë. Pas pjesëmarrjes në aktivitetet ndërkombëtare, Xhensila mendon se të tjera aktivitete e presin dhe qëllimi i saj është prezantimi dhe fitimi i çmimeve, të cilat në fund të fundit do i shtojnë dhe lartësojnë më shumë emrin.

Xhensila, kohët e fundit, Ju kemi parë me disa foto të reja. Çfarë tregojnë këto foto?

 Kam pasur një ndryshim në performancën time dhe dashamirësit e mi, njerëz të afërt të artit më kanë sugjeruar të bëj sa më shumë fotografi. Unë nuk e kam ndjerë shumë ndryshimin, por fakti që fotot e mia u pëlqyen, do të thotë që paskan pasur të drejtë.

Do i bëni prezent edhe në faqet e tjera këto foto apo ky është një test për të parë se si do pritet nga admiruesit e tuaj?

Siç thashë me lart, padyshim që është një test, i cili u prit mirë nga shoqëria ime, por edhe nga ekspertë të kësaj fushe, kështu që, kam vendosur që gjatë kësaj pjese të verës që ka mbetur dhe sidomos gjatë vjeshtës kam vendosur që të bëj foto profesionale sepse mendoj se do më duhen në funksion të skenës. Unë iu kam thënë dhe në intervista të tjera se e adhuroj skenën pa harruar të them se të gjitha femrat e adhurojnë skenën, por jo të gjitha kanë fatin të dalin aty. Fotografia dhe skena janë thuajse e njëjta gjë edhe pse fotografia është statike dhe skena në lëvizje. Arsyeja kryesore që unë i jap karakter lëvizjeje dhe fotografive është fakti se paramendoj skenën.

Si e mendoni reagimin e fansave dhe pritshmërinë për fotot tuaja?

Kam besim se do të ketë progres. Diku kam lexuar … doni ta shihni perspektivën tuaj? Shihni një fotografi aktuale, sepse ajo është perspektiva juaj. Unë e kam besuar këtë mendim dhe prandaj them se perspektivën duhet ta kem të suksesshme. Një femër që dëshiron t’i kushtohet skenës dhe karrierës duhet të ketë parasysh gjithmonë performancën e saj. Unë investoj seriozisht në performancën time, kam besim tek vetja dhe tek perspektiva; prandaj them se fansat e mi, ata që më kanë pëlqyer deri në këto momente do të vazhdojnë të më pëlqejnë pa fshehur synimin se kanë dëshirë normale për të arritur rrethin e fansave të mi. Fotografitë e reja, për të cilat ju fola besoj se do të ma realizojnë këtë synim dhe sigurisht që, do të ma bëjnë dhe më të lehtë rrugën drejt skenës.

Hobi juaj është modelimi. A do i ndërroni pasarelat e modës me një tjetër dëshirë?

 Sigurisht që do ta ndërroja. Nga pasarela dua të fitoj personalitet estetik dhe mendimin për një femër me personalitet. Pas kësaj, pa dyshim që kam synimet e mia në fushën e studimit dhe profesionit për të cilën jam e bindur që do ta realizoj.

A mendoni që një top-modele duhet të jetë më e pranishme në koncerte rinore apo mbrëmje të rinjsh?

Jo nuk është e thënë, por ajo duhet ta provojë veten domosdoshmërisht te pëlqyeshmëria e brezit të ri. Një femër e bukur do quhet e tillë n.q.s është e bukur deri në fund, në të gjitha etapat e moshës së saj. Balzaku na ka thënë: “se një femër e bukur ndihet gjithmonë si në shtëpinë e vet, nëse kjo është e emancipuar”. Unë nuk e harroj këtë shprehje balzakiane dhe i preferoj të gjitha rrethet sepse kam dëshirë që me prezencën time të afektoj jo vetëm një brez, por dhe më shumë. Në fakt ky është personaliteti. Kjo jetë është fenomen estetik, por sjellja jote mundet të kalojë të bukurën në shëmtim. Edhe këtë gjë e kam parasysh, por pëlqyeshmëria që më jep brezi im në kontaktet e modelingut ose të skenës sigurisht që, më jep gjithmonë energji.

Mendoni se ka ardhur koha, fjala bie që një top-modele të jetë edhe një striptiste skene, kur kemi parasysh bukuritë femërore?

Striptizmi është jashtë natyrës sime, jo për efekt moral, por edhe për efekt estetik. Në rast se doni t’jua shpjegoj po ua shpjegoj disi me qartë: nuk duhet ngatërruar asnjëherë erotika (dashuria) si koncept me pornografinë ose seksin. Arti ka lidhje me të bukurën, personalitetin femëror rritet nga bukuria e saj përballë ambientit dhe maturia e saj përball sjelljes në funksion të moralit shoqëror ose personalitetit. In -ekstremis është jashtë natyrës sime, nuk them se një pornostar ka bërë ndonjë deviacion moral, por unë them se ato kalojnë në in- extremis sepse nuk e realizojnë dot famën ose karizmin me normalitetin. Për karrierën time kam zgjedhur normalitetin dhe besoj se do ta realizoj kapërcimin tim nga skena e të bukurës në fushën e ideve. Ideja dhe e bukura në rast se takohen tek një femër i japin asaj energji historike, d.m.th personalitet të gjatë.

