Vullnet Mato: Kemi ujë, por na mungon…

615
Qytetet tona nga Jugu në Veri
në verë për ujë vuajnë shumë,
kur kushdo, po shikon me sy,
se çdo qytet, ka pranë një lumë.
Po t’i mbledhim lumenjtë bashkë,
me ujin që derdhet në dy dete,
Shqipëria noton me gjithë kafshë,
mbi varkë, si e Noes, në fillim jete.
Por ne na mungon Noeja i largët,
apo Berluskoni fqinj i Shqipërisë,
që deshi mbi det, syrin e kaltër,
të kalonte, për sofrat e Italisë…
Durrësi, Vlora, Saranda e bregdeti,
ftojnë turistë nga çdo anë e botës,
Po kur vijnë, u shkërmoqet qejfi,
se shpesh u mungon dhe uji i gotës.
Çdo kryetar i ri, kur vjen në Tiranë,
premton ujin njëzetekatër orë,
por me premtime, buzët na u thanë,
dhe ata ikin si dashi me këmborë!…
Shtetet e tjerë, ngrenë ujin përpjetë,
në pishina e shatërvanë e lartojnë, 
të freskohen nga vapa ajri edhe retë.
Ne ngremë pallate ku çezmat s’pikojnë.
Në vend të tubave, që ujin të sjellin,
shtrojmë pllaka, duke hequr të parat,
vëmë klloçka fondet, gjethe të pjellin,
nëpër trungjet e palmave të thara…
Blejmë ujë më bidonë, në autobotë,
mbushur diku përrenjve, të dyshimtë,
por me rrogë, nuk po ia dalim dot,
se na mbeten pa bukë çiliminjtë…
Dhe duke pritur, me trupin të palarë,
çezmat bashkiake të pikojnë gjer vonë,
dëgjojmë në televizion, zotin kryetar:
“Kemi ujë të bollshëm, por na mungon!…”
Migjeni të ishte gjallë, do rënkonte:
“Pak ujë, o shok, o vëlla, o mik,
pak ujë o kryebashkiak, më jep sonte,
se po thahem, po zhuritem në grykë!…”
Sigal