Vllasova Musta: I paharruar takimi me Kadarenë në gjimnazin “Asim Zeneli”

1026
Lindi në 1949 dhe u diplomua për Gjuhë – Letërsi në Fakultetin e Filologjisë, Tiranë në vitin 1971. Menjëherë pas studimeve punoi në Kinostudion “Shqipëria e re” si skenariste ku e nisi krijimtarinë me skenarin e parë të filmit dokumentar “Heshtja e armëve”, 1971 dhe më pas skenarin e filmit dokumentar “Këndon Tefta Tashko Koço”, me regji të Marjanthi Xhakos, 1972. Në vitet 1975 – 1976 kreu specializimin në kursin pasuniversitar dy vjeçar, dega regjizurë, pranë Kinostudios. Vllasova krijoi skenarë në zhanret e filmit dokumentar dhe kronikal dhe, me vonë, në periudhën 1982 – 1987, edhe në filmin e animuar. Për pesë vjet, mbajti detyrën e drejtoreshës së studios Albafilm, nga 1997- 2002, e më pas punoi në Muzeun Historik Kombëtar si specialiste në Sektorin e Muzeologjisë dhe Botimeve (2002-2006). Krahas punës krijuese në kinematografi, Vllasova lëvron me sukses edhe poezinë shqipe ku shquhet për ndjeshmëri lirike, njohëse e mirë e vargut dhe mjeshtre e poezisë. Ka shkruar poezi që në vitet e hershme të rinisë dhe ka fituar çmimin e parë për ciklin më të mirë poetik, në konkursin kombëtar për talentet e reja (1966). Kënga “Xhaketa e kuqe”, me tekst të shkruar nga Vllasova Musta u shpall fituese në Festivalin e Parë të Këngës së Ushtarit. 
Cila ka qenë poezia juaj e parë dhe cili ishte titulli?
‐Kam qenë nxënëse, kur kam botuar poezinë e parë. U botua në gazetën “Zëri i Rinisë“, në Tribunën e letrarëve të rinj, siç quhej ahere dhe titullohej “Këngë në ritme”.
Ishte 21 Maj i vitit 1966, pra, plot 50 vjet përpara!
Ja disa prej vargjeve:
Moshatare me vitet rinore,
Është e re poezia ime,
Sot ajo ulet në bankat shkollore,
Dhe me mua humbet n´ëndërrime.
Kush ua dha sihariqin e botimit dhe si u ndjetë? 

Po shkoja në shkollë, isha nxënëse në gjimnazin “Asim Zeneli“ dhe një grup shokësh më dolën përpara, më rrethuan dhe gati njëzëri më thanë: Të kanë botuar në gazetë, ke dalë në gazetë!…

Unë shtanga për momentin, ishte një përjetim i magjishëm, i mrekullueshëm dhe tejet i bukur! U futa në oborrin e shkollës dhe ndjeva që më ndiqnin shikime të nxënësve të tjerë e nga droja unë s´dija ç´të bëja, por shkova drejt e u futa në rresht mes shokëve të klasës për t´ju shmangur sa më shpejt asaj mërmërime, që përmendte emrin tim. Ishte botimi i parë dhe unë u ndjeva veçse e lumtur!

Kush ju ndihmoi në këtë rrugë të bukur, por të vështirë? 

Kam patur fat që, mësues letërsie kisha një poet të mrekullueshëm, Agim Shehun. Ai, orën e mësimit e bënte si askush tjetër, na hapte horizonte të tjera, na përcillte tinguj dhe ngjyra, na përçonte imazhe të pafundme ku lëvrinte fantazia jonë rinore dhe buiste poezia. Të dëgjoje komentet e tij, vetiu bëheshe poet, bëheshe krijues, ndiheshe ndryshe dhe ai dinte të të nxiste, të të motivonte dhe të kërkonte prej teje.

Kush nga klasa juaj botonte poezi përveç teje? 

Në klasën time, askush tjetër, por unë isha anëtare e rrethit letrar të shkollës dhe aty ishte Petro Çerkezi, Foto Malo, Petrit Dhane, që ishin në klasat sipër meje si dhe Thanas Dino, paralel me mua. Në këtë rreth letrarësh kishte një frymë dashamirësie dhe mbështetjeje që më jepte kaq dashuri dhe motivim, sa shkoja thuajse duke rendur sa herë që mblidheshim, pasi aty diskutonim krijimet tona dhe ajo që vlerësoj edhe sot është se, aty krijuam një miqësi të pastër e të rrallë, që e tillë ka mbetur edhe sot.

Mësuesi juaj i letërsisë, ç´raporte kishte me figurat e shquara të krijuesve shqiptarë? 

