Voskopoja, një qytetërim shekullor, një turizëm përrallor

1276
Albert Z. ZHOLI
Flet Kryetari i Njësisë Administrative Voskopojë, Bashkia Korçë, z. Luan Fidani: Në Voskopojë më 1720-n u ndërtua shtypshkronja e dytë në Perandorinë Osmane 
Voskopoja është një vendbanim mesjetar i hershëm që daton prej vitit 1330. Nga Shën Prodhomi hapet para vizitorit një pamje e mahnitshme nga duken majat e Lënies dhe Ostrovica, me një lartësi prej 2246 metra. Lulëzimin më të madh Voskopoja e ka pasur në vitin 1764, atëherë kur popullsia e saj arriti në rreth 30 mijë banorë. Në atë periudhë kishte 25 kisha me afreske nga më të lakmuarat, ndërsa tani nuk kanë mbetur më shumë se 5 kisha. Në të njëjtën periudhë në këtë qytetërim ka pasur Akademi, Bibliotekë, artizanat të zhvilluar e tekstile dhe shërbeu si urë lidhëse jo vetëm brenda vendit, por edhe midis vendeve fqinje Greqi e Turqi. Voskopoja sot është njësi administrative që ndodhet rreth 21 km larg nga qyteti i Korçës mbi një pllajë 1160 metra mbi nivelin e detit.

Sa banorë, sa ndërtesa dhe çfarë përfaqëson në vetvete njësia administrative e Voskopojës?
Voskopoja aktualisht vetëm si fshat ka 1 mijë banorë, kurse si njësi Administrative me 3 fshatra ka 2 500 banorë. Shumica e banorëve janë në emigrim në shumë vende të Evropës por 4 vitet e fundit po shihet një kthim i madh në vendlindjen e tyre. Aktualisht në Voskopojë kemi shumë ndërtime të reja dhe shumë familje të reja apo dhe familje të ikura që tashmë kërkojnë të ndërtojnë një shtëpi të dytë në Voskopojë ose për përdorim vetjak ose për hotel-turizëm. Voskopoja sa vjen dhe po zgjerohet si fshat. Po mendohet dhe po punohet që Voskopojës t’i kthehet ndriçimi i dikurshëm, duke pasur parasysh historinë në të kaluarën si dhe bukuritë e rralla natyrore. 

Ju thoni se Voskopoja ka shumë objekte, histori dhe pasuri që ngjallin një interes të jashtëzakonshëm për turizëm, cilat janë ato?
Objektet kryesore të historisë së Voskopojës janë kryesisht kishat, ku dikur kanë qenë mbi 30 kisha unike ndërsa sot janë 5 në gjendje të mirë të vizitueshme ku mund të shihen afresket dhe stili i ndërtimit, ambientet e ndërtimit, zbukurimet e veçanta dhe ndërtimi i veçantë prej guri. Kemi një Manastir shumë interesant Manastiri i Shën Prodhomit, i cili në tërë kohën e tij ka qenë, jo vetëm vendi ku mblidheshin dhe takoheshin besimtarët të krishterë, por aty takoheshin dhe miqtë e të gjitha besimeve fetare, pra ishte si një pikë takimi pavarësisht besimeve fetare. Ky Manastir ishte dhe si qendër humanitare, ndihme. Aty ku shumë njerëz kalonin natën për arsye të ndryshme. Ky Manastir nuk i ka shërbyer vetëm Korçës por të gjitha krahinave përreth. 

Sa turistë vijnë aktualisht në vit në Voskopojë dhe cilat janë stinët kur ata vijnë më shumë?
Numri i saktë është i vështirë, pasi ende nuk kemi një zyrë regjistrimi real, por duke marrë parasysh dhe ditët e festive që ka një dyndje të madhe, them se në Voskopojë vijnë rreth 50 mijë turistë në vit. Ky është numri më i besueshëm, por të shpërndara në çdo stinë. Nga ato që ndjekim në vazhdimësi është se stina e verës, e cila është stina më e preferuar dhe më e lakmuara për të ardhur e për të bërë pushime. Shumica e turistëve janë vendas, por dy vitet e fundit po shikohet një shtim i turistëve të huaj. Pra, ende nuk është reklamuar sa duhet kjo qendër turistike për të huajt. Ndërsa në vitin 2017, numri e turistëve të huaj është rritur ndjeshëm, pasi qeveria por edhe Bashkia, Korçë po bën një reklamë të jashtëzakonshme duke ditur të veçantat, historinë dhe karakteristikat e Voskopojës. 

Për ndërtimet e reja, a ka ndonjë ligj të veçantë për karakteristikat dhe arkitekturën e ndërtimeve? 
Po, tashmë ka një ligj për mënyrën e ndërtimeve dhe një plan urbanistik nga Bashkia për llojin e tyre, mbi lejet e ndërtimeve dhe standardet e ndërtimeve. P.sh katet e ndërtesave do jenë deri në dy kate e gjysmë dhe vetëm me gur dhe çati me rrasa guri ose tjegulla gri. Pra nuk do lejohet asnjë ndërtim jashtë këtyre standardeve dhe pa lejen e bashkisë të miratuar nga plani urbanistik. 

