Xheladin Çelmeta/ Krushk i parë në dasmën e djalit të Adem Jasharit

651
Një miqësi e lindur në kohë të vështira lufte, por që vazhdon edhe sot me të njejtin intensitet. Vërtetë, koloneli në lirim Hysen Ymeri, një nga zbuluesit më të mirë të Ushtrisë shqiptare në vite (dalë në lirim pak kohë më parë) nuk mori pjesë drejtpërdrejtë në luftën e Kosovës, por ai pati atje “djemtë e tij” kosovarë, që vetë i pat stërvitur dikur në Tiranë, më 1991, dhe që u bënë më pas luftëtarë trima të UÇK-së në vitet 1998-1999. Ata u ndodhën atje, në llogoren e luftës kundër ushtrisë së Milosheviçit; e në këtë ndeshje legjendare u bënë heronj të Kombit; si Adem Jashari, Zahir Pajaziti, e të tjerë. Hysen Ymeri, pas librit të botuar disa vite më parë, ende sot vazhdon të plotësojë ditarin e tij me detaje të reja nga kujtimet për luftën e Kosovës dhe heronjtë e saj. Ai rrëfen gjithë emocion edhe për momente të tjera të pas luftës së Kosovës, siç ishte për shembull, dita e martesës së djalit të Adem Jasharit, Lulëzim Jashari, por dhe më pas; për martesën tjetër atë të nipit të heroit, në “Grand Hotel”, Prishtinë. Me një ndjenjë respekti të thellë, ai flet për “djemtë kosovarë” që vetë i stërviti dikur 7 vjet përpara se të niste lufta, e që u bënë më pas luftëtarë legjendarë të UÇK-së. Kolonel Hyseni, tani me statusin e “Veteranit të Luftës së Kosovës”, (të cilin e gëzon edhe bashkëshortja e tij, Dashuria), po vazhdon sistemimin e kujtimeve në formë ditari, të shtrira që nga shtatori i vitit 1991, kur ai, së bashku me dy kolegët e tij oficerë shqiptarë; Flamur Hoxha dhe Ylli Mici, trajnuan grupin e studentëve ushtarakë kosovarë në poligonet e një garnizoni të Tiranës. Siç dihet, Adem Jashari, “Komandanti Legjendar” dhe “Heroi i Kosovës”, bashkë me djem të tjerë kosovarë, 7 vjet para se të niste lufta, është stërvitur ushtarakisht në Shqipëri, për të fituar aftësitë fizike e komanduese për drejtimin e formacioneve luftarake të UÇK-së në luftë kundër ushtrisë serbe. Të gjitha momentet e rëndësishme të luftës së Kosovës janë trajtuar gjerësisht në librin e shkruar pak vite më parë nga vetë autori, kolonel Hysen Ymeri. Por ndërkohë, ka edhe momente të tjera, të cilat ai i bën publike sot përmes rrëfimit të tij. “Nuk do ta harroj kurrë, thotë ai, ditën e dasmës së djalit të Adem Jasharit, Lulzim Jashari. Unë isha një nga të ftuarit e nderit në këtë eveniment dhe them se mora atje emocione nga më të jashtëzakonshmet.
Përjetimi i rrallë
Bashkë me mua, ishte edhe gjeneral Kudusi Lame, e të tjerë”. Sipas tij, ka qenë vërtetë një përjetim i rrallë, ai i 7 korrikut të vitit 2001, kur u bë dasma e Lulëzim Jasharit. Mua më caktuan “krushk të parë”. Një nder shumë i madh. Që do të thotë se duhej të prija karvanin e gjatë të krushqve që do shkonin për të marrë nusen. Dhe si në përallat e moçme, aty u ndoqën të gjitha ritet e mrekullueshme të dasmës shqiptare. Gjëmonin tupanet e çiftelia. Dasma po bëhej vetëm dy vjet pas çlirimit të Kosovës. Vargu i gjatë i krushqve shkonte në më shumë se një kilometër. Nuk do ta harroj kurrë: Për një moment jemi ulur këmbëkryq në një lëndinë të bukur dhe aty kemi shkëmbyer cigare. Ç’të të them!…Mes dhjetra e qindra krushqve kosovarë, kishte shumë ish luftëtarë të UÇK-së, që unë në ‘91-shin, i kisha trajnuar në Tiranë. Aty kisha stërvitur edhe Adem Jasharin… Gjatë gjithë dasmës, ata më drejtoheshin mua me “Baca Hysen”. Me thënë të drejtën, kisha emocione aq të forta, sa nuk gjej dot fjalët për t’i përshkruar… Ishte, tamam si ajo historia e famshme e Feniksit, figurës mitologjike të lashtësisë, që personifikon sfidën e “Rinjalljes nga hiri”. Të mos harrojmë së vetëm dy vjet para kësaj dasme, kulla e Jasharajve u bë shkrumb e hi nga mizoria e ushtrisë serbe, duke i dhënë kështu Kosovës 20 dëshmorë, duke filluar me kryetrimin; Heroin Adem Jashari, e të tjerët. Një heroizëm i rrallë: 20 të rënë vetëm nga familja Jashari…”. Dhe dy vjet më pas, po bëhej kjo dasëm e madhe, në familjen Jashari…”. 