Agim Shehu kishte qenë bashkënxënës me Ismail Kadarenë, por në atë gjimnaz ishte edhe Dritëro Agolli, para tyre. Ata kishin qenë dhe vazhdonin të ishin miq të mirë me njëri tjetrin dhe falë kësaj njohjeje dhe miqësie midis tyre, ne patëm fatin t´i kishim midis nesh të ftuar prej tij, të mrekulloheshim nga prania dhe fjala e tyre. Ka qenë i paharruar takimi me Kadarenë, kur erdhi në gjimnazin tonë si dhe në rrethin letrar dhe ne, krejtësisht të ngazëllyer nga prania e tij, përpinim çdo fjalë dhe mendim të tij dhe në ditët e mëtejme vazhdonte e vazhdonte rrëfimi i secilit se si e kish thënë aq bukur këtë apo atë mendim Kadareja i Madh dhe fjalët gërmëzoheshin rrugëve dhe sokakëve të Gjirokastrës, përherë për vlerën, respektin dhe çudinë që ai mbartte për ne të rinjtë e asaj shkolle.

Si ndiheshe në Gjirokastër, kur ju thoshin poete?

Pas botimit të parë tek “Zëri i Rinisë“ unë fillova të botoja në gazetën “Drita“ si dhe në revistën “Nëntori“ apo dhe në organe të tjera. Ajo, që më jepte më shumë kënaqësi, ishte botimi tek gazeta „Drita“, pasi ishte më elitare e mirëpritur dhe e kërkuar prej të gjithë krijuesve.
Kur shkoja në librari të dielave, për të marrë gazetën (se të dielën dilte” “Drita“unë sapo futesha brenda prisja reagimin e librarit të pasionuar, që ishte personazh i rrallë i qytetit, Alizot Emiri dhe kur ai më thoshte: T´i kanë nxjerrë, t´i kanë nxjerrë,… i lexuan të gjithë dhe t´i kanë pëlqyer“, të them gëzohesha është fare pak, kjo ishte për mua vetë mrekullia, pasi aty mblidheshin gjithë intelektualët e qytetit, shfletonin, lexonin, diskutonin ishte si të thuash njëlloj „klubi letrar“ ku bëheshin diskutimet e para dhe merrje përshtypjet direkte. Ishte koha kur libri kërkohej fort, lexohej me ëndje dhe vlerësohej si pasuri e rrallë kur e merrje në dorë dhe e çoje në bibliotekën tënde.

Çmimin e parë për talentet e reja kush jua njoftoi? ‐Cili ishte reagimi juaj?

Kjo ka ndodhur në fundvitin e 1966-ës, pas festave të Nëntorit.

Në pushimin midis orëve, në klasën tonë erdhi drejtori i shkollës, mësuesi kujdestar dhe profesor Agimi. Drejtori mbante në dorë një dokument dhe ia dha profesor Agimit duke i thënë, lexoje ti! Ai e lexoi dhe sakaq shikimi i të gjithëve u drejtua tek unë. Në të thuhej: Urime për çmimin e parë në Konkursin Kombëtar të Talenteve të Reja! Unë nuk po nuk po e besoja, doja të hidhesha përpjetë, të bërtisja, t´i përqafoja të gjithë, por sakaq vetëm kisha mbetur e ngrirë dhe asgjë më. Drejtori dhe dy të tjerët më uruan, më dhanë telegramin që kish ardhur nga Tirana dhe u larguan, por unë isha në ajër dhe s´dëgjoja fare. Ishte e kotë të rrija në mësim në orët vijuese, të gjithë më shihnin vetëm mua. Kur dola nga shkolla, nuk shkova në shtëpi, por drejt e tek puna e mamasë, për të gëzuar bashkë me të!

Ku dhe si ua dorëzuan çmimin? 

Çmimin erdha e mora në Tiranë. Unë banoja në Gjirokastër, tepër larg dhe nuk u ndodha në ceremoni. Kur erdha më pritën mjaft mirë, u takova për herë të parë me Vath Koreshin, që ishte aq i njerëzishëm dhe më tha: Ti je Vllasova?! Ishte një takim aq i ngrohtë, nga ata që mbeten të pashlyer për gjithë jetën. Më shoqëroi tek një zyrë ku më dorëzuan dhuratën, ishte një stilograf nga më të mirët e asaj kohe. Me të kam shkruar poezi e skenarë dhe më ka shoqëruar prej një jete, e ruaj edhe sot, e kam kujtim të rinisë sime. Po ashtu, më dhanë një pako me disa libra letërsie si dhe një shpërblim në të holla, që për një nxënëse ishte si dhuratë e rënë prej qiellit.
Sigal