Aktualisht, baza e jetës së njerëzve në Voskopojë kush është turizmi, blegtoria apo bujqësia?
Në Voskopojë të ardhurat kryesore banorët i marrin nga turizmi. Kjo për vetë faktin se qysh në kohën e komunizmit turizmi ka qenë shumë i zhvilluar sepse ka pasur dy kampe pushimi të pionierëve dhe ai i punëtorëve. Pra këto dy kampe funksiononin dimër dhe verë ku kishte lëvizje të përhershme. Secili kamp kishte mbi 200 shtretër dhe kushte shumë të mira për çlodhje dhe argëtim. Për momentin kampi i pionierëve është kthyer në qendër biznesi ku aty është dhe hotel “Akademia” ndërsa kampi punëtorëve që ishte në fshat u rrënua në ngjarjet makabre të vitit 1997. Pas turizmit banorët merren me bujqësi dhe me blegtori që janë dy degë të tjera shumë të rëndësishme të ekonomisë së vendasve. Blegtoria vjen pas turizmit ku rriten dhentë në mënyrë masive, ndërsa lopët për ekonomi familjare individuale jo për treg. 

Po shoh se të gjitha rrugët janë me kalldrëm, kështu kanë qenë dikur rrugët e Voskopojës apo është një urdhër i ri për t’iu përshtatur relievit të fshatit?
Po, ky është një urdhër yni, i cili u mendua i tillë duke pasur parasysh historikun e Voskopojës. Qeveria dhe Bashkia kanë dhënë një fond prej 3 milionë euro për rrugët dhe rrugicat e fshatit brenda territorit të tij. Ky fond po përdoret për shtrimin e të gjithë rrugëve dhe rrugicave me kalldrëm që i përshtatet historikut të fshatit, për ndriçim, kanale anësore kulluese, por edhe meremetim të disa objekteve historike. Një fond shumë serioz dhe i kujdesshëm që po ia ndërron faqen fshatit. 

Cilat janë problemet që ka sot Voskopoja?
Problemin kryesor e ka me energjinë elektrike, sepse në dimër ka shkëputje të rrjetit, jo se nuk ka energji, por disa herë vjen me luhatje, gjë që ndikon me ndriçimin e plotë dhe rrezikon pajisjet elektrike shtëpiake. Luhatja e tensionit ka qenë me më shumë probleme, por tashmë është stabilizuar disi. Problem mbetet shitja e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale me standarde dhe kjo bën që prodhimet bujqësore po rrallohen, sepse prodhuesve nuk u intereson më prodhimi kur nuk sigurojnë fitim, për shkak të mos shitjes. Duhet që me politikat tona të ndikojmë më shumë në rritjen e prodhimeve bujqësore, se turistët që vijnë duan të shijojnë prodhimet bio të fshatit, pasi kanë shije, kanë tjetër aromë. Aromë vendi.

Po shoh shumë ndërtime të reja. Këto janë nga vendasit dhe biznesmenë apo qytetarë jashtë Korçës?
Këto ndërtime u përkasin kategorive të ndryshme si ish-banorëve që tani ndërtojnë shtëpi të dytë në Voskopojë, si biznesmenë nga fshati apo dhe të tjerë që gjejnë vend të lirë sipas projekteve, ndërtime bëjnë familjet me shumë fëmijë, njerëz të tjerë që kanë pasur tokë dhe duan të hapin aktivitete të tjerë….ka shumë troje që janë në shitje në bazë të planit urbanistik dhe shohim se kërkesat sa vijnë dhe shtohet. Besoj se për disa vjet Voskopoja do kthehet në një qytezë turistike tepër të rrallë. Tashmë po punohet për riparimin e rrugës Korçë-Voskopojë me një fond të veçantë, e që përfundon në pranverën e 2018-s, e cila do t’i japë një zhvillim të veçantë fshatit tonë. Perspektiva e Voskopojës është tepër e veçantë, tepër e bukur dhe ndriçuese. 

Po industria e lehtë apo përpunuese a ekziston në fshat?
Ky është një problem, pasi deri tani nuk ka ekzistuar, por po punohet për hapjen e punishteve të bulmetit, të konservimit të prodhimeve bujqësore, por edhe përpunimit të gurit apo punimeve artizanale që turistët i kërkojnë e që nuk i gjejnë. Janë hedhur hapat e parë në këtë fushë. 

Voskopoja bazë atdhetarizmi…
Në Voskopojë gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, është formuar Brigada IV S. Brigada u krijua me partizanet e kuadrot e batalionit “Shqiponja” si dhe te tjerë të ardhur nga batalionet “Fuat Babani”, “Hakmarrja”, “Tomorri”, “Reshit Çollaku”, “Gorë-Opar” si dhe te rinj te tjerë nga Korça dhe rrethi i Korçës. 

Klima e veçantë me sasi oksigjeni të lartë
Voskopoja ka një klimë kurative, ajri ka një sasi oksigjeni shumë të lartë, ozoni e bën atë nga vendet me sasinë e tij në ajër ndër më të lartat në Evropë. Malet rrethues janë të gjitha me pisha që japin, jo vetëm bukuri të veçantë panoramës që të kënaq syrin, por janë dhe mushkëritë natyrale e pasuruese të vendit. Kemi shumë livadhe të bukura të mbuluara me pemë që ia shtojnë bukurinë zonës së Voskopojës. 
Sigal