Kujtimet e kolonelit nga lufta e Kosovës
Në vitet 1998-1999, periudhë kur kish nisur konflikti kosovar, kol. Hysen Ymeri ishte komandant i Forcave Speciale shqiptare, të angazhuara në Veriun e vendit për mbrojtjen e brezit kufitar nga provokimet serbe, që ishin shumë të shpeshta në ato kohë. Hysen Ymeri, si ushtarak dhe oficer zbulues profesionist, spikat këtu për kurajo e aftësi në zgjidhjen e situatave të vështira. Ka dy momente që dëshmojnë për aftësitë e tij si zbulues profesionist: Njëri, kur ai me trupat speciale që drejtonte “zuri rob” dhe mbajti “në rrethim” për disa orë rresht, një grup paramilitar serb, që ish futur disa qindra metra në thellësi të tokës shqiptare. Pas këtij momenti, në mënyrë që ushtarët e friksuar serbë, nën efektin e “instiktit të vetmbrojtjes” të mos qëllonin me artileri popullsinë e zonave tona kufitare, qëllimisht iu la një shteg “i lirë”. Aty, nga forcat tona speciale u zunë edhe trofe të ushtrisë serbe si materiale luftarake, armë, helemeta, veshmbathje të ndryshme, etj. Moment tjetër i rëndësishëm i kësaj periudhe, sipas kol. Ymerit është marrja, tërheqja e trupit të një avioni pa pilot amerikan, që ishte rrëzuar në pjesën e tokës ku ndodhej ushtria paramilitare serbe. Kol. Ymeri aty ka qenë edhe vetë komandant dhe njëkohësisht protagonist i këtij operacioni delikat. Nën hundën e paramilitarëve serbë, pjesët e avionit amerikan pa pilot u tërhoqën dhe iu dorëzuan autoriteteve të komandës së NATO-s. 
Kur pritëm gjeneralin amerikan në malin e Dobrunjës
Një rikonicion rutinë në Veri të Shqipërisë në atë kohë të luftës së Kosovës, (1998- qershor ‘99) e ka vënë oficerin shqiptar Hysen Ymeri, në pozitën e personit përgjegjës për sigurinë e një personaliteti të lartë ushtarak, siç ishte në atë kohë komandanti i Forcave Tokësore Amerikane, gjenerali me tre yje, Henrik, që vizitoi Veriun shqiptar. “Gjenerali amerikan ishte i shoqëruar nga autoritetet më të larta ushtarake të Ushtrisë shqiptare në këtë rikonicion të terrenit tonë alpin”, thotë kolonel Hyseni. Me intuitën e një ushtaraku të sprovuar, gjenerali Henrik u interesua me detaje për taktikat e trupave tona speciale në kufi. Për një moment ai vërejti bunkerin që kishim aty afër. Kolonel Hyseni tregon: “Këtu zoti gjeneral, i thashë konfidencialisht, jemi qind për qind të mbrojtur; edhe nga shiu i natyrës, që këtej është shumë i rrëmbyer, edhe nga “shiu” i bombave serbe”. Ai miratoi me kokë, buzëqeshi, dhe na përgëzoi për misionin tonë të sigurimit të vijës kufitare shqiptare, që trupat tona po e garantonin me motivim e guxim të rrallë. 
Dëshmorët nga familja Jashari
1. Shaban Murat Jashari (74-vjeçar), babai i Ademit
2. Zahide Geci – Jashari (74-vjeçare), nëna e Ademit
3. Zarife Jashari (49) gruaja e Rifatit
4. Hidajete Rifat Jashari (18), vajza e Rifatit 
5. Valdete Rifat Jashari (15), vajza e Rifatit
6. Igball Rifat Jashari (13), djali i Rifatit
7. Igballe Rifat Jashari (11), vajza e Rifatit
8. Hamëz Shabani Jashari (47), vëllai i dytë i Adem Jasharit
9. Feride Mecini – Jashari (43), gruaja e Hamëz Jasharit
10. Selvete Hamëz Jashari (20), vajza e Hamëz Jasharit
11. Afete Hamëz Jashari (17), vajza e Hamëz Jasharit
12. Besim Hamëz Jashari (16), djali i Hamëz Jasharit
13. Lirie Hamëz Jashari (15), vajza e Hamëz Jasharit
14. Blerim Hamëz Jashari (12), djali i Hamëz Jasharit
15. Fatime Hamëz Jashari (9), vajza e Hamëz Jasharit
16. Blerinë Hamëz Jashari (7), vajza e Hamëz Jasharit
17. Adem Shaban Jashari (42)
18. Adile Rama – Jashari (40), gruaja e Adem Jasharit
19. Fitim Adem Jashari (17), djali i Adem Jasharit
20. Kushtrim Adem Jashari (13), djali i Adem Jasharit
Sigal