Xhelal Hoxha: Kujtim Spahivogli u jepte të holla studentëve të varfër

145

INTERVISTA/  Flet ish Drejtori i Teatrit të Fierit, Xhelal Hoxha

 Ka qenë në Akademinë e Arteve në një vit me Timo Fllokon, Birçe Haskon, Mevlan Shanajn, Borova, etj… Megjithëse ishte 12 vjet më i madh se ata, i trajtone si shok dhe si fëmijë, pasi kishte shkuar i madh në atë shkollë të veçantë. Xhelali ishte 30 vjeç, ata ishin 18. Ishte në një shkollë me ata që u bënë famoz ta aktrimit shqiptar, ku merita kryesore i takonte Pedagogut të paharruar Kujtim Spahivoglit. Ndërsa ata studionin për aktrim, Xhelali studionte për kulturë masive.

Si je njohur me Kujtim Spahivolin?

Kur shkova unë në Akademinë e Arteve dega Kulturë masive Kujtim Spahivogli ishte pedagog aty. Na jepte Mjeshtëri aktori apo aktrim si quhet sot. Ishte një njeri shumë i përgatitur, shumë korrekt, shumë i dashur. Shpjegonte aq mirë sa ne hapnim gojën nga habia kur ai shpjegonte. Kishte mbaruar në BS dhe kishte njohuri të mëdha. Ishte komunist idealist me frymë liberale. Nuk i bënte keq as mizës. Me ne kishte krijuar raporte të mira sidomos unë që isha më i madhi dhe që ai më trajtonte si vëlla.  Ai nuk nxehej kurrë, por vetëm ahere kur padrejtësia i kalonte caqet.

 Në vitet shkollore çfarë do të veçoje me të?

 Mbaj mend shumë mirë se ai në shkollë vinte me biçikletë. Kishte një biçikletë të vjetër që se ndante nga vetja. Por kishte një huq të keq. Nuk i vinte çelës kurrë. Dhe biçikletën e tij e merrnin studentët sa herë kishin hall. E merrnin pa leje. U dilte ndonjë punë studentëve, ishin mësuar kap biçikletën e Kujtim Spahivoglit dhe mbaro punë. E sillnin kur t’u tekej. Një ditë Kujtimi do shkonte ë Ministrinë e Arsimit se kishte një mbledhje. Shkon tek vendi i biçikletës dhe s’e gjen. Unë kaloj aty dhe e pyes çfarë po pret Profesor? Më kanë marrë biçikletën dhe jam vonë për një mbledhje në ministri. Unë u afrova dhe filluam bisedën. Do pres dhe 5 minuta më tha po nuk ma sollën do nisem me këmbë, se duhet të jem patjetër aty. Folëm për gjëra të ndryshme pasi bënim nj jetë organizate. Pas pak pa orën. Do iki më tha se u bë vonë. Sa do niseshim, kur para këmbëve frenon me biçikletë një student. Më fal Profesor se u vonova i thotë ai. Por jo mor djalë, por kur do rrini shumë më thoni, se unë duhej të isha në Ministri tani. Si ky rast kishte me qindra. Por ai me studentët kishte dhe një cilësi tjetër. Sa herë merrte rrogën pyeste studentët që ishin ngushtë ekonomikisht, a keni lekë? Ai e dinte kur s’kishin dhe u jepte nga 30 lekë të vjetra.

 Ju thatë që ishit në një organizatë, çfarë të ka bërë përshtypje nga këto mbledhje?

Ah! Ne ishim katër studentë që ishim komunistë. Ishim njerëz nga familje të varfra, por patriote. Na trajtonin mirë në Akademi. Një ditë do bënim mbledhjen e organizatës Bazë të Partisë së Fakultetit. Jetën e organizatës e bënim bashkë, pedagogë dhe studentë. Atë ditë mbledhja pati një ngjarje të veçantë. Komunist ishte dhe roja i derës së Akademisë. Një burrë i urtë, punëtor, shumë fanatik. Kur do mbyllej mbledhja ai ngre dorën i dyzuar. S’kishte diskutuar asnjëherë në mbledhje. Të gjithë e panë me kureshtje. Fol,- i tha kryetari. Si uli kokën në shesh, zëri s’po i dilte. Fol,- e nxitëm të gjithë. Ai tundte kokën dhe së fundi tha. Para ca ditësh, pashë një student, që po puthte një studente (më vonë ky student u bë regjisor i talentuar). Këto janë sjellje të pahijshme. Nga fillimi i sallës u dëgjua e qeshura e Kujtimit, (ahaaaaaaaaaaaaaaa…).Pas tij filluan të qeshin të gjithë. U bë një humor që o Zot. Roja i shkretë u ul i turpëruar. Pas pak për të mos e fyer Kujtimi i drejtohet. Shoku  “x”. Ti mbase ke të drejtë, por ata janë të rinj, do njihen, do dashurohen, do puthen, do martohen. Këto lloj dashurish janë shumë korrekte me normat e moralit komunist. Roja tha një mirë dhe mbledhja u mbyll.

 Po pas studimeve, cilat kanë qenë lidhjet tuaja dhe kur je ndjerë keq në marrëdhëniet me të?