Kur isha 17 vjec dhe me përzgjodhën për të bukur dhe performancën e trupit, natyrisht që, më entuziazmoi, por me kalimin e kohës dhe me pjekjen që mora nga përfundimi i studimeve të larta për shkenca politike, arrita të përfundoj në filozofinë ose botëkuptimin tim që iu shpreha më lart; bashkimin e të bukurës me ide. Formimi akademik që kam marrë nëpërmjet universitet të përfunduar tashmë më bën ta kujtoj me nostalgji segmetin parë kohor të modelingut dhe entuziazmin tim që ndjeva në ato çaste. Një femër e ka në natyrë të saj ekspozimin përballë publikut në një përzgjedhje estetike, por kjo nuk mjafton sepse dhe vet jeta nuk është vetëm ekspozim, por edhe meditim. D.m.th proces mendimi. Modelingu ma dha mundësinë që të njihesha nga publiku shqiptar dhe me gjerë, tani koha kërkon më shumë prej meje dhe unë ia kam shprehu qartë në këtë intervistë.

Besoni se një topmodele përveç trupit të bukur dhe seksi duhet të ketë edhe veti të tjera?

Kë konsideroni si më të rëndësishme dhe me vlera nga këto veti?

Përgjigjen e kësaj pyetjeje e kam dhënë më lart, kur iu shpreha se vetëm performanca fizike nuk mund të jetë vlerë. Për mua nuk mjafton. Gjatë gjithë kësaj interviste kam shprehur hapur pikëpamjen time se unë kam dashur dhe dua që modelingun ta përdor jo si një qëllim në vetvete, por si një mjet të rritjes së personalitetit tim. Le të kuptohemi: personaliteti është mendimi që kanë të tjerët për ty. N.q.s do mbetesha vetëm një top -modele mendimi i të tjerëve për mua do të ishte i kufizuar vetëm si një afekt estetik. Afekti estetik tashmë ekziston dhe unë do ta rris dhe më tej, por ekspozimi im përball shoqërisë sime do vijë e të bëhet step by step dhe nëpërmjet shfaqjes së botëkuptimit tim për të bukurën, historinë fenomenet sociale dhe më gjerë. Edhe këtë intervistë, ju po e shihni me këtë pikësynim po e jap; si njeri i njohur tashmë dua të shpalos dhe idetë e mia. Në fakt kjo duhet të jetë rruga e karrierës për çdo femër që duke qenë e bukur e pëlqyer dhe e pranuar të ketë dhe idetë e veta për t’i shprehur normalisht përballë shoqërisë që respekton.

Paraqitja juaj e jashtme, ju krijon vështirësi apo lehtësi në jetën e përditshme?

Varet sipas rrethanave, por përgjithësisht janë të dyja bashkë, vështirësia vjen sipas rastit, kur aspektet të nivelit jo të arritur të qytetërimit, nënvlerëson femrën ose krijojnë agresivitetin kundër të bukurës. Duke u nisur nga ecuria historike e qytetërimit e dimë që dallimi midis shoqërive të qytetëruar dhe atyre më pak të qytetëruara, këto të dytat si rregull janë agresivë kundrejt të bukurës. Në rrethana dhe raste të caktuara edhe në shoqërinë tonë dallohet herë -herë agresiviteti ndaj të bukurës, gjë kjo që unë e kam ndjerë në disa raste madje,edhe në marrëdhënie intime, por e përgjithshmja është se pëlqehem si e bukur. Unë kam dashur dhe synoj që pëlqyeshmërinë si femër e bukur ta përdor për t’i fituar karizmin tim, edhe si një femër me personalitet që ka idetë e veta dhe sillet ndaj shoqërisë me normalitetin e pranuar shoqërisht në kohën tonë. Këtë iu thashë edhe  më lart gjatë kësaj interviste.

Çfarë është shtypi dhe televizioni për Ju. Cilat janë raportet tuaja me mediat ?

Në fillimet e mia e kam pasur shumë frikë, në kuptimin normal të kësaj fjale, më dukej vetja sikur do të isha krejtësisht e pafuqishme për të shkruar diçka në gazetë dhe sidomos, kjo frikë rritej në përmasa kur isha përballë kamerës. Dua t’jua them të gjithë femrave që kërkojnë të bëjnë karrierën time: gjëja e parë që duhet të bëni është t’i shpëtoni frikës së kamerës! Unë e kam kaluar këtë lloj frike. Tashmë dëshiroj me ngulm që shtypi dhe televizioni dhe media të jetë miku im, më saktë dua që gjithë media e shkruar ose elektronike të më japë mundësinë për ta rritur synimin tim. Shumë shpejt mendoj të gjejë edhe televizionin tim, ashtu sikurse kam gjetur “gazetën time”. Në këtë moment, ju jeni gazeta e vetme kur unë kam dhënë intervista dhe këtu do të vazhdoj të shkruaj pa e ndërruar me ndonjë tjetër. A doni të keni personalitet në rrugën tuaj drejt njohjes mediatike? Mos e ndërroni gazetën. Kjo është filozofia ime aktuale dhe ju falënderoj dhe vlerësoj që më keni dhënë këtë mundësi.