 (psherëtin)…Mbas dënimit të Fadil Paçramit ai u pa me sy të keq. Ishte dhe pedagog (docent), edhe aktor edhe regjisor. Me Paçramin kishte shumë shoqëri. Vitet 1972-‘74 ishin vitet kur lufta kundër liberalizmit kishte shkuar në maja të padurueshme. Si duket në këtë kohë u dënua, për liberalizëm dhe zbutje të luftës së klasave. Unë atë kohë isha inspektor kulture në Fier. Një ditë më thërret Shefi im i kulturës dhe më thotë në orën 10:00 do presësh para Komitetit Ekzekutiv, Kujtim Spahivoglin dhe do ta çosh tek zyra e punës. Kur nuk më tha tek Zyra e Kuadrit, por tek Zyra e Punës, shtanga.

 Pse çfarë ndryshimi kishte Zyra e Kuadrit nga Zyra e Punës?

Po Zyra e Kuadrit do të thoshte që do shkoje diku në punë si kuadro, ndrysa Zyra e Punës do të thoshte që do shkoje në punë si punëtor i thjeshtë. Të lutem i thashë Shefit, mos më ço mua, se e kam mik. U plogështova. Ty të ka caktuar partia më tha. Edhe unë kam mbaruar shkollën me të në BS. Pikë. Iku duke mbyllur zyrën. Pas një ore kur shoh që vjen Kujtimi i qeshur, plot humor. Më përqafoi, më mori në krahë. Unë isha gati të lotoja. I them se më duhet të të adresoj se ku do shkosh. Nuk më takonte mua, por s’kam ç’të bëj. Jo mik, ti s’ke asnjë problem me mua. Më kanë thënë se do vij këtu regjisor dhe jam shumë i gëzuar. Mua m’u prenë gjunjët. E kishin gënjyer. E çoj tek Zyra e Punës dhe e pres. Kur kthehet ai ishte tjetër njeri. Ishte plakur për 10 minuta. Ishte zverdhur. S’e besonte, s’e shihja dot në sy. Lotët i haja brenda vetes për të mos ja shtuar dhimbjen. Ishte gati të binte në tokë. E shoqërova deri tek një lokal. Kur do ikja më tha. Flm për gjithçka, më caktuan me punë në ndërtim në kantierin e ndërtimit të parafabrikateve në Mbrostar Ura. Nuk e di se si ika në shtëpi. Ku do flinte, ku do hante, ku do rrinte, ku do lahej ai njeri i mirë?

 A e takove më vonë?

Pas një muaji ai më lajmëron me një njeri se po më priste poshtë, jashtë zyrës. E pashë që nga dritarja. Ishte dobësuar, ishte kërrusur, ishte zverdhur. Ku ishte ai Kujtim Spahivogli vigan? Unë gjatë kësaj kohe kisha pyetur shumë. Të gjithë në punë e donin dhe jepnin jetën për të. Madje, nuk e linin të punonte pasi ja mbulonin punën punëtorët specialistë. Kur u afrova më tha se mos nuk doja ta takoja. Unë e di se në shoqërinë time merr vulë të keqe. Ai njeri gojëmbël po më bënte prapë të lotoja. Jo,- i thashë- unë të kam mik dhe as dua t’ja di se ç’thonë të tjerët. Atij i ndriti fytyra. Erdha se mora rrogën e parë. Dua të të qeras se dhe këtu mora rrogë docenti, pasi më kanë ndihmuar shokët për punë. Pimë nga një birrë dhe ai më tregonte se si punonte si, e çonte kohën duke lexuar i vetmuar. Pra kishte marrë 1 300 lekë të reja sepse puna aty ishte e vështirë. Më qau shumë halle. Më besoi. Ajo birrë po më mbyste, nuk po më shijonte. Ku e kishin çuar një personalitet të tillë…Kur do ikte më tha:- Unë s’do vij të takoj më, se e di që jam i rrezikshëm dhe më ruajnë”…Uli kokën dhe iku. “Të vish sa herë të duash,- i thashë, -por duke e ditur se fjalën që tha do e zbatonte”.

 Nuk e takuat më?

Jo. Pas ca kohësh mora vesh se e kishin hequr dhe andej nga Mbrostar Ura. Si duket e panë që e donin të gjithë. E panë që ai përcillte mirësi dhe pas disa muajsh e syrgjynosën në Gjonç, tek një kantier ndërtimi afër Selenicës, ku kishte gurë dhe pyje. Më nuk e takova. Kam bërë gabim që nuk shkova qoftë dhe njëherë. Në vitet 1980 mora vesh se vdiq i vetmuar. Por në një libër të vëllait të vet që ishte oficer marine, i cili duke qenë oficer dhe larg shtëpisë, kur Kujtimi ishte në kulmin e vet i shkruan:  “E dashur nënë. Jam shumë krenar që vëllai im dhe djali juaj Kujtimi po na nderon. Me rolet dhe punën e tij, ai po e lartëson emrin e fisit tonë…

Me dashuri…

Këtë letër e kishte parë rastësisht Kujtimi dhe duke qenë aq i thjeshtë, e merr dhe e gris letrën. Nëna e kritikoi këtë gjest. Në një mbledhje e kishin kritikuar dhe për mendjemadhësi. A mund të ishte mendjemadh Kujtim Spahivogli?!